MENU
klinika

Zgjerimi i Greqisë në Jon/ "Kufiri të zgjidhet në…"

Historiani Xhufi: Ka mungesë informacioni që krijon kakofoni në publik!

28.12.2020 - 17:16

Historiani i njohur, Pëllumb Xhufi, shprehet se ka një mungesë informacioni se çfarë po ndodh në marrëdhëniet me Greqinë dhe nëse ka negociata ose jo me të për çështjen e detit.

Zoti Xhufi u shpreh se ka një kakofoni në qëndrimet e ditëve të fundit, ndërkohë që duhet të kishte pasur një sqarim për publikun nga Ministria e Jashtme në lidhje me zgjerimin e Greqisë me 12 milje.

Sipas tij, vendimi për ta çuar në Gjykatën e Hagës çështjen e delitimit të detit me Greqinë është vendimi më i mirë për të dy vendet.

“Ka mungesë informacioni. Duhet të kishte një informim më të qartë të publikut për të mos krijuar kakofoni. E vetmja qartësi është vendimi për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Çdo gjë tjetër, përcaktimi i zonave ekskluzive ekonomike do të bëhet pas përcaktimit të kufirit mes dy vendeve, për të cilin është rënë dakord që të shkohet në Gjykatën Ndërkombëtare. Për sa kohë nuk kemi të përcaktuar kufirin, nuk mund të japim gjykime.

Të mos harrojmë se faktori ndërkombëtar i ka përcaktuar Greqisë shtrirje 6 milje dhe kjo e ka një arsye të fortë që lidhet me afërsinë e ishujve të saj me Turqinë, por dhe me Shqipërinë.

Fakti që maxhoranca i ka rezistuar presionit të Greqisë për 7 vjet pa arritur të nënshkruajnë ndonjë marrëveshje dhe jo si Berisha që e solli në një kohë rekord marrëveshjen e 2009, tregon për një qëndrueshmëri të Kryeministrit dhe një koherencë dhe me qëndrimin e mbajtur atëherë, kur Basha dhe Bakojanis nënshkruajtën”, u shpreh zoti Xhufi.

Ai shprehet se është vënë në dijeni me përmbajtjen e dekretit presidencial, i cili sipas tij nuk përcakton zgjerim me 12 milje.

“Ligji bën fjalë për mbylljen e gjireve të brendshme dhe heqjen e vijave të drejta, nga ishujt e Jonit e deri në Peloponez. S’bëhet fjalë për shtrirje të kufirit detar në 12 milje.

Mbylljen e gjireve dhe heqjen e vijës së drejtë e bënte ligji ynë i kufirit i vitit 2001, të cilin ishKryeministri Berisha e abrogoi në 2008 për t’u mundësuar grekëve gllabërimin e Kanalit të Korfuzit, deri 700 metra afër Ksamilit.

Mbyllja e gjireve dhe heqja e vijave të drejta parashikohet nga Konventa e Montegobayt, por kur gjiret janë mjaftueshëm të thellë”, u shpreh për gazetën “Panorama” historiani Pëllumb Xhufi./ Panorama.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Gjerësia nuk ndikon në përcaktimin e vijës së kufirit"

Ish-kreu i Forcave Detare: Nuk ka asnjë efekt nga zgjerimi me 12 milje