MENU
klinika

Përdorimi si qetësues

Ka diçka që duhet ta dini patjetër për paracetamolin

12.08.2021 - 15:47

Paracetamoli është qetësuesi më i njohur në botë i dhimbjeve dhe është në dispozicion në shumë kombinime. Filloi të përdoret si medikament që nga viti 1955 kundër temperaturës dhe dhimbjes te fëmijët dhe është bërë shumë popullor, për shkak se nuk ka efekte të rëndësishme anësore. Përdoret për të ulur temperaturën dhe për të lehtësuar simptomat e ftohjes, gripit apo virozave të tjera të stinës. Megjithatë, sidomos në këtë kohë pandemie, kur paracetamoli mund të duket qetësuesi më komod, duhet të jeni të kujdesshëm, sepse një studim i ri tregon se konsumimi i tepërt i paracetamolit mund të jetë fatal për funksionimin e mëlçisë.

Një studim nga hulumtuesit e Universitetit të Edinburgut dhe Oslos si dhe Shërbimi Kombëtar Skocez për Transfuzionin e Gjakut tregoi se analgjezikët shkaktojnë dëme të mëlçisë në nivelin e cirozës dhe hepatitit. Ata vunë re se përdorimi i tepruar i këtij medikamenti është shkaktari kryesor i inflamacionit akut të mëlçisë në botën perëndimore.

Shkencëtarët kanë studiuar efektin e paracetamolit në qelizat e mëlçisë. Ata gjetën se përdorimi i tepërt i paracetamolit mund të dëmtojë lidhjet vitale strukturore ndërmjet qelizave fqinje në indin e mëlçisë. Kur këto lidhje, të cilat janë zakonisht të forta, çrregullohen, struktura e mëlçisë dëmtohet dhe nuk mund të funksionojë normalisht. Ky lloj i dëmit përfshin hepatitin, cirozën dhe kancerin, por deri tani nuk ka qenë i lidhur me toksicitetin e paracetamolit.

“Për shumicën e njerëzve në mbarë botën, paracetamoli është zgjedhja e parë, sepse është i lirë dhe efektiv. Megjithatë, dëmtimi i mëlçisë i shkaktuar nga medikamentet është një problem i rëndësishëm klinik dhe sfidë për zhvillimin e barnave të sigurta. Rezultatet e studimit tonë përforcojnë nevojën për përdorimin racional të paracetamolit dhe mund të ndihmojnë të kuptojmë se si të parandalojmë dëmtimin e përdorimit të tij”,– tha Dr. Leonard Nelson, bashkautor i studimit.

Njerëzit shpesh e marrin lehtë dhe mendojnë se paracetamoli nuk është një problem në qoftë se marrin disa tableta më shumë se doza e rekomanduar ditore.

Herën tjetër, kur të filloni për të marrë paracetamol, mendoni rreth kësaj.