Në një rrëfim për mediet britanike, talenti kosovar Bersant Celina tregon largimin e detyruar nga Kosova, kur familja e tij iku nga tmerret e luftës. Në moshën 2-vjeçare, prindërit e tij u larguan nga Kosova në kohën kur forcat serbe po kryenin luftë të ashpër në Kosovë.
Mesfushori 22-vjeçar i Swansea City, Celina, ka thënë për mediat britanike se tani është krenar që e përfaqëson vendin e vet, Kosovën, nga i cili dikur iku, por nuk e mohoi kurrë.
“U linda në qytetin e Kosovës, Prizren, në një periudhë të keqe për vendin tim. Serbia ishte në konflikt me Kosovën dhe shumë persona u vranë. Ishte e tmerrshme”, – tha Celina.
Ai foli edhe për vendimin e prindërve të tij për ta braktisur Kosovën, në mënyrë që t’i shpëtojnë vdekjes.
“Pastaj, prindërit duhej ta merrnin një vendim, të qëndronin dhe të rrezikonin që të gjithë ne të vriteshim, apo të largoheshin për siguri”, – tregoi ai.
“Kështu, shkuam refugjatë në Norvegji dhe aty u rrita unë. Unë kam qenë tepër i vogël për ta mbajtur në mend atë kohë, por shumë njerëz ose janë vrarë pa arsye ose kanë kaluar nëpër vuajtje të tmerrshme”, – theksoi Celina.
Celina i ka bërë 11 paraqitje për Kosovën dhe ëndërron që një ditë të luajë bashkë me vëllain e vet 18-vjeçar, Lotin, në ekipin kombëtar të Kosovës. Loti luan momentalisht për grupmoshat U-18 dhe U21.
“Jam i lumtur që Kosova është vend plotësisht i pavarur dhe paqësor sot. Kemi një ekip kombëtar me shumë djelmoshat të talentuar. Shumica prej tyre e kishin braktisur Kosovën për shkak të luftës, por tani me krenari luajmë për Kosovën. Vëllai im Loti është 18 vjeç dhe tani luan për U-18 dhe U-21. Ai është shumë lojtar i mirë dhe e kam ëndërr të luaj me të në ekipin kombëtar”, – shtoi ai.