“Tifozat Kuq e Zi” kanë reaguar pas disa shkrimve në portalet kosovare. “Tradhëti e organizuar: ‘Plisat’ organizim për ta shpërfillur Kosovën, do të shkojnë ta përkrahin shtetin fqinj”. Kjo citohej në një portal kosovar dhe të parët që kanë reaguar ishin “Tifozat Kuq e Zi”.
Tifogrupi më i madh i Kombëtares shqiptare e quan një gjuhë urrejtie atë që ka përdorur media nga Kosova. Ndërsa, sipas tyre, Kosova, ka qenë, është dhe do të jetë shqiptare!
“Përshëndetje!
Të nderuar, në vazhdën e përçarjeve dhe shkrimeve tendencioze dhe me qëllim të krijimit të një klime urrejtje mes Kosovës e Shqipërisë dhe anasjelltas, i ashtuquajturi portali ‘Periskopi’, redaksia e sportit, ka botuar një artikull të titulluar:
‘Tradhëti e organizuar: Plisat organizim për ta shpërfillur Kosovën, do të shkojnë ta përkrahin shtetin fqinj’.
Kjo, paraqet gjuhë të urrejtjes, është tendencë për të krijuar armiqësi mes shqiptarëve në veçanti atyre që frekuentojnë këtë të ashtuquajtur portal.
Për të minimizuar këto shkrime në të ardhmen dhe për të dhënë një mësim edhe për të tjera faqe, që të mos botojnë tituj të tillë paragjykues dhe fyes në të njëjtën kohë, ju ftojmë t’i bashkoheni aksionit për t’i bërë “report” në faqen e facebookut.
Kosova ishte shqiptare, është shqiptare dhe do mbetet përgjithmonë, dhe kjo jo për inat të dikujt, por se janë rrënjë të ujituna me gjakun e dëshmorëve tash e 2000 vjet.
Faleminderit paraprakisht!
Ky reagim i tifogrupit “Tifozat Kuq e Zi” nuk është i vetmi, sepse në dy anët, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, e kanë quajtur jo vetëm këtë “lajthitje” të portalit, por edhe disa të tjera të vecuara, thjesht si nxitje antikombëtare.