Serbia planifikon që në ditët në vijim të vaksinojë kundër koronavirusit rreth 11 mijë persona. Lajmin e ka bërë të ditur sekretari i Shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë së Serbisë, Mirsad Gjerlek. Ai njoftoi se procesi i vaksinimit do të zhvillohet pas përgatitjes së një “zinxhiri të ftohtë” të ruajtjes dhe transportit të vaksinave nga Instituti “Torlak” në të gjitha qendrat klinike dhe spitalore në Serbi.
“Shpresoj që sot dhe në katër ditët e ardhshme, rreth 11.000 njerëz, përfshirë 8.500 punonjës shëndetësorë dhe 2.500 njerëz në shtëpitë e pleqve do të marrin vaksinën”, i tha Gjerlek televizionit TV Prva. Sipas tij, siç raporton agjencia Beta, vaksinimi fillon sot (5 dhjetor) në 20 pika në Beograd si dhe qendrat klinike në Novi Sad, Kragujevc dhe Nish dhe do të vazhdojë të premten, të shtunën dhe të dielën në shtëpitë e pleqve si dhe në të paktën dhjetë deri në 15 spitale të përgjithshme.
“Nga java në javë, ne jemi duke shtuar ritmin e vaksinimit, në mënyrë që të mund të vaksinojmë sa më shumë njerëz që të jetë e mundur dhe të arrijmë imunitetin kolektiv”, tha ai. Gjerlek shtoi se të paktën 1.4 milion njerëz duhet të vaksinohen për të stabilizuar epideminë e koronavirusit dhe midis dy dhe tre milionë “për t’u siguruar që të mposhtet COVID-19”. Më 4 janar, Serbia pranoi edhe një kontigjent të ri prej 19.500 vaksina të Pfizer/BioNtech, raportoi portali Nova.rs. Ky është kontigjenti i dytë i vaksinave të Pfizerit, pas kontigjentit të parë prej 4,875 vaksinave kundër koronavirusit të këtij prodhuesi, që arritën në Serbi më 22 dhjetor.