Ata që shqetësohen se skifterët në Uashington po bëjnë një luftë të re të ftohtë të panevojshme dhe të rrezikshme me Kinën, duhet të marrin kohë për të lexuar fjalimin e mbajtur të enjten në Sheshin Tiananmen të Pekinit nga Presidenti Kinez Xi Jinping.
Ndërsa avionët ushtarakë fluturonin mbi kokë dhe një turmë e madhe gjëmonte miratimin e saj, Xi u mburr me “rinovimin e madh të kombit kinez”; ai tha se Kina kishte “krijuar një model të ri për përparimin njerëzor” që synonte të përhapej nëpër botë, ndërsa ngriti forcat e saj të armatosura në “standardet e klasit botëror”.
Me pak fjalë, Xi e bëri të qartë se Kina nën sundimin e tij diktatorial do të paraqesë një kërcënim për botën demokratike dhe për fqinjët e Kinës – veçanërisht Tajvanin, pushtimin e të cilit ai e quajti “një mision historik dhe një angazhim të palëkundur”.
Ish presidenti Donald Trump dhe sekretari i tij i shtetit, Mike Pompeo, shpesh arritën ta bënin të dukej sikur Shtetet e Bashkuara po nxisnin pa arsye tensionet me Kinën me retorikë të mbinxehur dhe një luftë të gabuar tregtare.
Fjalimi i Xi është një kujtesë se ambiciet e regjimit të tij dhe lufta e tij për arritjen e tyre, janë një kërcënim i vërtetë për rendin botëror dhe ndoshta paqen në botë.
Arroganca e retorikës së Xi, e ngarkuar me ankesa nacionaliste, tregon origjinën e stilit “luftëtar ujku” të miratuar kohët e fundit nga diplomatët kinezë.
“Ne kurrë nuk kemi ngacmuar, shtypur ose nënshtruar njerëzit e ndonjë vendi tjetër,” këmbënguli ai.
Pastaj erdhi momenti emocional i fjalimit: “Ne kurrë nuk do të lejojmë që ndonjë forcë e huaj të na ngacmojë, shtypë ose nënshtrojë”.
Sipas tekstit zyrtar në anglisht të shpërndarë nga ministria e jashtme, Xi shtoi, “Kushdo që do të përpiqet ta bëjë këtë do të përplaset me një mur të madh prej çeliku”.
Por ata që e dëgjuan atë e dëgjuan duke thënë se kundërshtarët “do t’i kishin kokat me gjak”.
Kjo duhet të merret seriozisht kur bëhet fjalë për Tajvanin.
Duke pasur pushtet të përqendruar dhe në thelb e deklaroi veten një sundimtar për jetën, Xi duket se e konsideron nënshtrimin e asaj që tani është një demokraci e fortë si një trashëgimi për të synuar, së bashku me shkatërrimin e Ujgurëve dhe autonominë e Hong Kongut.
Asnjë nga këto nuk do të thotë që Shtetet e Bashkuara duhet të kërkojnë konfrontim me Kinën.
Por fjalët e Xi duhet të theksojnë se, të paktën nën sundimtarin e saj aktual, Kina ka të ngjarë të paraqesë një kërcënim në rritje për fqinjët e saj, për botën demokratike dhe për lirinë e njeriut në përgjithësi.
Përkthyer dhe përshtatur nga The Washington Post/ konica.al