MENU
klinika

Çfarë thotë për liberalizimin e vizave?

Hoti premton që këtë vit do të përmbyllet dialogu me Serbinë

04.02.2021 - 14:36

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, njëherit kandidat i LDK-së për kryeministër në zgjedhjet e jashtëzakonshme, gjatë aktivitetit në Istog, ka thënë se ky vit do të mërbyllet me marrëveshje ndërkombëtare, për të përmbyllur procesin e dialogut me Serbinë, që thotë se do të përfundojë me njohje reciproke.

Ai ka thënë po ashtu se ky vit do të përmbyllet edhe me liberalizim të vizave.

“Në momentet kyçe e kemi zgjedhur moton tonë ‘Shteti është Shtet’. Ndryshe nuk shkohet përpara. Kemi ende barrën e konsolidimit plotësisht të shtetit. Kemi projekte të mëdha para. Viti 2021 do të mbyllet me marrëveshje ndërkombëtare, për të përmbyllur procesin e dialogut me Serbinë, për të normalizuar plotësisht marrëdhëniet me fqinjët tanë, me njohje reciproke patjetër. Do të përmbyllet viti 2021 me ndihmën e miqve tanë, familjes tonë politike të Partive Popullore Evropiane, me liberalizim të vizave. Viti 2021 do të mbyllet me projekte të mëdha, që do të nisin edhe nga marrëveshja e Washingtonit dhe plotë projekte tjera, që do të kthejnë Kosovën në nyjë gjeopolitike e gjeostrategjike për rajonin”, ka thënë Hoti.

Hoti ka thënë se partitë rivale nuk po dalin para tyre në debate televizive e as nuk po flasin publikisht për t’i treguar qytetarëve se çfarë do t’i ofrojnë në 4 vitet e ardhshme.

“Asnjë nuk del para jush, para nesh, as në studio televizive, as nuk flasin publikisht, për të treguar se çfarë do t’i ofrojnë qytetarëve të Kosovës në 4 vjetët e ardhshme. Kjo është e qartë nuk kanë asgjë për të ofruar, përveç metaforave e parullave të ndryshme”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se në gjashtë 6-7 muaj qeverisje ka kthyer Kosovën në njëfarë stabiliteti.

“E gjetëm Kosovën të izoluar politikisht e ekonomikisht nga miku më i madh që ka populli shqiptar në Kosovë, SHBA-ja. Pas disa jave ne morëm ftesë për të shkuar në Shtëpi të Bardhë. Atje nuk gjetëm as harta dhe as thika, asnjë gjë. Gjetëm një marrëveshje për të nënshkruar, negociuar e nënshkruar, që fuqizon shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Hoti, që ka deklaruar se nuk njihet për fjalime shumë populliste.

Hoti flet për liberalizimin e vizave më 2021, për qeverisjen e mirë dhe guximin që të tjerët s’e kanë
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti, nuk ka premtuar, por ka thënë se viti 2021 duhet të mbyllet me liberalizim të vizave për Kosovën.

Ai para simpatizantëve të LDK-së në Klinë, tha sot se për këtë punohet ditë e natë.

“Duhet të përmbyllet viti me liberalizim të vizave, nuk japim premtime për data, por ne punojmë ditë e natë me krejt qeveritë e vendeve të BE-së si anëtare te partive popullore evropiane. Dhe t’i kthehemi reformës në arsim, reformave në shëndetësi, reformave në ekonomi… Kemi pasur një qeverisje gjashtë-shtatë mujore ndoshta më të vështirën në periudhën 29-vjeçare për shkak të pandemisë kryesisht, por kemi dalë me rezultate më të mirat që ka pasur ndonjëherë ndonjë qeveri, edhe në menaxhimin e pandemisë, edhe në rimëkëmbjen ekonomike duke u ofruar qytetarëve dhe bizneseve mbështetjen e nevojshme me pakon më të madhe të rimëkëmbjes ekonomike në tërë rajonin”, tha Hoti, përcjell Ksp.

Në Klinë, Hoti ka thënë se dy kryeministrat para tij, “nuk kanë pasur guximin dhe vizionin të përballën me çështje të mëdha dhe t’i dalin në mbrojtje shtetit”.

Në fakt, çështja e liberalizimit të vizave ka vite që përdoret në fushata, tash e 10 vjet, mirëpo kohëve të fundit, nuk është folur shumë për të.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN