MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Jam shtatzënë dhe alergjike. Çfarë mund të përdor?

18.02.2021 - 08:44

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacientja: Jam shtatzënë dhe alergjike. Çfarë mund të përdor?

Mjeku: Fillimisht, mundohuni të mësoni se çfarë ju bën alergji dhe shmangni ekspozimin ndaj gjithçkaje që jua shkakton atë. Në përgjithësi, disa nga barnat më të zakonshëm për trajtimin e alergjive, përfshirë antihistaminat dhe kongjestionuesit, nuk rekomandohen të përdoren gjatë shtatzënisë. Më poshtë, mund të gjeni disa mënyra për të parandaluar rrjedhjen e hundëve dhe simptomat e tjera:

Përdorni kromolinën. Kromolina (NasalCrom), një spraj për hundët që jepet pa recetë, zbut pezmatimin. Është shumë efikas për mjekimin e alergjive dhe shpesh është alternativa më e mirë për gratë shtatzëna që kanë alergji të lehta.

Shpëlani kanalet e hundës. Tretni 1/4 lugë çaji kripë në një filxhan me ujë të ngrohtë. Hidheni tretësirën në një shiringë të madhe. Përkuluni mbi lavaman, duke e mbajtur kokën poshtë dhe të kthyer pak anash. Futeni shiringën në njërën vrimë të hundës, ndërkohë që vrimën tjetër mbajeni të mbyllur me gisht.

Shtypeni shiringën. Tretësira do të kalojë përmes kanaleve të hundës e do të përfundojë në gojë. Pështyni dhe shfryni hundët. Kthejeni kokën nga ana tjetër dhe përsëritni të njëjtin veprim. Këtë gjë bëjeni disa herë në ditë.

Thithni avullin që krijohet gjatë dushit apo nga një pajisje që krijon lagështirë. Bëni kujdes që pajisja e lagështirës të jetë e pastër nga bakteret.

Masazhoni me gishta sinuset. Kjo gjë ndihmon në qetësimin e sinuseve. Nëse keni simptoma më të rënda dhe këshillat e mësipërme nuk kanë rezultat, konsultohuni me mjekun.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim