MENU
klinika

Galeria Uffizi

Italia çel vitin e Dantes

03.01.2021 - 13:00

      Publikohen në internet, skica nga “Komedia hyjnore” që rrallë shihen për të shënuar 700 vjet nga vdekja e poetit, sipas “The Guardian”. /Konica.al

Tetëdhjetë e tetë vizatime të rralla nga “Komedia hyjnore” e Dante Aligerit, janë shfaqur në ekranin virtual, ndërsa Italia fillon kalendarin e ngjarjeve njëvjeçare, për të shënuar 700-vjetorin e vdekjes së poetit.

Vizatimet, nga artisti i Rilindjes së shekullit të 16-të, Federico Zuccari, po ekspozohen në falas internet, nga Galeria Uffizi, Firence.

“Deri më tani, këto vizatime të bukura janë parë vetëm nga disa studiues dhe janë shfaqur në publik, vetëm dy herë, por pjesërisht,” – tha Eike
Schmidt, drejtori pranë “Uffizi”.

“Aktualisht ato janë botuar të plota, së bashku me një koment didaktiko-shkencor dhe [nga e premtja], do të jenë në dispozicion falas.”


Dante Aligeri, i njohur si ati i gjuhës italiane, lindi në Firence më 1265 dhe vdiq dhe u varros në Ravenë, në vitin 1321. Poema e tij epike, “Komedia hyjnore” , është e ndarë në tri pjesë dhe tregon udhëtimin e një pelegrini nëpër ferrin, purgatorin e parajsën.

Skicat u përfunduan nga Zuccari gjatë një qëndrimi në Spanjë midis viteve 1586 dhe 1588. Nga 88 ilustrime, 28 janë paraqitje të ferrit, 49 të purgatorit dhe 11 të parajsës.

Pas vdekjes së Zuccari-t, më 1609, vizatimet u mbajtën nga familja fisnike Orsini, familje për të cilën, artisti kishte punuar e më vonë, nga familja Medici, para se të bëhej pjesë e koleksionit të galesirë “Uffizi”, në vitin 1738.

Për shkak të brishtësisë së tyre, vetëm një përzgjedhje e vizatimeve me laps dhe bojë janë ekspozuar publikisht në të kaluarën. Hera e parë ishte në
Firence në 1865, për të shënuar 600-vjetorin e lindjes së Dantes, si dhe bashkimin italian dhe hera e dytë, për një ekspozitë në Abruzzo, në vitin 1993.

Galeria Uffizi është me të vërtetë krenare që hap përvjetorin e vdekjes së poetit të madh, duke e bërë të disponueshme për të gjithë këtë koleksion të jashtëzakonshëm të artit grafik,” – tha Schmidt. Ai shtoi se punimet ishin “material i vlefshëm” jo vetëm për studiuesit, por edhe për ata të apasionuar pas Dantes dhe të interesuar në ndjekjen e tij të “dijes dhe virtytit”

Ngjarjet që përkujtojnë përvjetorin e vdekjes së Dantes, pritet të vijojnë gjatë gjithë vitit në Firence, Ravenë (Ravenna), si dhe 70 qytete me zonat përreth, lidhur me poetin.

Dante, “Ferri”, Kanga III

 

Aty të fshame, klithje, gjamë e vajë,

nëpër ajr të pa yj përherë kumbonin,

sa unë qysh në fillim nisa të qaj.

Gjuhë t’ndryshme, t’folme-tmer gjithkah gjëmonin,

fjalë e dhimbje për hata, britje nga mnija,

vikatje e zane shue e shplakë ushtonin.

Përftohej një poterë, që kurr qetija

s’e shuen nëpër atë ajr gjithmonë të ndytë,

Njashtu si rana kur shpërthen stuhija.

E unë, që ndjeja si më zjente kryet

nga tmeri, thashë: ” Ç’dëgjoj, mësues i ndjerë?

Ç’janë, vallë, këta që e keqja i paska mbytë?”

E ai m’u gjej: “N’këtë gjendje kaq të mjerë

gjithë shpirtnat e fatzezëve janë ngujuem,

që mirë as keq nuk banë të thuesh një herë.

Me rradhët e asaj frotë janë të trazuem

të engjujve, që veç kërkuen vetminë,

me Zotin s’qenë, po as kundër s’kanë luftuem.

I dëbuen qiejtë, se u prishnin bukurinë,

e as ferrit s’mund t’i futen thellësisht,

se der mkatarët nuk ua duen shoqninë.”

E unë: „O pris, çka kanë që kaq tmersisht

bërtasin pa ia da edhe rënkojnë?“

M’u gjegj: „Ja, po ta them ty shkurtimisht:

këta as që të vdesin nuk shpresojnë,

ma poshtë jetën e tyne s’ke ku e ço,

çdo fat, përveç këtij, ata dëshrojnë.

Emnin e tyne n’botë mos e kërko!

Mëshira e drejtësija nuk i qas:

mos t’flasim për ta, por kqyr e shko!“

 

 

Përktheu: Pashko Gjeçi

(Burimi: Dante Aligieri, „Komedia hyjnore“, botim i dytë, Rilindja, Prishtinë, 1982, ff.36-37)