Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, duke raportuar mbi situatën më të fundit nga zjarret në vend, tha se strukturat përkatëse janë të bindura se flakët e ditëve të fundit janë të qëllimshme.
Ai ngriti dyshime për situatën e krijuar një ditë më parë në Gjirokastër, ku 10 vatra zjarri shpërthyen njëkohësisht.
“Dje në Gjirokastër kemi pasur një situatë shumë të vështire ku kemi pasur disa vatra zjarri në mënyrë të çuditshme, por në fakt dhe të shpjegueshme kur tani i kemi të forta fare dyshimet lidhur me zjarrëvëniet e qëllimshme, pra disa vatra që kanë shpërthyer pothuaj në të njëjtën kohë e në distancë nga njëra tjetra shtuar pastaj dhe kushtet atmosferike. Fatkeqësisht kemi pasur një humbje jete dhe një lëndim.
Natë e mundimshme në Pashaliman, në 8 e 30 mbrëmë e konsideruam të fikur, pas mesnatë ka shpërthyer një zjarr i madh mbi bazën e Pashalimanit.
Kishim dislokuar për vigjilencë një numër të madh trupash që vepruan menjëherë e në 4 të mëngjesit u shmang më e keqja.
Imagjinoni bëhet fjalë për një bazë ushtarake që e rrit nivelin e rëndësisë që ka.
Vatra më serioze për momentin vijon të mbetet Karaburuni, dje kemi shmangur përhapjen e flakëve në fshatin Dukat.
Rreziku më i madh këtu ngelet e duhet eleminuar prekja e parkut të Llogorasë.
Sot jemi më shumë optimistë, kemi 3 helikopterë, po punohet në disa drejtime, nga Pashalimani në drejtim të Dukatit por edhe nga Palasa”, tha Peleshi.
A ka përgjegjës për zjarrin e Karaburunit?
Peleshi: Kemi marrë emra, ua kemi dhënë agjencive ligjzbatuese, kam marrë garanci dhe nga ministri i Brendshëm e drejtori i policisë që do ketë investigim, janë ndaluar 6 gjithsej, tre vetëm dje, ka të dhëna të mjaftueshme për të vërtetuar që zjarret janë të qëllimshme e për ti lidhur me emrat përkatës.
Të gjithë janë në punë kam komunikim edhe me struktura të tjera të posacme për të investiguar edhe në mënyrë inteligjente e do punojmë paralelisht.