MENU
klinika

Ndeshja e prapambetur

Milan fiton në limit, tani i katërti

31.10.2018 - 22:33

Milan ka dhënë sërish spektaklin e radhës dhe përsëri ndaj një ekipi të Gjenovas. Pas përmbysi shifrat ndaj Sampdoria-s, kuqezinjtë kanë fituar në limit 2-1 ndaj Genoa-s, ndeshje e zhvilluar po në “San Siro”, në kuadër të javës së prapambetur për shkak të tragjedisë së shembjes së urës në Gjenova.

Një sukses që “blindon” edhe pozicionin e trajnerit Gattuso, sepse Milan ngjitet në vendin e katërt dhe tashmë një vend në Champions League nuk është më utopi. Ky është edhe objektivi i Milan, mbetet për t’u parë vazhdimësia.

Milan arrin të gjejë golin e avantazhit që në minutën e 4’ të ndeshjes. Ishte spanjolli Suso ai që zhbllokoi rezultatin me një goditje fantastike nga distanca me të majtën e tij të përpiktë. Ndeshja është e luftuar dhe kryesisht zhvillohet në mesin e fushë.

Në minutën e 56’ vjen goli i barazimit. Ishte një aksion pa pretendime i miqve, të cilët përfitojnë nga një mosmarrëveshje në zonë e mbrojtësve vendas, dhe ndihmohen nga Romagnoli, i cili devijon goditjen e kundërshtarit dhe e dërgon në rrjetë topin që mori një trajektore të çuditshme.

Milan hidhet menjëherë në sulm pas golit të barazimit dhe krijon mundësi pas mundësie. Në minutën e parë shtesë ishte përsëri Romagnoli ai që shënon, por këtë herë në portën e duhur, duke u dhënë tri pikë të merituara vendasve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN