Administrata amerikane e Presidentit Joe Biden ka hedhur një hap për të zgjidhur mosmarrëveshjen më të madhe që ka aktualisht me Gjermaninë, për gazsjellësin Nord Stream 2. Një nëpunës i lartë amerikan i tha një gazete gjermane se për Nord Stream 2 “gjermanët duhet të paraqesin një zgjidhje paketë në tryezë”.
Me këtë amerikanët sinjalizojnë se janë të gatshëm të negociojnë për një çështje, tek e cila në SHBA si rrallë herë janë bërë bashkë republikanët dhe demokratët: për ta penguar me çdo mjet përfundimin e gazsjellësit që do të sjellë gaz nga Rusia në Gjermani e Evropë, pasi ai prek interesat e sigurisë të SHBA.
Zgjidhja paketë kupton për amerikanët që ata mund të heqin dorë nga sanksionet ndaj Nord Stream 2 në këmbim të sigurive se me këtë gazsjellës Ukraina nuk do të shkëputet nga tregu evropian i gazit. Si dhe të hapave që do të sigurojnë se varësia e Evropës nga gazi rus të mos bëhet e madhe.
Në këtë kuadër amerikanëve u duket me interes propozimi për një mekanizëm kyçës të gazsjellësit Nord Stream 2. Me këtë mekanizëm do të ndërpritej gazi në Nord Stream 2, në rast se Rusia e vë nën presion Ukrainën duke mos i çuar asaj gaz.
Amerikanët thonë që nga sanksionet do të heqin dorë vetëm po të sigurohen që Rusia nuk do ta përdorë Nord Stream 2 si armë, kundër Ukrainës dhe fqinjëve të tjerë.
Nëse ky mekanizëm është vetëm një mjet impresionues, me të cilin administrata Biden synon të dalë nga mosmarrëveshja e madhe me Gjermaninë duke ruajtur dinjitetin, apo ajo beson vërtet në efektivitetin e tij, kjo ka pak rëndësi. Propozimi nënkupton gjithsesi besim për Gjermaninë, e cila do ta kishte në dorë levën e ndërprerjes së gazit rus, në rast nevoje. Administrata Biden e trajton kështu Gjermaninë si shtet të respektuar, prej të cilit priten vetëm veprime të përgjegjshme. Dhe „një nga miket më të ngushta” të SHBA, siç deklaroi Biden të enjten (04.02.2021) në fjalimin programatik për politikën e jashtme, nuk ndëshkohet me sanksione kur nuk të pëlqejnë veprimet e tij.
Administrata Biden dëshiron të shkëputet nga spiralja e sanksioneve me Gjermaninë. Pasi, sipas medieve, edhe Gjermania e Franca kanë ngritur një grup pune për të shqyrtuar sanksione eventuale ndaj firmave amerikane. Kancelarja Merkel kujtoi në konferencën e shtypit pak javë më parë se ajo do t’i mbrojë interesat e Gjermanisë, në një kohë që Bideni mbron interesat amerikane.
Hapa gjermane për t’i qetësuar kritikët e Nordstream 2
Në fakt qeveria gjermane ka ndërmarrë një sërë hapash për t’u treguar kritikëve se siguria e partnerëve ka rëndësi për të.
Ishte në sajë të këmbënguljes gjermane që në dhjetor 2019 Rusia nënshkroi me Ukrainën një marrëveshje, e cila ka hyrë në fuqi në 1 janar 2020. Kjo marrëveshje e detyron Rusinë që për pesë vjet, ta furnizojë edhe përmes Ukrainës, Evropën me gaz.
Por tani Uashingtoni dëshiron që kjo marrëveshje të rinegociohet për t’i sjellë përfundime më të mira Ukrainës.
Veç marrëveshjes ruso-ukrainase: qeveria gjermane ka hapur rrugën për ndërtimin në Gjermani edhe të dy ose tre terminaleve për gaz të lëngshëm, LNG. Me këtë edhe amerikanët mund të eksportojnë më lehtë gaz të lëngshëm në Gjermani dhe në Evropë. Kjo e ul mundësinë që për amerikanët të mos ketë më vend në tregun evropian të gazit; ajo e vështirëson edhe një varësi potenciale të Evropës nga gazi rus.
Qeveria gjermane ka ndërmarrë edhe hapa të tjerë për t’a siguruar Ukrainën për mbështetjen e saj: këto ditë kanë vendosur kontakte me Berlinin firma ukrainase, të cilët mund ta furnizojnë Evropën me hidrogjen të pastër. Ukraina ka kushte të mira për këtë dhe mund të shfrytëzojë për furnizimin tubacionet ekzistuese të gazit, kur ato nuk përdoren për gaz.
Interesat ekonomike dhe vazhdimi i bashkëpunimit politik
Interesi parësor i Rusisë duket që për eksportin e gazit të saj të shmangë varësinë nga marrëdhëniet me shtetet tranzite. Gazsjellësi ka rëndësi për presidentin Putinin.
Kurse interesi i Gjermanisë është që të ketë qasje të sigurtë direkte në rezervat ruse të gazit. Në plan afatmesëm gazi do të mbetet një lëndë e parë e rëndësishme dhe Gjermania ka pak burime vetjake lëndësh të para. Me këmbënguljen për të mos e braktisur Nord Stream 2, Gjermania mban të zgjatur edhe dorën e bashkëpunimit drejt një shteti të rëndësishëm evropian si Rusia, e cila mundësoi ribashkimin Gjermanisë. Gjermania ka luajtur gjithmonë rolin e urës së mirëkuptimit mes Lindjes dhe Perëndimit.
Qëndrim i diferencuar e jo bardh-e-zi ndaj Rusisë
Njëkohësisht, qeveria gjermane mbështet sanksione kundër Rusisë, kur gjykon që veprimet ruse kalojnë kufijtë. Këtë e theksoi të premten (05.02.) në takimin virtual të Këshillit gjermano-francez të Sigurisë e të Mbrojtjes edhe kancelarja Angela Merkel. Merkeli tha se mund të zgjerohen sanksionet edhe kundër personave në Rusi, për arrestimin e Navalnyt . “Por qëndrimi për Nord Stream 2 hë për hë nuk preket prej tyre”. “Pavarësisht nga të gjitha dallimet (…) është kërkesë strategjike për të qëndruar në dialog me Rusinë për shumë çështje gjeostrategjike”.
Edhe përfaqësues të ekonomisë gjermane deklaruan këto ditë se po të varet çdo herë tregtia nga situata e përgjithshme politike, atëherë investorët nuk do të kenë më siguri për të investuar në BE. Sepse Nord Stream 2 financohet privatisht dhe i respekton ligjet e BE.
Një parje e padiferencuar e marrëdhënieve me Rusinë kundërshtohet rregullisht në Gjermani. Së fundi, kryetari i ri i CDU-së gjermane, Armin Laschet “e dënoi me ashpërsinë më të madhe” në “Frankfurter Allgemeine Zeitung” atentatin ndaj Navalnyt. Por ai kujtoi se gaz nga Rusia do të nevojitet së afërmi në Gjermani. Ndaj ai kërkon që të përfundojë gazsjellësi Nordstream 2.
Ndërsa Norbert Röttgen, politikani i CDU-së dhe kritik i njohur i Nordstream 2 e zbuti të premten (05.02.) kërkesën që NordStream 2 të mos ndërtohet. Ai kërkoi vetëm një moratorium të gazsjellësit “këtë herë jo si sanksion, por si pushim, për të nisur negociata”. Me to sipas tij mund të qetësohen evropianolindorët se Nord Stream 2 nuk do të përdoret si armë kundër tyre.
Kthesë e plotë Francës ndaj Nord Stream 2
Presidenti francez Emmanuel Macron e ndryshoi pa pritur qëndrimin për projektin Nord Stream 2. Ai tha të premten (05.02.) se “në fillim i kam vënë pikëpyetje këtij projekti. Tani e vendosëm. Unë jam plotësisht solidar me të”.
Macroni tha se e kupton që Gjermania ka nevojë për më shumë gaz si teknologji tranzitore se Franca me energjinë e saj atomike. Megjithatë ai ngul këmbë për koordinim të ngushtë mes Gjermanisë e Francës “për këtë projekt që thuajse ka përfunduar”, siç pranoi ai.
Vetëm pak ditë më parë, sekretari francez i shtetit për Evropën, Clément Beaune kishte kërkuar braktisjen e Nord Stream 2. Me Francën largohet nga grupi i kritikëve një nga shtetet e fuqishme të BE. Rezistenca franceze u bë edhe më e pakuptimtë, pas ndryshimit të qëndrimit amerikan.
Veç kësaj Macroni shpreson për një kompromis me Gjermaninë për prodhimin e prototipit të avionit të ardhshëm luftarak evropian New Generation Fighter (NGF). Këtu kancelarja gjermane kërkon “pjesëmarrje në nivel të kënaqshëm të industrisë gjermane”.
Sipas Nord Stream 2, që projekti të përfundojë kanë mbetur vetëm 30 km në ujërat gjermane dhe 120 km në ato daneze. /DW/