MENU
klinika

Nga Mustafa Nano

Koalicioni PS-PD është një opsion. Por edhe destabilizimi, gjithashtu

13.03.2021 - 20:06

Unë sapo kam nisur një program të ri televiziv. Me titullin “Arnautistan”. Në një televizion të ri, MCN TV. Dhe të premten, pasi ndoqa raportimet mbi atë që ndodhi në një zyrë të FRPD-së, më shkoi mendja t’i bëja një ftesë presidentit të Republikës, që ishte strumbullari i asaj ngjarjeje, të cilën nuk na e kishin parë sytë ndonjëherë. Zakonisht, presidentin as e ftoj, as më vjen, por atë ditë edhe unë kisha dëshirë ta kisha në studio, edhe ai – kështu mendova – do kishte motiv të vinte, në mos për tjetër, të paktën për të shpjeguar e justifikuar rolin që luajti në atë shfaqje, të cilën, nëse mbetet e pashpjeguar, mbetet ta marrim ashtu si na erdhi nëpërmjet ekraneve të televizorëve: e turpshme, rrugaçërore, e çmendur. Por nuk ma pranoi ftesën.

Me siguri, nuk ka pasur se ç’të thotë. Po të kishte, do kishte shkuar edhe diku tjetër. Opsioni më i mirë atë ditë do ishte “Zona e Lirë” (meqë ra fjala, presidenti ishte një natë më parë në programin e Ylli Rakipit, ku ishte edhe Arian Çani, i cili gjatë gjithë kohës i drejtohej në njëjës, dhe me thirrjet “O Ilir”, ose “O Meta”. Ndërsa në një moment, dialogu mes të dyve mori formën: “Çani: Po ti Ilir, mendon se bota pjerdh për ty?” “Presidenti: Bota do pjerdhë për popullin e shqiponjave.”)

Çfarë po ndodh me Metën? Ai beson se ka një komplot kundër tij. Dhe nuk ka hall komplotin e ndërkombëtarëve. Këta të fundit është e qartë që i ka kundër (është pak e çuditshme, në fakt, pse Ilir Meta ua shpif të gjithë ndërkombëtarëve, pa asnjë përjashtim), por atyre nuk ka se ç’tu bëjë. Halli i tij është me komplotin e brendshëm që synon “ta çojë LSI-në për skrap”. Flitet për një Grand Koalicion midis PS-së e PD-së që do të bëhet pas zgjedhjeve, por ndërsa të gjithë kanë pikëpyetjet e tyre mbi vërtetësinë e këtij plani, Ilir Meta duket se është i sigurt që ky plan ekziston.

Mua personalisht ma bën të besueshëm këtë skenar vetë Meta. Nervozizmi i tij është prova e vetme që kam. Grand Koalicioni, nëse bëhet, do t’i japë goditjen vdekjeprurëse LSI-së, që ndërkohë do ketë dalë e dhjetuar prej zgjedhjeve të 25 prillit. Plani për të ikur nga Presidenca dhe për t’u vënë në krye të popullit opozitar pas këtyre zgjedhjeve është gjëja më inteligjente që truri i tij ka prodhuar ndonjëherë. Nëse opozita humbet dhe Edi Rama mbetet në pushtet (pa Grand Koalicion), Meta do ta ketë të lehtë ta realizojë këtë plan. Basha nuk mund të qëndrojë më në krye të PD-së. Do të ishte Berisha vetë që do t’i bënte dalje këtë herë.

Përveç kësaj, Berisha e ka treguar simpatinë e tij për Metën. Ata janë dy miq për kokë në këto kohë. Ngjajnë shumë me sho-shoqin. Sikur të mos e dija që Berisha ka lindur në Viçidol, do të vija dorën në zjarr se ka lindur në Çepan. Dhe anasjelltas. Por edhe sikur të mos ngjanin, ata janë miq nga halli. Ka njerëz që e zvogëlojnë rëndësinë e miqësisë nga halli, por e kanë gabim. Miqësia nga halli qëllon që është më e forta që mund të ekzistojë. Sidomos kur halli nuk ka të sosur, siç është në rastin e këtyre të dyve.

Gjërat ngatërrohen në rast se në datën 26 prill shpallet Grand Koalicioni. Në këtë rast, LSI-ja mbetet në opozitë. E vetme. Për çdo parti tjetër, të qenit e vetme në opozitë do të ishte një ngjarje fatlume, pasi kjo do t’i jepte shansin të bëhej një parti (më) e madhe. Por LSI-ja nuk është si çdo parti tjetër. Asaj nuk i pret puna. Ajo i do gjërat të ndodhin këtu, tani, menjëherë. Lëre pastaj, që ajo i ka mësuar njerëzit se është një parti praktike, një parti pushteti. Askush nuk e sheh Ilir Metën si një udhëheqës kombëtar opozitar që mund të mbledhë potencialisht rreth vetes gjysmën e kombit politik.

Prandaj ai, edhe i vetëm në opozitë, do të mbetej me po atë LSI që do t’i mbijetonte 25 prillit. Shkurt, Grand Koalicioni PS-PD është si lajmërim vdekje për partinë e tij. Por për fatin e mirë të Metës, koalicioni PS-PD nuk i pëlqen as Berishës. Ky i fundit, për shkak të këtij koalicioni, do të mbetej në rastin më të mirë pa ndonjë rol në politikë, e në rastin më të keq i kërcënuar dhe i rrezikuar (gjithnjë, nëse ky koalicion inkurajohet nga të huajt, me shpresën për të minimizuar peshën e dyshes Meta-Berisha, ndoshta edhe duke i çuar një ditë në sallën e gjyqit).

Berisha, në fakt, është i vetmi që mund ta pengojë Grand Koalicionin. Para dy ditësh, ai u shfaq në një televizion pikërisht për këtë qëllim. “Nuk ka për të pasur kurrë koalicion midis PS-së e PD-së,” deklaroi. Ishte një sinjal për Bashën. I shkreti Basha! Nuk di nga t’ia mbajë. Po fitoi (gjë me shumë pak gjasa), nuk ka për ta shijuar. Do të jetë prore nën hyqmin e mentorit. Po humbi, do t’i duhet të largohet nga politika. E vetmja zgjidhje për të do të ishte Grand Koalicioni, që do ta prishte njëherë e mirë me Berishën.

Të shumtët e demokratëve nga ana tjetër do t’i shkonin pas, me siguri. Do të shkonin pas zyrave e posteve. Mirëpo, ky është një vendim i fortë. Si zor që Basha ta marrë këtë vendim. Ai nuk ka këllqe të marrë vendime kaq të forta. Dhe kuptohet, me përkufizim, vendim i fortë për Bashën është ai vendim që nuk miratohet nga Berisha. Ai nuk ka marrë asnjëherë një vendim kaq të fortë. Por Berisha (edhe Meta, sigurisht) nuk i zënë besë. Kanë frikë se ai mund të kandiset nga të huajt, që i pëshpëritin në vesh vazhdimisht se vetëm Grand Koalicioni e mban gjallë në politikë, dhe e bën kryetar de facto të partisë së tij.

Kjo është arsyeja pse Berisha e Meta janë bërë nervozë. Është hera e parë që këta të dy i kanë gjërat disi janë kontrollit. Dhe nuk duhet përjashtuar që shpëtimin ta shohin te ndezja e situatës. Deri në zgjedhje do shpikin vazhdimisht “zyra FRPD-je”, mbi të cilat do të ngrenë shqetësimin madhor të dhunimit të opozitës, për të arritur deri më 25 prill, kur do të flasin për dhunë policore e për banditë që blejnë vota, kur do të fotografojnë Gjushin me Milva Ekonomin, apo Ilir Beqajn me Tom Doshin, duke pirë kafe respektivisht në Durrës e Shkodër etj., etj. Nuk kanë zgjidhje tjetër.

E kanë fare të lehtë t’i thonë Bashës pas zgjedhjeve “ik tani, bëhu def!”, e për rrjedhojë të ndërtojnë një opozitë me Metën në krye. Sipas shumë gjasash, këtë kanë për të bërë. PD-ja do të bashkohet me LSI-në. Por mbetet dyshimi i fortë te të gjithë, sidomos te demokratët, se nuk mund të shkohet asgjëkund me një opozitë të lënë në dorë të një njeriu, e vetmja kartë e të cilit ka mbetur “ta mbrojmë vendin prej komplotistëve ndërkombëtarë, që kanë rekrutuar Edi Ramën si agjent të tyrin në Shqipëri, nëpërmjet të cilit duan t’i bëjnë varrin vendit tonë”. Këtë tezë të fundit, Meta e përsëriti në programin “Të paekspozuarit”. Logjika e tij të linte pa fjalë. Po ua sjell me fjalët e mia thelbin e asaj që tha: “Edi Rama është bërë ministër nëpërmjet një telefonate. Ishte në Paris kur e morën në telefon. Ishte viti 1998. Kush me kë folën në telefon? Nuk ua them këtë gjë sot. Do ta them në kohën e duhur. Por ta dini, që aty zë fill përbetimi i madh kundër Shqipërisë.

Ai u bë ministër, dhe çdo gjë që ka ndodhur më pas, ka ndjekur një skenar të shkruar nga të huajt. Jo më kot u bë kryetar bashkie. Jo më kot Fatos Nano dha dorëheqjen. Nuk ishte rastësi që u bë kryetar i PS-së e kryeministër. Ishte e gjitha e kopsitur. Po teza për t’ia dhënë Serbisë gjysmën e Kosovës, ashtu kot u hodh? Jo, nuk ka asgjë kot. Është një komplot antishqiptar, ku janë përfshirë shumë njerëz e shumë qeveri, të perëndimit e të lindjes, të cilët po përdorin mashën e tyre, Edi Ramën, që është Esad Toptani i shekullit XXI. Dhe unë nuk mund të bëj sehir se si ky komplot vihet në jetë. Unë nuk mund të lejoj që vendi im të poshtërohet e shkatërrohet në këtë farë feje. Unë do t’i dal zot vendit. Sepse nuk jam sorrë. Jam shqiponjë.”

Ju me siguri mendoni se unë po bëj shaka. Nuk po bëj shaka. Ky ishte thelbi i asaj që Ilir Meta deklaroi. Unë e lidh këtë shfaqje të tijën me një plan destabizilimi të vendit, të cilin, më shumë e kam si të vetmin shpjegim të asaj që po ndodh para syve tanë, sesa e besoj. Me fjalë të tjera, Meta e Berisha (i pari me funksionin dhe i dyti me potencialin) janë duke përgatitur një kontekst, klimë apo frymë, që do t’u lipsen nesër, për të legjitimuar aksionin destabilizues. Sepse ndryshe do t’i binte që destabilizimi të lindte nga hiçi. Shpresojnë se Basha nuk ka nga t’ia mbajë. Do të bëjë lojën e tyre, siç ka bërë deri më sot. Siç bëri edhe të premten. Ju kujtohet? Meta, teksa ishte duke nxjerrë dufin në zyrën e FRPD-së, mes të tjerash lëshoi edhe këtë ulërimë: “Ku është opozita? Ajo duhet të jetë këtu.” Dy a tri orë më pas, Basha u pa atje, për të recituar shqetësimin prej dhunës së pushtetit e për të grisur shkresën e policisë bashkiake para kamerave.

Deri në ditën e zgjedhjeve, pyetja në kokën e Berishës e të Metës do të jetë vetëm kjo: “Lojën e kujt do të bëjë Lulzim Basha? Të vetën apo të tyren?” Kjo pyetje ndërkohë bëhet edhe nga shumë të tjerë. Por unë e kam përgjigjen. Lulzim Basha ka për të mbetur ai që ka qenë, një idiot i dobishëm. Prandaj, duhet të përgatitemi për versionin e destabilizimit. Gjithnjë, nëse opozita humbet zgjedhjet.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Duhet të futet në binarë”

Mustafa Nano: Ilir Meta flet kodra pas bregut


Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin