Me shfaqje nga institucionet teatrore, krahas projekteve nga skena e pavarur, këtë vit festivali i teatrit vjen online.
Dy institucione teatrore në vend, Teatri Kombëtar dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” po bashkëpunojnë për të sjellë festivalin, por në formatin online, për shkak të situatës.
Në një njoftim nga institucionet thuhet se, ky festival është i hapur për të gjithë teatrot e trevave shqipfolëse. “Ftojmë të gjithë teatrot zyrtarë dhe skenën e pavarur të bëhen pjesë e “Festivalit Mbarëkombëtar Online” dhe t’i bashkohet thirrjes tonë: “Teatri vazhdon”.
Të gjitha shfaqjet do të transmetohen livestreaming në Facebook-un e Teatrit Kombëtar dhe teatrove pjesëmarrëse, duke filluar prej datës 23 shkurt”, – thuhet në njoftimin për festivalin në pritje. Dy institucionet teatrore bëjnë me dije, se ftojnë që të dërgohet shfaqje e regjistruar për ata që do të përfaqësohen në festival, sipas kritereve.
Për “Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit Online” që këtë vit do të zhvillohet për herë të parë, mes kritereve thuhet se shfaqja dhe muzika duhet të kenë të drejtën e autorit. “Shfaqja të jetë e regjistruar në mënyrë profesionale (zëri të jetë i qartë dhe i dëgjueshëm, të jenë 2 ose më shumë plane të shfaqjes). Shfaqja dhe muzika të kenë të drejtën e autorit, në të kundërt Facebook do ta bllokojë transmetimin, për shkelje.
Festivali i vitit 2018
Në 2018 “ArTurbina” hapi dyert për të mirëpritur “Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit”, ngjarja më e rëndësishme teatrore e vitit, ku në datat 23-30 shtator u ngjitën në skenë 14 trupa teatrale nga të gjitha trevat shqiptare. Në 2018, Ministria e Kulturës si dhe Bashkia e Tiranës ishin në ndihmë të këtij festivali, ku shfaqjet për publikun u prezantuan në sallën e madhe të Universitetit të Arteve, si dhe te “ArTurbina”. E para shfaqja e festivalit të vitit 2018 ishe komedia “Tag”, shkruar nga autori i njohur Bashkim Hoxha, me regji nga Andia Xhunga.
Kjo komedi trajton temën e rrjeteve sociale, përkatësisht interaktivitetin në rrjetin social Facebook. Në mënyrë ironike, autori vendos ngjarjet në një fshat, që i ka harruar të gjitha punët dhe është zhytur në Facebook.
Rutinën e një fshati të largët do ta gjallërojë ardhja e papritur e një vizitori nga qyteti.
Pas një keqkuptimi të lindur në Facebook, jeta e tij dhe e gjithë banorëve të fshatit do të marrë një kuptim tjetër. Një komedi keqkuptimesh dhe situatash. Nga vetë titulli, “Tag”, kuptohet që vepra lidhet me rrjetet sociale, që janë kthyer në një virus, pse jo edhe shkatërrues për shoqërinë.
Dramaturgu nxitet nga një shqetësim i të përditshmes për të ndërtuar një vepër, që, nuk të bën vetëm të qeshësh me situatat e krijuara prej ngatërresave e krijuara pikërisht nga komunikimi virtual mes njerëzve, por edhe të reflektosh mbi largësinë shpirtërore që kanë mbjellë rrjetet sociale.
Aktorët: Olta Daku, Gert Ferra, Indrit Çobani, Adelina Muça, Naun Shundi, Mehdi Malka, Rajmonda Bulku, Ardian Cerga, Erjona Kakeli, Besmir Bitraku, Genti Deçka – “Tag” është një nga veprat e lexuara në “Netët e dramës shqipe”, që fitoi të drejtën për t’u ngjitur në skenën e teatrit dhe për të qenë pjesë e repertorit.