MENU
klinika

Poeti profet

Sharl Bodler! Pse ishte kumbari i gotëve?

09.04.2021 - 15:08

         Dy shekuj më parë, më 9 prill 1821, Sharl Bodler (Charles Pierre Baudelaire) lindi në Paris. Ai u pozicionua në zemër të debateve të epokës ku jetoi mbi funksionin e letërsisë, duke e shkëputur poezinë nga shkenca dhe morali. Për të, poezia ka si qëllim bukurinë në vetvete, jo të vërtetën. /Konica.al

Zakonisht gotët konsiderohen si qeniet e skajeve të shoqërisë, anëtarë të një nënkulture që e gjen bukurinë në dijet më të errëta të përvojës njerëzore. Teksa kodi i veshjes së tyre imitohet shumë – edhe festohet, gjatë Hallouinit, ata kanë një histori të virtytshme që shtrihet përtej një festivali të frikshëm sezonal.

Poeti francez Sharl Bodler mund të kualifikohet lehtësisht si shablloni i gotëve, ashtu siç aspiron shablloni i gotëve (dhe bohemët e tjerë).

Shpesh vishej me të zeza, i lyente flokët në ngjyrë të gjelbër dhe rebelohej kundër shoqërisë konformiste, borgjezisë së Parisit në mes të shekullit të 19-të, si në jetën personale, ashtu edhe në artin e tij. Përmbledhja e parë me poezi: “Lulet e së keqes”, u ndoq penalisht për ofendim të moralit publik, duke sfiduar audiencat me trajtime befasuese të seksit, satanizmit, vampirizmit dhe shkatërrimit. Nuk është habi, që fjalët e tij do t’i dëgjojmë të kënduara nga “The Cure”. Përveç të shkruarit, jeta e shthurur e Bodlerit ishte një listë kredencialesh bohemiane. Ai u prish me familjen, falimentoi, kreu eksperimente të dalldisura seksuale dhe mori sifilizin, u bë vartës i drogës, shoqërohej me artistë, muzikantë, shkrimtarë dhe kriminelë të vegjël, sesa me njerëz “të respektuar”, e zemëroi familjen, duke pasur një dashnore nga racë e përzier dhe me siguri analfabete, refuzoi punësimin tradicional dhe bëri një jetë të pasigurt si shkrimtar, kritik dhe tregtar rastësor arti. Ai shkroi poezi, e cila ndiqej penalisht për lapërdhi dhe adhurohej nga shpirtra të ngjashëm në gjithë Evropën, ndërsa urrehej, madje i frikësoheshin, nga shoqëria “e rregullt”. Së fundmi, vdiq i ri, duke vuajtur për vite me radhë nga sëmundja e rëndë dhe varësia e drogës, në moshën 46-vjeçare. Po ashtu, Bodleri ishte një i pispillosur, i porsarruar në një epokë mustaqesh dhe i veshur patëmetë, pavarësisht nga rrethanat e fëlliqura të shtëpisë. Asnjëherë mburravec, ai vishej me të zeza në zi për epokën e tij. Duke u konsideruar si natyrë tiranike, ai mbrojti gjithçka që e luftonte ose e kapërcente atë, ndërsa ishte, si shumë prej bashkëkohësve, haptazi mizogjen. “Gruaja është natyrale. Kjo do të thotë, e neveritshme”, – shkroi. Sidoqoftë, ai e pranonte se si të dy gjinitë kishin ngecur brenda burgjeve të mishit dhe kërkonin rezistencë ndaj një burgosjeje të tillë përmes kostumeve dhe kozmetikës, seksit rekreativ, drogës dhe alkoolit.

Bodleri tingëllon si shumë shkrimtarë, aktorë dhe yje të rokut të mëvonshëm, por është e padrejtë të thuhet se rëndësia kulturore qëndron vetëm në sjelljet e tij kriminale. Ajo që e bën sot kaq domethënës dhe kaq të rëndësishëm, është njohja në “Lulet e së keqes”, proza proezi dhe eseja, saqë bota e urbanizuar moderne, industriale dhe gjithnjë e më e pafe, është rrënjësisht e ndryshme nga çdo epokë e mëparshme. Artistët që u përgjigjen kushteve të reja të ekzistencës, nuk mund t’i përmbahen traditave të dalë mode. Në vend të kësaj, ata duhet të heqin dorë nga marrëveshjet dhe të rimendojnë marrëdhëniet e tyre me kulturën dhe rrethinat e tyre. […] Ashtu si bashkëkohësi, Gustav Flober, Bodleri ndjehej i ndrydhur dhe i armiqësuar nga hipokrizia bombastike e Perandorisë së Dytë të Napoleonit III. Humbi çdo shpresë në humnerën mes moralit publik dhe vesit personal, ndihej i neveritur nga lartësimi i nderimit të borgjezisë, etika protestante e punës dhe modernizimi i vrullshëm i vetë Parisit. Duke shpërfillur preokupimin e realizmit me aparencat, të shkruarit shqyrtuan gjendjet mendore të krijuara rreth e rrotull: mërzinë, një melankoli agresive vetëshprehëse dhe ennui (meraku) – apatia dhe depresioni që i le të sëmurët të trishtuar dhe të lodhur. Ai e përshkroi veten si të ishte si mbreti i një vendi me shi, i mbërthyer nga një dëshpërim i pafund, i plakur para kohe, i pafuqishëm dhe i trishtuar pa ndonjë shkak të qartë. “Jeta është një spital, – shkroi, – ku gjithë pacientët janë të fiksuar me ndryshimin e shtretërve. Dikush do të preferonte të vuante pranë oxhakut, një tjetër mendon se do të shërohej më shpejt nëse e vendosin pranë dritares”.

Një seri ngjarjesh fatkeqe

Më shumë se 150-vjet pas vdekjes, Bodleri mbetet një personalitet sfidues – jo më pak për qëndrimet e tij seksuale. Sidoqoftë, ndikimi i tij është i pamohueshëm. T.S. Eliot e përshëndeti në “Tokë e shkretë”, duke huazuar rreshtin: “Hypocrite lecteur – mon semblable – mon frère!” (“Lexues hipokrit, i ngjashmi im, vëllai im!). Kohët e fundit, autorja angleze Angela Carter te “Venusi i zi” (1985) i jep metresës së Bodlerit, Zhan Dyval, e cila tërbohet se “elokuenca e tij mohonte të folurën e saj”. Dhe “How Beautiful you are”, nga rokerët gotikë “The Cure” (1987) përshtati prozën-poezi “Sytë e të varfërve”). […].

Ndërkohë, e zeza mbetet një nga uniformat e adoleshentëve të pakënaqur nga Londra në Tokio, duke formuar nënkulturat e katër dekadave të fundit. Shqetësimet ekzistenciale të Bodlerit dhe refuzimi për të kapitulluar para forcave të konformitetit, e bëjnë atë një frymëzim të vazhdueshëm./Konica.al