Ja dhe dy net mbetni, tha Zotoja, që na ndajnë nga moti i ri, kur kthehej në dhomë të tij, edhe buzët i nënqeshën në këtë mejtim. Kishte arsye ta priste me kaq gas meqenëqë gjithë bota: të pasur, të vobektë, të mëdhenj, të vegjël e gjithë fatzinjtë e presin me gojë hapët këtë ditë të shënuar, me shpresë të bukur të një kanisku, një darove, një lodre, ose një ndryshimi të rrojtjes, kështu pra, Zotoja tonë shpresonte nga moti i ri ndonjë ndryshim.
Si hyri brenda ndezi kandilen, nxori nga xhepet një paketë të vogël mbështjellë me një gazetë dhe e vuri mbi tryezë, pastaj ndenji afër mbi fron edhe ai vetë. Në pakte nuk kishte gjësendi tjetër përveç pesë para bukë edhe pesë para ullinj. Kjo ishte gjithë darka e Zotos! Ishte i stërvitur në këtë rrojtje, andaj pa psherëtim, si hëngri bukën, shojti kandilen edhe ra të flerë që të ngrohej në shtrat meqenëse soba ishte më e ftohtë nga akulli. Sa për mobiljet e dhomës ishte lehtë për të vrejtur: Një shtrat me një jorgan të vjetër, një tryezë, një fron, një kandile, një qelqe me ujë, në fund të dhomës ishte përdhe një tok me gazeta. Kjo ishte gjendja e Zotos, të shkëlqyerit gazetar shqiptar!…
Me gjithë këto asnjë dëshpërim nuk rrëfente fytyrë e tij, po i kënaqur e me durim të patundur, shpresonte të mbushte qëllimin e shenjtëruar, duke mbrojtur të drejtat e kombit të tij përpara botës së qytetëruar. Zotoja ishte djalë i ri, i mësuar në dituri në Evropë dhe si mbaroi mësimet e larta u hodh në luftë kombëtare duke botuar një gazetë shqip për të mbrojtur të drejtat e mëmëdheut për të cilin i qante zemra natë e ditë. Pas një moti plot therori trupore e materiale, xhepet i zbrazi prej kohe e tani priste motin e ri duke shpresuar në mëmëdhetarët që do të kujtoheshin dhe do të mbushnin detyrën e tyre duke dërguar të paktën, në mos ndonjë ndihmë, pajtimin e gazetës.
Nga ky shkak ishte më i çelur këtë natë Zotoja ynë në kujtim të motit të ri. Ra të flerë po gjumi nuk i afrohej, gjithë natën u dërmua në shtrat duke shkruar ndër mend një mijë ëndërra fluturake e një qind hesape. Nga 500 pajtimtarë, thoshte, do të vinë të paktën 2000 franga. Kështu pra, do të paguaj gjithë detyrimet: Në shtypshkronjë do të paguaj për gjashtë muaj të shtypurit e gazetës se nuk duan të ma shtypin më, qiranë e dhomës e të shpëtojë nga gojë e zonjës që më tremb me të përzënë, restorantet që më kanë tharë prej kohësh gushmaqnë, dhe në kafenetë që s’ma varin fare kapistallë, pastaj do të blej dru për zjarr, një pal rroba e një pallto për të ndërruar pardesynë verake me një okë lyrë mbi të, këpucë, këmishë, pastaj të rroj edhe unë si njeri duke lagur lugën me ndonjë gjellë e të vete në kafenetë e mëdha si gazetar i një kombi edhe pastaj… pastaj… këtu qëndroi nga hesapet dhe, duke përdredhur mustaqet, buzët i nënqeshën.
Deh! Ishte njeri, edhe i ri, andaj dhe Zotos i fluturoi mendja te syzeza Rozinë!
Do ta bind, tha, me një palë vëthë të artë dhe do të më përgjigjet në dashuri.
Këto mendonte gazetari ynë, e mundet të mos mbaronte nga këto mendime po të mos hapej dita e të zbriste poshtë për të marrë letërshkëmbimet që solli postieri. Midis shumë letrave i jep dhe një të madhe të papaguar, duke i thënë: një frang është taksa e kësaj letre. Fort mirë, thotë Zotoja, duke u kuqur, por s’kam të prishura, t’i jap nesër. Çka të bëjë, përgjigjet postieri, i cili shpresonte të nesërmen ndonjë darovë të motit të ri. Si hyri brenda, ndezi një cigare dhe zuri të hapte letrat në të cilat kishte varur gjithë shpresat. Ç’pandehni se gjeti brenda? Dorëshkrime më mërira të veçantë, vjersha dashurie edhe urime për motin e ri duke e ngritur Zoton gjer në majë të lumturisë!
Po ca nga këto ishin edhe më të çuditshme. Njeri shkruante që të madhonte formën e gazetës edhe ta botojë më dendur, një tjetër e qortonte për programin, një tjetër për shkronjat, kurse një tjetër i shkruante: je një tradhëtor i shitur te të huajt duke marrë nga njëmijë franga në muaj. Vetëm njëri i dërgonte tri franga të pajtimit duke dhënë shpresë se kusurin do t’ia jepte motin tjetër. Ha! Ha! Ia dha të qeshurit Zotoja dhe si ndezi një cigare doli në qytet. I pari kujdes ishte të blente me të tria frangat një jakë e një kravatë, një çapare për kapellën, një bukë e një kokë lakre arme për të ftohur stomakun… (Mihal Grameno)
Në janar 1871, në Korçë lindi shkrimtari dhe luftëtari i lirisë Mihal Grameno.
Si i ri, ai emigroi në Rumani, ku u përfshi në lëvizjen politike, si anëtar dhe sekretar i shoqërisë “Drita”. Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe luftoi me armë në çetën e Çerçiz Topullit.
Për veprimtarinë atdhetare u burgos disa herë nga qeveria osmane. Grameno është një nga themeluesit e gazetarisë shqiptare gjatë kohës së Rilindjes Kombëtare.
Mihal Grameno është një ndër figurat e atdhetarizmit shqiptar, publicist, shkrimtar dhe veprimtar i lëvizjes patriotike e demokratike.
Gjatë viteve 1915-1919 jetoi në Amerikë, punoi për lëvizjen e atdhetarëve shqiptarë të atjeshëm. Më pas vazhdoi veprimtarinë si publicist duke mbrojtur idealet demokratike.
Mihal Grameno është një ndër novelistët e parë të letërsisë sonë. Kështu përmendim novelat e tij “Oxhaku” (1909), “E puthura” dhe “Varri i Pagëzimit”. Shkroi dy veprat: komedinë “Mallkimi i gjuhës shqipe” (1905) dhe dramën historike “Vdekja e Pirros” (1906), që trajtojnë tema patriotike. Gjithashtu, Mihal Grameno drejtoi gazetat “Lidhja orthodhokse” (1909-1910) dhe “Koha” (1911-1926). Vdiq në Korçë, më 13 janar 1931.