Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, tha për BIRN se paralajmërimet e shkencëtarëve për pasojat mjedisore të mega-projektit të presidentit Rexhep Tajip Erdogan për Kanalin e Stambollit duhet të merren parasysh.
Nga Hamdi Fırat Buyuk
Kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu ka paralajmëruar përsëri në lidhje me problemet mjedisore që mund të shkaktohen nga ndërtimi i Kanalit të ri të madh të Stambollit pranë Bosforit, ndërsa presidenti Rexhep Tajip Erdogan mbajti një ceremoni për nisjen e projektit.
Imamoglu, nga Partia Popullore Republikane, CHP, e cila fitoi Stambollin në 2019, tha që shqetësimet e ekspertëve në lidhje me mega-projektin duhet të merren parasysh.
“Më e rëndësishme se gjithçka tjetër, ne po dëgjojmë kundërshtime të zëshme nga shkencëtarë të rëndësishëm. Kurrë nuk kemi dëgjuar një shkencëtar të thotë ‘Ky projekt është i dobishëm.’ Vetëm kjo dëshmon se projekti është një katastrofë”, tha Imamoglu në një deklaratë me shkrim për BIRN.
“Unë u zgjodha nga njerëzit për t’i rezistuar këtij kanali çimentoje”, shtoi ai.
Kanali i Stambollit është planifikuar të jetë një rrugë ujore artificiale 45 kilometra e gjatë që lidh Detin e Zi dhe Detin Marmara.
Por kundërshtarët e tij kanë paralajmëruar se projekti kërcënon furnizimin me ujë të qytetit dhe rrezikon të ketë pasoja më të gjera mjedisore në ekuilibrin delikat midis deteve të ndërlidhura në zonë, të cilët tashmë po vuajnë një problem me “mukozën detare”.
Erdogani e përshëndeti projektin e Kanalit të Stambollit në një ceremoni të shtunën.
“Kjo do të jetë një faqe krejt e re në zhvillimin e Turqisë. Në rrugën e këtij zhvillimi, ne do të vazhdojmë të ecim përpara”, tha Erdogan në ceremoni.
“Ne e konsiderojmë Kanalin e Stambollit si një projekt që do të shpëtojë të ardhmen e Stambollit”, shtoi ai.
Por Imamoglu e cilësoi një mashtrim ceremoninë.
“Ura që ata thonë se do të jetë vendi i parë i ndërtimit të kanalit është në të vërtetë pjesë e një projekti që ka qenë në letër për vite”, tha ai.
Krerët e partive të opozitës kanë thënë se ata do ta ndalojnë projektin kur të vijnë në pushtet.
“Asnjë kompani nuk duhet të bëjë oferta për projektin. Ne nuk do t’i paguajmë paratë e tyre”, tha kreu i CHP, Kemal Kilicdaroglu, më 20 qershor.
Në përgjigje, Erdogan akuzoi opozitën se “po kërcënon investitorët dhe bankat dhe madje edhe vendet e interesuara në këtë projekt”.
Qeveria ka vlerësuar se kostoja e planifikuar e projektit do të jetë 15 miliardë dollarë dhe ka thënë se do të duhen gjashtë vjet për të ndërtimin e tij.
Ajo i ka vënë syrin fitimeve të ardhshme nga tarifa e kalimit që anijet do të duhet të paguajnë, dhe një rritje të vendeve të punës nga ndërtimi i kanalit, urave, rrugëve dhe zonave të banimit përreth.
Por ekspertët thonë se kostoja dhe afati i njoftuar nga qeveria janë joreale.
Sipas një plani të ri të publikuar nga qeveria, do të ketë porte të reja në Marmara dhe Detin e Zi dhe disa vendbanime të reja, të cilat do të strehojnë gati një milion banorë pranë kanalit në një zonë të dominuar aktualisht nga pyje, liqene, përrenj, livadhe dhe ferma.
Një duzinë ura të mëdha, tunele dhe një rrjet i ri autostradash gjithashtu janë pjesë e planit.
Ngushticat Turke (Dardanelet dhe Bosfori) drejtohen nga Konventa e vitit 1936 e Montrosë, e cila i jep Ankarasë kontroll të plotë mbi Ngushticat dhe rregullon tranzitin e anijeve luftarake detare. Por projekti i kanalit ka ngritur pikëpyetje në lidhje me të ardhmen e konventës.