MENU
klinika

Ende asnjë datë për mbërritjen e dërgesës së radhës

Mungojnë vaksinat kineze, në pikëpyetje doza e dytë

19.05.2021 - 09:57

Jo vetëm nuk u lajmëruan, por iu desh të prisnin disa orë, para çadrave të vaksinimit, deri sa iu komunikua që nuk do të injektonin dozën e dytë të vaksinës.

Mungesa e vaksinës kineze “Coranavac” prej dy ditësh ka krijuar radhë edhe dje radhë në sheshin “Skëndërbej”, ndërsa ende nuk ka një njoftim nga Ministria e Shëndetësisë se kur do të mbërrijë dërgesa e radhës duke vënë në këtë mënyrë në pikëpyetje injektimin e dozës së dytë.

VAKSINA

Situata e krijuar dje në kryeqytet ka ngjallur jo pak pakënaqësi te të moshuarit. Ata janë shprehur të revoltuar për faktin që nuk janë njoftuar nga mjeku i familjes, por njëkohësisht nuk kanë fshehur merakun se mos kjo vonesë disaditore e bën vaksinën jo efikase.

Nga autoritet, nuk ka pas asnjë reagim mbi këtë situatë të krijuar ndërsa nuk dihet se kur do të mbërrijë dërgesa e radhës me vaksina kineze, si edhe çfarë është më e rëndësishme nuk dihet se sa gjatë mund të presin ata që kanë marrë një dozë për të injektuar dozën e radhës.

Para zgjedhjeve, qeveria intensifikoi ritmet e vaksinimit, kjo bëri që të ezurohej fondi me rreth gjysmë milioni vaksina të siguruara përmes marrëveshjes së firmosur në Turqi. Kujtojmë që kontrata u firmos për 500 mijë doza, por ndërkohë u komunikoi që ishte rënë dakord që të siguroheshin 1 milion të tilla deri në fund të muajit qershor.

Por pa pasur asnjë siguri për sasinë e radhës, është ezauruar i gjithë fondi i mëparshëm duke sjellë edhe pezullimin e procesit për ata që janë në radhë për dozën e dytë. Deri më tani sipas të dhënave zyrtare janë kryer rreth 680 mijë vaksina, pjesa më e madhe prej tyre janë të moshuar mbi 60 vjeç.

SITUATA

Sakaq, edhe të martën janë regjistruar një numër i ulët rastesh të reja pozitive me COVID-19. Nga 3169 testime të kryera kanë rezultuar të infektuar vetëm 39 persona, pra rreth 1.2 për qind e të testuarve kanë rezultuar mbartës të virusit.

“Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 6 në Gjirokastër, 4 raste në Shkodër, nga 3 raste në Tiranë, Devoll, Berat, Vau i Dejës, nga 2 raste në Durrës, Fier, Pogradec, Sarandë, Malësi e Madhe, nga 1 rast në Lushnje, Mirditë, Tropojë, Kamzë, Gramsh, Skrapar, Dropull”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkohë vijon të pësojë ulje numri i të infektuarve aktivë. Në 24 orët e fundit janë shëruar 986 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 126,405 që nga fillimi i epidemisë. Nga ana tjetër numri i të infektuarve aktivë ka zbritur në 3,230 persona.

Lidhur me situatën në spital si edhe rastet fatale, numri i të shtruarve ka pësuar po ashtu rënie ndërsa në 24 orët e fundit është raportuar 1 humbje jete si pasojë e COVID-19.

“Aktualisht në spitalet COVID po trajtohen 71 pacientë nga të cilët 7 pacientë janë në terapi intensive. Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor betejën me COVID19 nuk e ka fituar 1 qytetare 72 vjeç nga Fieri”, bëhet me dije nga Ministria.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përgjigjet shefja e Institutit të Shëndetit Publik

Kush është plani B nëse nuk vijnë vaksinat Pfizer në Shqipëri?

Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti publikon studimin

Një skenar si mund të përdoret vaksina e AstraZeneca