MENU
klinika

Rruga për askund!

Mali i Zi ka rënë në kurthin kinez të borxheve

17.06.2021 - 11:20

Vuk Vuksanovic, The Spectator

Duke u shtrirë nëpër një luginë të qetë të Ballkanit, autostrada e parë e Malit të Zi përshkon me një saktësi të panatyrshme tokën shkëmbore:një krijesë moderne prej betoni që kontraston me panoramën e gurtë të Alpeve Dinarike.

Varur në një nga shtyllat e mëdha ngjyrë gri qëndron flamuri i kuq i dallueshëm i vendit të vogël, një shqiponjë e artë me dy koka në qendër. Projekti mund të ketë qenë simbol i shtetit të ri post-komunist. Ata që jetojnë në fshatin aty poshtë, e dinë se kush qëndron vërtet pas autostradës.

Republika Socialiste e Jugosllavisë i përket tashmë historisë, por komunistët janë rikthyer. Mali i Zi po përpiqet me të gjitha mënyrat që të shlyejë një hua kineze prej 1.2 miliardë dollarësh për ndërtimin e autostradës, që synon të lidhë portin malazez të Bar me Serbinë fqinje.

Pjesa më e madhe e projektit mbetet e paplotë. Tani borxhi i vendit është zmadhuar ndjeshëm, duke arritur në103 për qind të PBB-së, me Pekinin që zotëron gati një të pestën e tij. Shpresohej që autostrada e shpejtësisë së lartë të dëshmohej si një lidhje tregtare rajonale jetike.

Rrugët malazeze janë të njohura për gjendjen e tyre skandaloz dhe aksidentet e shpeshta. Por institucionet financiare perëndimore nuk ishin të gatshme ta mbështesnin projektin në fjalë, pasi ato ishin pak të bindur për rendimentin e tij.

Në vend të kësaj, banka kineze “Exim”i siguroi një hua të madhe qeverisë malazeze, ndërsa kompania shtetërore kineze“China Road and Bridge Corp” u soll si kontraktor për zbatimin e punimeve. Ndërtimi i kësaj autostrade ishte një makth që nga fillimi.

Falë terrenit të ashpër, inxhinierët planifikuan të ndërtonin gjithsej 40 ura dhe 90 tunele. Vonesat u bënë shpejt një normë. Tani pretendimet e pashmangshme për korrupsion, e kanë dobësuar më tej projektin, i cili që në fillim kishte një mbështetje të dobët.

Puna që nuk u mor përsipër nga kompania kineze, u nënkontraktua nga një kompani vendase që ka lidhje me presidentin Milo Djukanovic. UNESCO e ka kritikuar projektin për efektin e dëmshëm mjedisore në lumin e mbrojtur Tara.

Ndërkohë, BE-ja ka refuzuar deri kohët e fundit të ndihmojë në ristrukturimin e borxhit, edhe pse vendi po vazhdon procesin e integrimit në bllok. Shoqëria malazeze u trondit nga sjellja e i Brukselit. Tani ka raporte se Brukseli ka kontaktuar bankat gjermane, franceze dhe italiane, me shpresën se ato mund të shpëtojnë vendin e vogël ballkanik përmes ndihmës financiare indirekte.

Zyrtarët vendas kanë pritur në çdo rast shfaqjen e disa problemeve, por ata llogarisnin që rritja ekonomike e mëvonshme do të thithte pjesën më të madhe të borxhit. Por si për shumë projekte, pandemia ka sjellë pasoja të paparashikueshme.

Mali i Zi është një ekonomi, e cila është shumë e ndërvarur nga turizmi. Në kushtet kur pushuesit e kishin të ndaluar të vizitonin detin Adriatik, ekonomia u tkurr me 15 për qind të PBB-së. Zgjedhjet e vitit të kaluar sollën një qeveri të re, duke i dhënë fund 3 dekadave të qeverisjes jo liberale nga partia e presidentit Djukanovic.

Ekzistojnë2 mënyra se si Kina mund të vazhdojë tani të ecë përpara. E para është e ashtuquajtura “diplomaci e kurthit të borxheve”, ku Kina fiton drejtpërdrejt qasje në infrastrukturën më jetike të një vendi që nuk është në gjendje të shlyejë borxhin e tij.

Kështu, në vitin 2017 Kina mori me koncesion për 99 vjet një port strategjik në Sri Lanka buzë Oqeanit Indian. E njëjta gjë mund të ndodhë me portin e Tivarit në Malin të Zi. Kina zotëron tashmë Portin e Pireut në Greqi, porti i shtatë më i madh i Evropës.

Strategjia e dytë, është ofrimi i ristrukturimit të borxhit të Malit të Zi. Por në këmbim të tij, Kina do të kërkojë besnikërinë politike të Malit të Zi. Kjo besnikëri do të nënkuptonte më shumë punë për kompanitë shtetërore kineze, dhe votimin në institucionet ndërkombëtare në favor të Kinës.

Tek e fundit, Mali i Zi është një shtet anëtar i NATO-s. Në të dyja rastet, Kina fiton, dhe Evropa humbet. Sigurisht, ekziston një logjikë e shëndoshë e biznesit në ngurrimin e BE-së për të ndihmuar Pogdoricën në shlyerjen e një borxhi që përfshin palët e treta.

Dhe zyrtarët në Bruksel kanë sugjeruar që edhe nëse do të përpiqeshin ta ristrukturonin drejtpërdrejt borxhin, kinezët do të përpiqeshin të bllokonin lëvizjet e tyre. Gjithsesi, çështja e Malit të Zi nuk është çështje e së drejtës së kontratave tregtare, por një çështje gjeopolitike. Kur bëhet fjalë për Kinën, Bashkimi Evropian nuk ka përballë një aktor që luan sipas rregullave teknokratike të vendosura nga burokracia e Brukselit. Por ai po merret me një fuqi globale në rritje, e cila po e përdor fuqinë ekonomike për të zgjeruar ndikimin e saj global në super-kontinentin Euroaziatik, përfshirë këtu edhe skajin e tij evropian.

Evropa po i tregon Ballkanit se është e gatshme që të kritikojë bashkëpunimin me Kinën, por gjithashtu po tregon se nuk është e gatshme që të ndihmojë në riparimin e gabimeve. Në fund të muajit maj, presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi një bisedë telefonike me Djukanovic, ku u diskutuan lidhjet dypalëshe.

Ndryshe nga BE, Kina e di se ka ndikim mbi Malin e Zi, dhe po analizon se cila është mënyra e duhur për ta përdorur atë. Brukseli e ka kuptuar shumë vonë se edhe ai mund t’i telefonojë Podgoricës. BE-ja duhet të demonstrojë se është e aftë të mbrojë interesat e saj, ndërsa i dërgon një mesazh Ballkanit se Evropa është në krah të saj. Përndryshe, Mali i Zi do të jetë një pre e lehtë për Kinën, dhe bashkë me të edhe besueshmëria strategjike e BE-së.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Strategjia për të nënshtruar vendet e dobëta

Kina dhe diplomacia e ‘kurthit të borxheve’


Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!