Lajmi i ndarjes së Melinda dhe Bill Gates u shpërnda me shpejtësi në media gjatë kësaj jave duke ngritur edhe shumë pikëpyetje tek njerëzit. Lajmin e ndarjes e bëri të ditur vetë Bill Gates, i cili njoftoi ndarjen nëpërmjet një postimi në “Twitter”.
“Pas një mendimi të gjatë dhe shumë pune, ne kemi marrë vendimin për t’i dhënë fund martesës sonë. Gjatë 27 viteve të fundit, ne kemi rritur tre fëmijë të mrekullueshëm dhe kemi ndërtuar një fondacion që punon në të gjithë botën për t’i mundësuar të gjithë njerëzve të bëjnë jetë të shëndetshme dhe produktive.
Ne vazhdojmë të ndajmë një besim në misionin tonë dhe do të vazhdojmë të punojmë së bashku në fondacion, por nuk besojmë më se mund të rritemi së bashku si çift në fazën e ardhshme të jetës sonë. Ne kërkojmë hapësirë dhe privatësi për familjen tonë”, tha Bill Gates në këtë deklaratë të papritur.
Ndërkohë ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë me rezidencën gjigante të ish-çiftit të famshëm. Shtëpia e çiftit të njohur e quajtur Xanadu 2.0, është e vendosur në liqenin Washington në zonën e Seattle. Me përafërsi thuhet se rezidenca kushton 130 milionë dollarë.
Bill dhe Melinda nuk kanë folur kurrë rreth shtëpisë së tyre, por me kohën janë zbuluar detaje të ndryshme.
Sipas një artikulli nga New York Times nga viti 1995, një garazh me 20 makina është ndërtuar në kodër. Ndërsa pishina 60 metra ka sistemin e vetë muzikor nënujor. Ka një palestër 232 metra katrorë, një kinema dhe çdo dhomë ka një sistem të teknologjisë së lartë për kontrollin e dritës, muzikës dhe klimës. Shtëpia ka vetëm 7 dhoma, por 24 tualete.
Megjithëse ky divorc mund të konsiderohet një nga më të shtrenjtit dhe më të kushtueshmit në histori, nuk është më i madhi. Ky titull i takon Jeff Bezos, themeluesit të Amazonës që ndau pasurinë prej 150 miliardë dollarësh me gruan e tij MacKenzie në vitin 2019 pasi u zbulua lidhja e tij me Lauren Sanchez.