MENU
klinika

Rënia e trajnerit portugez

Mourinho, kurrë kaq keq në 50 ndeshjet e para

23.02.2021 - 13:38

Humbja e derbit ndaj West Ham ka shtuar presionin te trajneri i Tottenham Hotspur, Jose Mourinho. Pesë humbje në gjashtë ndeshjet e fundit kanë ulur ritmin e skuadrës londineze, që pak nga pak po largohet nga objektivat e fillim-sezonit.

Përballja me West Ham ishte e 50-a për Jose Mourinhon në Premier League angleze në krye të skuadrës së Tottenham, duke regjistruar edhe kuotën e pikëve më të ulëta në gjithë karrierën e tij si trajner profesionist.

Në këtë periudhë kohore, portugezi ka marrë vetëm 81 pikë, duke qenë sezoni më i dobët për Mourinhon. Kur trajneri portugez mori drejtimin e Chelsea në vitin 2004, blutë grumbulluan 126 pikë në 50 ndeshjet e tij të para, që është edhe kulmi i pikëve.

Kjo është 45 pikë më shumë se sa ai ka arritur në të njëjtën fazë në krye të “gjelave”. Kjo formë e Tottenham është më e dobët se ajo e Manchester United nën drejtimin e Mourinhos në 50 sfidat e para të portugezit.

Në stolin e “Djajve të Kuq”, Portugezi mori 95 pikë, ose e thënë ndryshe 1.9 pikë për ndeshje, ndërsa kjo mesatare në stolin e Tottenham është vetëm 1.62 pikë. Edhe me Porton, në 50 ndeshjet e para, Mourinho mori shumë, plot 124, ecuria e dytë më e mirë personale.

Vetëm 1 pikë më pak mori trajneri portugez kur drejtoi Real Madrid në 50 ndeshjet e para. Edhe me Interin pati ecuri fantastike, pasi mori 113 pikë dhe në fund fitoi titullin. E thënë me pak fjalë, rendimenti i Mourinhos ka rënë dukshëm me dy skuadrat e fundit, por sidomos me Tottenham.