MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

A duhet të merrim vaj peshku?

03.09.2021 - 11:26

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: A duhet të merrim vaj peshku?

Mjeku: Mund të keni dëgjuar që është ide e mirë të merrni vaj peshku ose forma të tjera të omega-3 për shëndetin e zemrës.

Shumë njerëz në fakt, e bëjnë. Kryesisht me qëllim parandalimin e sëmundjeve të zemrës.

Por pyetja është, a po harxhojnë këta njerëz paratë, apo po marrin përfitime thelbësore shëndetësore? Përgjigja është: varet se çfarë lloj omega-3 po marrin.

A janë suplementet me vaj peshku të mira për zemrën?

Yndyrat e mrekullueshme që ndryshe i njohim edhe si vaji i peshkut, janë burimi më i mirë i EPA dhe DHA. Këto acide yndyrore konsiderohen si yndyrë e mirë, ndryshe nga yndyrat e ngopura që përmban mishi. Ato mund të sjellin përfitime shumë të mira për zemrën, trurin, mushkëritë dhe qarkullimin e gjakut. Marrja në doza të larta, mund ngadalësojë depozitimin e pllakave në arterie dhe reduktojë nivelin e disa lloj yndyrash në gjak.

Historia e ndikimit të vajit të peshkut në shëndetin e zemrës ka nisur nga vëzhgimi që i është bërë disa popullatave të ndryshme (si inuitët, banorë të arktikut), të cilët kanë një dietë të pasur me vaj peshku dhe tek të cilët, sëmundjet e zemrës janë më të rralla. M.q.s dieta e tyre është e pasur me acide yndyrore omega-3, kjo ka ngritur hipotezën se janë pikërisht këto acide, që sjellin përfitime për shëndetin e zemrës.

Në një studim të madh italian, të publikuar 20 vjet më parë, është parë se të mbijetuarit nga ataku i zemrës të cilët morën suplemente me vaj peshku ose omega-3, jetonin më gjatë, kishin më pak atakë në zemër dhe stroke se ata që nuk morën këto suplemente. Pikërisht këto rezultate, nxitën Shoqatën Amerikane te Zemrës (AHA) të rekomandonte suplementet me vaj peshku për pacientët me sëmundje të zemrës. Dhe në fakt, shumë kardiologë ndoqën këto rekomandime. Nuk kaloi shumë gjatë, dhe lajmi mbi përfitimet e vajit të peshkut në shëndetin e zemrës u përhap edhe në personat pa sëmundje kardiake.

Megjithatë, duhet thënë se, shumë studime të tjera rigoroze (si psh. studimi VITAL) nuk kanë arritur të vërtetojnë përfitimet që sjellin suplementet e vajit të peshkut.

Po çfarë thonë faktet?

Shumë mjekë, nuk janë dakord që dozat e larta të omega-r (3-4 gram në ditë) ndihmojnë në reduktimin e triglicerideve.

Por, kur bëhet fjalë për parandalimin e atakut në zemër, për shkak edhe të shumë studimeve kontroverse, kardiologët ndahen në dy kampe. Disa kardiologë e mbrojnë hipotezën për përfitimet e suplementeve të omega-3 dhe disa të tjera jo.

Kjo, deri sa dolën rezultatet e studimit që ndryshoi gjithçka.

Studimi REDUCE-IT analizoi efektin e dozave të larta të EPA (një lloj omega-3), në personat me sëmundje të zemrës ose me risk të lartë për sëmundje të zemrës, të cilët ishin duke marrë statina ose kishin nivel të rritur të triglicerideve.

Rezultatet ishin mahnitëse.

Personat të cilët merrnin suplemente omega-3 kishin një reduktim prej 25% të sëmundjeve të zemrës dhe strokut dhe një reduktim me 20% të vdekjeve nga sëmundjet kardiake.

Por, pse ky studim pati kaq rezultate pozitive, kur ndërkohë studime të tjera nuk kanë treguar përfitime të dukshme? Ndër arsyet mund të jenë: doza e lartë e përdorur (4 gram në ditë), ose përdorimi i një forme të pastër omega-3 si EPA (dhe jo miksi i zakonshëm i EPA me DHA).

E vërteta është se nuk e dimë saktësisht pse-në e këtij rezultati. Megjithatë, shumë shoqata mjekësore kombëtare dhe ndërkombëtare, tashmë rekomandojnë përdorimin e EPA në pacientët me risk të lartë, që marrin statina dhe kanë nivel të rritur të triglicerideve.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga menaxhimi i peshës tek sasia e kripës

10 hapa për një zemër të shëndetshme!