Gjykata e Elbasanit ka dënuar me 4 vjet burg shkaktarin e aksidentit që u mori jetën dy vajzave të reja dhe la të plagosura dy të tjera.
Ngjarja e rëndë u regjistrua në shtator të vitit të kaluar në tunelin që lidh Tiranën me Elbasanin, ku gjetën vdekjen Lusinda Garunja, 19- vjeçe, dhe Xheneta Qalliu, 23 vjeçe, ndërsa mbetën të plagosura Denisa Dibra, 25 vjeç, dhe Nervina Garunja, 24 vjeçe, motra e Lusindës.
Për ngjarjen, Policia arrestoi shtetasin Behar Pema, 58 vjeç, i cili drejtonte një “Benz” në momentin që përplasi mjetin ku udhëtonin katër vajzat.
Dhjetë muaj pas ngjarjes së rëndë ku 58-vjeçari ka qëndruar në qelitë e paraburgimit, Gjykata e Elbasanit ka dhënë dënimin ndaj tij, duke e burgosur për katër vite. Prokurori i çështjes, Binas Nina, ka kërkuar dënimin me 6 vjet burg.
REAGIMI
Vendimi i marrë nga Gjykata e Elbasanit është pritur me protestë nga ana e familjarëve të viktimave.
Ralija Alija, e ëma e Lusinda Garunjës, tha se jeta e dy vajzave vlen vetëm katër vite. Ajo thotë se kërkon drejtësi për ngjarjen dhe se hodhi poshtë atë që kishte dalë në media, sipas së cilave familjet kishin falur drejtuesin e automjetit.
“Më 13 shtator, në ditëlindjen tënde Lusi, ta morën jetën padrejtësisht. Në një ditë kur si çdo e re do me e gëzu, ti me erdhe e pajetë e veshun si nuse, ashtu si çdo nanë don me e pa bijën e vet, por në arkivolin e ftoftë.
E dje ty e shoqen tande Xheni të vranë për se dyti.
Ia lamë në dorë drejtësisë e nuk kërkuam vetëgjyqësi, e jeta dy vajzave të vdekuna dhe e dy të tjerave që shpëtun nga dora e Zotit vlejti vetëm 4 vite dënim për autorin.
Si mundet me ndodh e si nuk përmbyset kjo botë. Edhe sa gjamë duhet me ndodhë që i papërgjegjshmi me marrë dënimin e meritum e mos me e pësu edhe shumë familje të tjera dhimbjen tonë!”, shkruan ajo.
Mësohet se gjyqi i zhvilluar në Gjykatën e Elbasanit, ka zgjatur vetëm pak minuta dhe në fund të vendimit të dënimit, babai i Xheneta Qalliut ka bërtitur: “Turp, kjo nuk është drejtësi”.
NGJARJA
Aksidenti tragjik u regjistrua brenda tunelit në aksin nacional Tiranë-Elbasan rreth orës 20:00 të mbrëmjes së 13 shtatorit 2020. Drejtuesi i automjetit tip “Benz”, Behar Pema, sipas hetimeve të Policisë, rezultoi fajtor për ngjarjen që u mori jetën dy të rejave, njëra prej të cilave do festonte ditëlindjen.
Drejtuesi i automjetit përveçse në gjendje të dehur, udhëtonte me shpejtësi 160 km në orë. Katër vajzat po shkonin drejt Korçës për të festuar ditëlindjen e Lusindës.