Pas arrestimit në Rusi të opozitarit Navalny, në Gjermani po kërkohet sërish që të ndërpritet ndërtimi i gazsjellësit Nord Stream 2. Ky është mashtrim i rrezikshëm i vetvetes, mendon Roman Goncharenko.
Fati i gazsjellësit Nord Stream 2 është një nga temat që nuk e kanë humbur rëndësinë megjithë rrjedhën e lajmeve për Coronën. Arrestimi i Alexes Navalnit dhe shpërndarja me dhunë e protestave që kërkonin lirimin e tij, e kanë futur këtë temë sërish mbas një pushimi gjashtë mujor në titujt e emisioneve televizive me biseda, Talkshows. Në fund të muajit gusht, shkaku ishte arrestimi i opozitarit rus. Projekti energjetik që është shoqëruar me kontroversa që në fillim të tij, u kthye në shqetësimin kryesor të marrëdhënieve gjermano-ruse. Por a është i gatshëm Berlini të lëshojë pe? Dyshimet për këtë janë të mjaftueshme.
Kritika për gazsjellësin që sjell naftë direkt nga Rusia në Gjermani nëpërmjet Detit Balltik janë bërë qëkurse u nënshkrua kontrata e ndërtimit. Dhe Nord Stream 1 është në funksionim që prej vitit 2011. Por ndalimi i ndërtimit të tubacionit të dytë të çiftit naftësjellës, është kthyer në skenar real që kur SHBA vendosi në vitin 2020 të vendoste sanksione kundër firmave që marrin pjesë në ndërtimin e tij. Ndërhyrja e Uashingtonit e ka frenuar ndjeshëm shtrimin e tubacionit të fundit në bregdetin gjerman.
Pse Gjermania nuk do të heqë dorë nga Nord Stream 2
Tani diskutimet janë shtuar edhe në Gjermani. Sidomos politikanët e “Të Gjelbërve” në opozitë kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të ndërtimit, për shkak të fatit të Navalny-t dhe të të drejtave të njeriut në Rusi. Edhe politikanë të veçantë të partisë në pushtet, Unionit të kristiandemokratëve dhe kristiansocialëve, kanë mbështetur marrjen e masave të forta kundër Moskës.
Qeveria federale reagon ndaj kërkesave të tilla vazhdimisht njësoj duke thënë: Kemi të bëjmë me një projekt ekonomik dhe jo politik. Në një konferencë shtypi me presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarja Angela Merkel tha për të njëqindtën herë se sanksionet kundër Rusisë mund të shtohen për shkak të arrestimit të Navalny-t. Por qëndrimi i saj ndaj Nord Stream 2 vazhdon të mbetet i palëkundshëm.
Kjo “fillimisht” nuk duhet mbivlerësuar. Sepse, për shkak të arsyeve të ndryshme Gjermania nuk mund ta ndalojë ndërtimin e Nord Stream 2. Një hap i tillë do të trondiste sidomos besimin e ekonomisë tek politika, gjë që të dy palët e vlerësojnë si shumë të rëndësishëm. Por, jo vetëm kaq. Berlinit do t’i duhej të paguante dëmshpërblime të mëdha, sepse projekti ka marrë në Gjermani të gjitha lejet e domosdoshme.
Marrëdhëniet e specifike gjermano – ruse
Megjithatë puna nuk është vetëm tek paratë. Një refuzim për përfundimin e Nord Stream 2 do të shkaktonte prishjen e traditës tashmë 50 vjeçare të marrëdhënieve të Gjermanisë me Moskën, jo vetëm në sektorin e energjisë. Hapat radikalë nuk janë pjesë e stilit të diplomacisë gjermane, sidomos me Rusinë, me të cilën Gjermania ka marrëdhënie të veçanta për shkak të ngarkesave të mëdha historike. Frenimi i menjëhershëm i projektit do të bënte po ashtu që Angela Merkel dhe koalicioni i saj qeverisës të humbisnin fytyrën. Ata nuk e kanë vënë në dyshim projektin as pas aneksimit të Krimesë dhe luftës në Ukrainën Lindore, as pas vrasjes së politikanit opozitar rus Boris Nemtsov, ose mbas sulmit të hakerave rus ndaj internetit të parlamentit gjerman, Bundestag.
Dhënia fund e projektit me anë të një vendimi të BE-së, do të kishte qenë për Berlinin mbase rruga e vetme për t’i shpëtuar pagesës së shumave të mëdha të dëmshpërblimit. Sidomos Polonia dhe Republikat Baltike e preferojnë shumë një gjë të tillë. Por, nuk është e sigurt se BE do ishte unanime për këtë. Sepse, zgjatja e sanksioneve jo shumë të ashpra që BE ka vendosur kundër Rusisë për shkak të trajtimit që i bën Ukrainës, nuk ka marrë shumicën prej vendeve si Italia ose Austria. Sidoqoftë, Brukseli nuk e ka me ngut futjen e kësaj teme në axhendë dhe ka arsye të forta për këtë gjë.
Nuk është e udhës të bëhen kërcënime boshe
Prandaj, të gjitha diskutimet për t’i dhënë fund Nord Stream 2 janë si të mashtrosh vetveten. Kërkesat për të ndaluar ndërtimin e gazsjellësit gati të përfunduar janë fjalë që i merr era, sepse nuk mund të zbatohen. Dhe tregojnë para Kremlinit dobësinë e Gjermanisë dhe Europës. Kjo ka dëmtuar tashmë imazhin. Si rezultat, apelet iluzionare kanë efekt të kundërt: Ato forcojnë presidentin rus Vladimir Putin kundrejt BE-së dhe kundrejt komunitetit ndërkombëtar. Sipas motos: Shikoni çfarë ndodh! Europa nuk mund të bëjë asnjë gjë!
Duke pasur parasysh këtë, nuk është çudi që kryediplomati i BE-së, Josep Borrell u poshtërua kur pikërisht gjatë vizitës së tij në Moskë, u njoftua dëbimi i tre diplomatëve europianë, mes tyre edhe një gjerman.
Sinjale që kuptohen nga Moska
Si pasojë, ajo që duhet bërë nuk është ndalimi i ndërtimit të Nord Stream 2, por ndalimi i kërcënimeve boshe. Një recetë e moçme diplomatike e suksesshme thotë, se kërcënimet duhen bërë për ato gjëra, të cilat je i gatshëm edhe t’i vësh në jetë.
Sepse hapësira për sanksione kundër Rusisë është e vogël dhe politikanët me përvojë e dinë mirë këtë. Kjo hapësirë është zvogëluar edhe më shumë për shkak të kushteve të pandemisë. Kjo nuk do të thotë se Berlini nuk ka çfarë t’i thotë Moskës, si për trajtimin e opozitarëve në Rusi ashtu edhe për shkeljen e të drejtave të njeriut ose shkeljet e së drejtës ndërkombëtare.
Nga e kaluara e afërt mund të kujtohen si dëbimet e diplomatëve pas helmimit të ish-agjentit të dyfishtë Sergej Skripal dhe së bijës në Britaninë e Madhe, ashtu edhe sanksionet ekonomike pas goditjes së avionit MH17 mbi Ukrainën Lindore. Sinjale të tilla Moska i kupton mirë: Më mirë se sa kërcënimet boshe, për ndalimin e ndërtimit të Nord Stream 2./dw