Pas bluzave të bardha nis vaksinimi i të moshuarve dhe mësuesve në Korçë. Raportohet se në Korçë kanë mbërritur mbi 2 mijë doza të vaksinës Astra Zeneca me të cilat do të vaksinohen të moshuarit mbi 80 vjeç dhe mësuesit.
Procesi i vaksinimit në Korçë po bëhet në qendrën e ngritur tek ish-shtëpia e oficerëve.
Po kështu ka nisur procesi i vaksinimit të mësueseve në qytetin e Pogradecit me vaksinën Astra Zeneca, procesi ka nisur fillimisht në dy shkolla 9-vjeçare të qytetit. Në total në rrethin e Pogradecit janë rreth 1200 vaksina që do të aplikohen në mësuesit e sistemit parashkollor, 9-vjeçar dhe të mesëm bashkë me stafet mbështetëse.
Procesi i vaksinimit të mësuesve ka nisur edhe në Bilisht ku di të vaksinohen 250 mësues. Një 93-vjeçar mes të moshuarve që prisnin të merrnin vaksinën deklaroi se nuk ka frikë dhe se duhet bërë patjetër.
“Për vaksinën kam ardhur, jam 93 vjeç. Diabetin e kam 30 vjet, por e kam stabilizuar. Pse mos e konsideroj mënyrën e vetme për t’u mbrojtur nga COVID-i. Pse të kem frikë kur përpara e kanë bërë ministra, kryeministra, presidenti, ç’frikë do kem unë 93 vjeç jam. Nga mjeku i familjes jam lajmëruar. Duhet ta bëjmë dhe fëmijët që i kam jashtë gjithnjë më marrin në telefon e bëre babi. Shteti nuk ka interes të të bëjë një gjilpërë që të vdesësh”, deklaroi ai.
Të parët që u vaksinuan në qarkun e Korçës ishin 1330 bluza të bardha.