Me këtë titull sot e përditshmja franceze “France Football” ka sjellë në vëmendje për opinionin futbolldashës lëvizjen më të bujshme të mundshme në merkato në shekullin e ri. E ardhmja e Lionel Messit mbetet në qendër të vëmendjes.
Javët e fundit thashethemet e kanë afruar “Pleshtin” me Paris Saint Germain. “France Football”, revista prestigjioze franceze që jep “Topin e Artë”, ka arritur deri aty sa ta vendosë “yllin” e Barcelonës në faqen e parë, të veshur me uniformën e PSG-së, me sfond stadiumin “Parc des Princes”.
Tashmë mund të nënshkruajë një marrëveshje me parizienët gjatë muajve të ardhshëm dhe në Francë janë të sigurt se po bëhen të gjitha manovrat për ta bindur atë të pranojë propozimin e Al-Khelaifi. “Asi nën mëngë”, që PSG po përpiqet të luajë, mund të gjendet te disa elementë.
Nga njëra anë ka kolegë si Di Maria, të cilët do të ishin të kënaqur të qëndronin me kampionët e Francës nëse do të vinte Messi, por është edhe Neymar, me të cilin Leo është në kontakt të vazhdueshëm. Sipas “France Football”, braziliani po punon shumë për t’i treguar harmoninë që mbretëron në dhomat e zhveshjes së Parisit.
Nga ana tjetër, është trajneri Mauricio Pochettino, i cili gjithashtu është formuar në shkollën Neëell’s Old Boy dhe që pa dyshim do të ishte i gatshëm të luante të gjitha kartat për të stërvitur një nga futbollistët më të mirë të historisë. Megjithatë, ekziston çështja ekonomike.
Messi ka një kontratë kolosale, me vlerë mbi 70 milionë euro neto në sezon, por duke marrë parasysh moshën e tij (ai do të mbushë 34 vjeç në qershor) dhe krizën ekonomike në mbarë botën e futbollit , ai do të duhet të bëjë kompromis në mënyrë të pashmangshme, qoftë me Barcelonën ashtu edhe me një klub tjetër, nëse do të ndryshojë ambient.
Sipas skenarit të “France Football”, PSG mund të provojë një manovër të stilit “Beckham”, duke ia plotësuar pagën “faraonike” me lloje të tjera shpërblimesh dhe me projekte pas karrierës. E gjitha kjo, natyrisht, nëse Mbappé do të qëndrojë.
Në të kundërt, pra në rast të transferimit të “yllit” francez në një klub tjetër, do të ishte më e lehtë për të përmbushur kërkesat e Leos. Projekti i Pochettinos dhe perspektivat e klubit duhet të ndryshojnë rrënjësisht.