MENU
klinika

Serie A, java 11

Fiton në limit, ky Milan të bën me “zemër”

04.11.2018 - 22:42

Milan duhet të vuajë shumë për të marrë fitore. Kështu ka ngjarë edhe sonte. Kuqezinjtë kanë fituar 1-0 në Udine me një gol të Romagnoli-n në minutën e 7-të shtesë, nga 10 të tilla. Një sukses që i ka bërë edhe njëherë me zemër tifozët e shumtë kuqezi.

Suso ka shkuar i pari afër golit në minutën e 14-të, teksa goditja e tij ka përfunduar pak centimetra larg shtyllës së majtë. Bardhezinjtë janë kundërpërgjigjur tri minuta më vonë me Lasagna, por edhe tentativa e tij ka patur të njëjtin fat me atë të yllit të Milan.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Ter Avest, i cili ka marrë një pasim të saktë brenda zonës së rreptësisë në minutën e 21-të. Dhjetë minuta para fundit të pjesës ka ardhur lajmi i keq për kuqezinjtë, me Higuain që ka qenë i detyruar të lërë ndeshjen pas një goditje të marrë në kurriz nga Mandragora.

Në minutën e 95-ë, Udinese ka mbetur me dhjetë lojtarë pas kartonit të kuq të marrë nga Bram Nuytnick për një ndërhyrje nga mbrapa ndaj të kudondodhurit Castillejo.

Dy minuta më vonë kuqezinjtë kanë realizuar mrekullinë me Romagnoli-n, mbrojtësi golashënues që i dhuroi fitoren milanezëve edhe në mesjavë kundër Genoa-s. Një gol që është anuluar fillimisht për pozicion jashtë loje, por që është akorduar pas ndërhyrjes së VAR.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN