Projekti i rrugës Orikum-Dukat do t’i japë fund të ashtuquajturës “Platforma 1 miliard euro”, si edhe gjithë programit të partneritetit publik-privat. Qeveria shqiptare nuk do të miratojë më projekte të reja të këtij lloji.
Në vitin 2022 parashikohet që pagesat për PPP të kapin vlerën e 4.6% të totalit të të ardhurave buxhetore që pritet të mblidhet në vitin 2021, nga 5% që është limiti i lejuar ligjor.
Kësaj vlere, mund t’i shtohen pagesat e paparashikuara në PPP ekzistuese dhe të reja që kanë në qendër të tyre riskun e kërkesës si: rruga Milot-Morinë (me rreth 400-500 milionë lekë në vit), koncesionet në sektorin e Shëndetësisë, koncesioni i aeroportit të Vlorës ( me 4.5 milionë euro në vit për 7 vjet), apo koncesioni i ri i rrugës Kashar – Rrogozhinë. Kostot shtesë nga koncesionet e mësipërme mund të rrezikojnë shkeljen e këtij rregulli fiskal, që nga viti 2022 e në vazhdim.
Për këtë arsye, Ministria e Financave rekomandon të mos lejohet asnjë propozim për PPP që ndikon drejtpërsëdrejti apo në mënyrë të tërthortë buxhetin e shtetit në periudhën 2020-2030. Për PPP-të e reja, të parashikuara me tarifa për përdoruesin, Ministria e Financave sugjeron të minimizohet apo eliminohet risku i mosplotësimit të kërkesës, në mënyrë që limiti ligjor prej 5% të respektohet rigorozisht.
Vetëm vlera e kontratave të PPP-ve me financim buxhetor, të nënshkruara deri vitin e kaluar, arrin në afërsisht 90 miliardë lekë. Për vitin 2018, është parashikuar të nënshkruhen tetë kontratat të reja të PPP-ve, për një vlerë totale prej afro 157 miliardë lekësh.