MENU
klinika

Nga Pëllumb Kulla

Jemi të lirë? Eja, flasim hapur: Një replikë me Bozon e Tarifën, për të “mirat” e Enverit

19.03.2021 - 21:03

Nga Pëllumb Kulla*

Nuk mund të mos ishte një Tarifë që të dilte mbrojtës në qortimin që po i bëhet nostalgjisë enveriane të zonjës Luljeta Bozo, e cila ca ditë më parë tha se jeta e shqiptarëve nën diktaturën e Enver Hoxhës kishte më shumë të mira se sa të liga!

Zonja që kryeson kandidaturat socialiste në Tiranë nuk u mjaftua p.sh të thoshte se ajo kohë kishte edhe të mira, gjë që mund ta them edhe unë. Ajo i vuri në balancë. Dhe të mirat sipas saj, predominonin ku e ku!

Të gjithë kemi nostalgji për vitet e rinisë por unë ndryshe nga zonja Bozo nuk ia atribuoj atë të mirë Enverit.

Zoti Fatos Tarifa nxiton ta mbështesë inxhinjeren e moshuar por dua t’i kujtoj atij, se nuk kemi asnjë faj teksa nuk zgjedhim se ku i hapim sytë kur vijmë në këtë jetë, dhe zotëria i ka hapur të tijtë bash në shtëpinë e sekretarit personal të diktatorit!

Jo, jo, më ruajttë Zoti që detyrohem të përdor silin enverian të fajësimit të bebeve për shkak të prindërve. Bile nxitoj të them se me aq njohje sa kam me zotin Fatos, ruaj respektin që i takon. Vetëm nënvizoj, ama, se nuk duhet të ishte ai mbrojtësi më i mirë i zonjës kandidate.

Ai bile hartoi në ndihmë të saj listën e të mirave, mposhtjen e analfabetizmit të trashëguar, industrializimin e vendit…

Të dy me zonjën që na ndolli në këtë debat mendojnë se ato janë më me peshë, se përdhosja e virtuteve më të mira të shqiptarëve; zëvendësimi i besës me pabesinë, që po e trashëgojmë dhe në këtë tranzicion të pështirë; ndarja në klasa dhe lufta e pabarabartë mes tyre; gojëkyçja e detyruar; gjenocidi, burgjet, internimet dhe telat me gjemba, me të cilët rrethuan literalisht tërë territorin e republikës…

Ose së paku le të përmendin vetëm emrin e një vendi fatzi, që në atë vit të shëmbjes të regjimeve diktatorialë në kontinent, renditej më poshtë se Shqipëria!

Jo shumë! Vetëm një! Dhe do t’ua quaja “të mirë” dhe do të më mjaftonte të bashkohesha me Tarifën dhe zonjën Bozo.

Dua ta citoj profesorin, për të prishur syrin e keq dhe për të treguar se megjithatë e gjej njëzë të vërtetë në diskurin e tij:

“Sot jetojmë, në një shoqëri të lirë,” shkruan zoti Tarifa, “në të cilën njerëzit, nuk mund të pengohen më të shprehin hapur bindjet dhe mendimet e tyre dhe nuk dënohen nëse e bëjnë këtë. Ky është mësimi i parë dhe më i rëndësishmi që demokracia na ka mësuar.”

Zonja Bozo është e lirë thotë se PËR TË ajo kohë pat më shumë të mira dhe ajo ishte më e lumtur atëherë, se sa sot kur e caktojnë të jetë në vëndin më të lartë të vlerësimit dhe në krye të listës së njerëzve që me siguri do të hyjnë triumfalisht në portat e kuvendit të shqiptarëve.

Por edhe unë jam po aq i lire, të them, se ajo zonjë na zhgënjeu. Kërkoj lejën ta quaj të papërshtatëshme dhe rrjedhimisht as të aftë për të përfaqësuar shqiptarë të shumtë në parlamentin e tyre.

Ajo nuk gënjen që ka parë shumë të mira, por nuk duhet ta thoshte këtë pohim të sinqertë, aq më tepër që nuk ia kërkoi njeri(!), që të mos rrezikonte fushatën ku është thirrur. Sepse janë të shumtë shqiptarët që nuk mendojnë si ajo dhe këtë ajo sëpaku duhet ta dinte.

Thonë se ajo ka merita të shumta në fushën e saj është një zonjë me dinjitet dhe prandaj e meritoi apelin që të përfaqësojë. Më vjen mire, por më duket se ajo nuk përfaqëson dot.

Unë jam i lirë të them se kryetari i maxhorancës nuk është aq i lirë, saç jemi unë dhe zonja Bozo, që po themi ca gjera që nuk duhen thënë. Po të qe i lirë zoti Rama, do të duhej të thoshte se ka gabuar në këtë zgjedhje, ashtu si pat gabuar edhe më shumë në zgjedhjen e njeriut që po përdhos qyrkun e të parit të vendit.

Unë jam i lirë të them se megjithatë do të votoj pa asnjë lëkundje për socialistët dhe për zotin Rama. E di që mund të duket një paradoks por ja, ai truall po mban mbi shpinë mijëra paradokse kësisoj. Dhe ky nuk i imi është i vetmi.

Unë e çmoj mjaft të parin e socialistëve, ka patur të parreshtur simpatinë time dhe jam shprehur hapur si për anët e mira ashtu dhe për ato të këqiat që shikoj në rrugëtimin e tij. E vlerësoj punën e tij të palodhur, përballimin mbinjerëzor të dy fatkeqësive natyrore të viteve të fundit.

Se jam i lirë të them që dhe në këtë hapësirë tridhjetëvjeçare kur ne vuajtëm zbatimin e projektit katovician të R. Alisë, ku edhe Rama mori me vonesë njërin nga rolet kryesorë me të cilin u gjend mes të ngarkuarve të vërtetë, dhe ka edhe ai përgjegjësitë e tij.

Duke thënë që votoj për Ramën, janë të shumtë ata që do nxitonin të më kujtojnë, se unë duhet të isha i prirur diku tjetër.

Jo, miqtë e mij, jam prirur drejt.

Dhe ata që përdorin akoma termat demokrat, socialist, legalist, republikan, i djathtë dhe i majtë, duhet më në fund të ishin lodhur me këto terma të paqëndrueshme dreqi ta marë!

Por nuk qënka lodhur as profesor Tarifa, që përdor termin antikomunist! Në atë vend nuk ka antikomunistë, more zotëri, se nuk ka pasur kurrë komunistë! Përdore, diç Zotin, cilësorin enverist, që të pranosh se artikullin tënd ti nuk e kishe kundër kujt tjetër, veçse kundër antienveristëve!

Enveri nuk ka qenë as i majtë dhe as i djathtë. Ai ishte thjesht i envertë. Enver Hoxhës o profesor, nuk i gjen të dytë në histori. Ai ishte një burrë shteti përherë shtatzënë. Dhe deri sa mbylli sytë nuk pushoi së pjelluri tradhtarët e vet.

Dhe lere pastaj që këtij përcaktimit tim metaforik, nuk i hyjnë dot ta kundërshtojnë as Tarifat, as Bozot, as Kapot, as Gjonat, as Neshot, as Ballukët dhe janë me mijëra e qindramijëra gojërat e qepura në të gjitha partitë. Megjithë lirinë, që kjo demokraci ua dha të shqepen!

Dhe unë tani nuk e them dot se në cilën parcelë të politikës shqiptare ka më shumë enveristë, apo më shumë hajdutë të pandëshkuar.

Tre katër vjet para viteve 90 kur do të vendosnit të përmbysnit parajsën tuaj dhe të zonjës Bozo, për një hile që nuk i kalonte dhjetëmijë dollarët, pat qenë pushkatuar artisti Gaspër Çurçija!

Kjo bandë karkalecash që delegoi pastaj Hoxhalia në arat me grurë të Shqipërisë, si akt të parë ligjor hoqi dënimin me vdekje, sikurse veprohet me vënien e sigurecës një arme, që të mos të të vrasë kurrë.

Banditët firmosën solemnisht aktin, u siguruan nga pushkatimi që i bënë Çurçisë, përveshën mëngët dhe filluan kusarinë legjendare të tranzicionit.

U zgjata në kuadrin e një fushate për t’i shpjeguar “antikomunistëve të mi” preferencën për të votuar, siç janë të ftuar dhe të detyruar gjithë shqiptarët e pakënaqur në këto përplasje elektorale. Se edhe tema e lumturisë së kryekandidates së Ramës, në këtë atmosferë u ndez.

Pra pa ekuivok unë paradoksalisht do të votoj për ju zonja Bozo, sepse në atë organizatë politike megjithë mëkatet që i faturohen njoh dhe shoh plot individë, burra dhe gra, që kanë ambicje të bukur dhe mund të bëjnë diçka për këtë vend!

Në listat e zotit Rama ka individë që fajësohen për përvetësime dhe akte korruptive dhe unë do t’i dënoja megjithë ashkun e shpirtit, po të mos ishin fantazi të pavërtetuara publikisht, siç të tmerrojnë ca kandidatë në listat përballë të cilëve nuk u listohen aspak si fantazira, tmerret me vjedhet e thesarëve dhe bankës qendrore, katastrofa e Gërdecit dhe fishekët kinezë në kartonët shqiptarë, vrasje dhe zhdukje makabre, dhe sidomos-sidomos, ata vite të përcjelljes së përditëshme të karburantit në cisternat tejembanë Jugosllavisë, në shkelje të embargos të OKB-së. Dhe kjo përbën pabesinë më të madhe. Kombëtare në radhë të parë! Pa lere atë kombëtare!

Ja një kandidat i tillë është përballë Edi Ramës. Më thoni o “antikomunistët e mi” cilin nga këta të dy të votoj?

Pastaj me shpresën se zonja në fjalë do të ribjerë në mendime, e ftoj atë të sjellë në sytë e mendjes tragetët biblike, me ata njerëz që po arratiseshin nga një vend, ku patën patur shumë e shumë të mira!

Dhe bile na i kanë lënë edhe trashëgim!

*Shkruar për TemA

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin