MENU
klinika

Nga Skënder Minxhozi

Kur të huajt ngatërrohen nëpër kallamishtet shqiptare

10.03.2021 - 18:10

Nuk duhet vënë në dyshim se ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim ka një vullnet të artikuluar herët, ashtu si edhe paraardhësit e saj, për të penguar hyrjen në podiumin e politikës shqiptare të elementeve me të shkuar kriminale. Është angazhuar në mënyrë të lavdërueshme në këtë drejtim dhe shpresojmë që këmbëngulja e saj të prodhojë një mjedis më të pastruar politik nga këto elementë, pas 25 prillit.

Megjithatë duhet vënë re se në sjelljen publike të zonjës Kim ndaj argumentit në fjalë, ka në mënyrë objektive, aspekte pak të qarta e që lidhen me natyrën e vetë problemit. Me fjalë të tjera, Shqipëria e vitit 2021, më saktë klasa e saj politike, gëlon nën peshën e një numri të frikshëm burrash me të shkuar problematike, por që kanë në dorë vula, firma, kompetenca e detyra të larta politike ose institucionale dhe që janë të mbuluar nga imuniteti i politikanit.

Në këtë kallamishte shqiptare duket se po ngatërrohet edhe ambasadorja Kim në këtë prag zgjedhjesh. Konkretisht flitet për kandidimin e Tom Doshit në garë, a thua se mbeti të hiqet ky person nga skena, për të marrë frymë lirisht si shoqëri, nga ministrat, ish-ministrat, shtetarët e ish-shtetarët mashtrues e të korruptuar të këtij vendi.

Në 11 shkurt, pra një muaj më parë, zonja Kim deklaronte pas një takimi me Edi Ramën, në lidhje me Doshin, se “më lejoni t’i jap fund spekulimeve: Kryeministri Edi Rama dhe unë kemi një mirëkuptim mbi atë çka nënkupton ky vendim (shpallja non grata). Në fakt, Kryeministri më kujtoi se ai e ka përjashtuar personalisht këtë person (Tom Doshin) nga PS. Ai theksoi se ky person s’mund të ketë asnjë rol në asnjë qeveri që ai formon”.

Pra, me fjalë të tjera, ambasada e SHBA, me gojën e ambasadores Kim, i hapi de facto rrugën Tom Doshit për në Parlament, pasi dha indikacionin se çfarë postesh duhej t’i ndaloheshin atij. Deputet po, ministër jo! Këto fjalë e thartuan jo pak kampin opozitar në ato orë. Këtë qëndrim e konfirmoi në ato orë indirekt edhe kreu i KQZ Celibashi, i cili u shpreh në lidhje me kandidimin e Doshit, se këtë gjë e ka rregulluar më së miri legjislacioni në fuqi.

Sot, një muaj më pas, ky pozicion i diplomates së lartë amerikane duket se ka evoluar. Pa i përmendur emrin, ajo shprehet se edhe pse Doshi nuk është i dënuar, ka prova për fajësinë e tij, prandaj ai duhet të skualifikohet nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

Është pak të thuash se ky përcaktim i ri, jo për Doshin, po për procedurën e regjistrimit në garën elektorale, le hapur një precedent të rrezikshëm e që mund të prekë të gjithë klasën politike shqiptare. Përtej faktit që ky lloj selektimi përbën shkelje kushtetuese, me kriterin e largimit nga zgjedhjet të të padënuarit, që ka mbi shpinë prova, ose edhe dyshime, perceptime apo informacione të pakonfirmuara, i bie që Kuvendi i ri të mos ketë brenda më shumë se 20 apo 30 deputetë pas 25 prillit.

Përgjegjësit e Rrugës së Kombit, Gërdecit, 21 janarit, koncesioneve, tenderave, PPP-ve e gjithfarë zullumesh të 30 viteve të fundit, janë palë-palë nëpër listat partiake që sapo pamë, e kanë marrë rrugën të pashqetësuar drejt zonave ku kandidojnë. Nëse për të gjithë këta ka indikacione, por jo dënime gjykatash, do të thotë se ata formalisht janë të lirë të garojnë, e këtu fati i Tom Doshit është vetëm një grimcë e parëndësishme e ekuacionit të (mos)pastrimit të politikës nga krimi e korrupsioni.

Nuk ka sens të përmenden, nga ana tjetër, shifra personash të veshur më pushtet, të skeduar nga SHBA, por pa dhënë emrat e tyre. Nëse amerikanët duan ta pastrojnë vërtetë politikën shqiptare, është momenti që më në fund të flasin hapur për sa dinë rreth bëmave të saj. Deklarata me simbole e fjalë të tërthorta nuk i duhen askujt dhe vetëm sa shtojnë mjegullën.

SHBA e kemi pranuar si arbitrin suprem të punëve në Shqipëri, por kur edhe vetë arbitri ngatërrohet nëpër kallamishtet e batakut politik shqiptar, konfuzioni shtohet, në vend që të davaritet.

Sepse fjala vjen, në rast se i rrimë kriterit të ri të evitimit nga gara të atyre që s’janë dënuar, por për të cilët ka prova, a nuk duhet që kandidati numër pesë në listën e PD për Tiranën, i cili ka pohuar disa herë publikisht se ka penguar prokurorinë shqiptare në vitin 2011 që të arrestojë gjashtë gardistë të akuzuar për vrasje, të ç’regjistrohet urgjentisht nga KQZ, për kryerje të një vepre penale?!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Kur vihen afatet, kushtet shkelen”

Minxhozi: Sfida që ka përpara Gjykata Kushtetuese


Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin