Në shtator të 1791-it, Olympe de Gouges, aktivistja franceze botoi një tekst avangardë: “Deklarata e të drejtave të grave dhe qytetares”, një dokument ligjor sipas modelit të “Deklarata të drejtave të burrit dhe qytetarit” të vitit 1789. U besoi premtimeve të iluminizmit francez, por në moshën 45-vjeçare përfundoi në trekëmbësh. Kjo është historia e një feministeje ante litteram, që i pagoi me jetë idetë e saj të ndriçuara./Konica.al
“Burrë, a je i aftë të tregosh drejtësi? Po të pyet një grua. Më thuaj: kush ta dha fuqinë sovrane, për të shtypur seksin tim?”.
Luftarakja Olympe de Gouges, në mes të Revolucionit Francez, guxoi t’i bënte këtë pyetje universit mashkullor: deputetëve të Asamblesë Kombëtare, por edhe burrave, baballarëve, vëllezërve, të dashurve, me qëllim që ata të njihin barazinë e të drejtave midis burrave dhe grave. E pakënaqur, në jetën e saj të shkurtër, ajo luftoi në favor të divorcit dhe heqjen e dënimit me vdekje e skllavërisë. Me pak fjalë, një grua e guximshme dhe e bezdisshme, të cilës Robespieri arriti t’ia mbyllte gojën, në moshën 45-vjeçare, nën tehun e mprehtë të gijotinës. Ishte 3 nëntor 1793, në mes të regjimit të Terrorit: dy javë më parë ishte ekzekutuar mbretëresha Mari Antuaneta.
“Ishte një nga të paktat gra që u ekzekutua për botimin e shkrimeve politike”, – pohon historiani francez Olivier Blanc, i pari që botoi një libër për Olympe de Gouges. Vetëm kohët e fundit është njohur si pararendëse në historinë e ideve. Një grua e jashtëzakonshme, jo vetëm për angazhimin e saj të gjatë politik, por mbi të gjitha për pozicionet e saj avangardë, shprehej me guxim.
Tejet e apasionuar, Olympe pati guxim me tepri.
Në moshën 22-vjeçare u largua nga qyteti i lindjes, Montauban, në jug të Francës, për në Paris në kërkim të pasurisë. Nuk pati keqardhje, pasi la një fëmijëri të varfër dhe një martesë të dështuar me Louis-Yves Aubry, të imponuar nga familja në moshën 16-vjeçare: “Një burrë i moshuar, që nuk ishte as i pasur dhe as nga familje e mirë”, – shkroi Olympe. Ky i fundit vdiq pas një viti, duke e lënë vejushë me një fëmijë në ngarkim. E djegur nga përvoja, ishte betuar se s’do ngjitej kurrëmë në altar: për të martesa ishte “varri i besimit dhe dashurisë”./Konica.al/ Në 1770, Olympe u transferua në kryeqytet së bashku me djalin, Pierin dhe Jacques Bietrix de Rozieres, një biznesmen i pasur në fushën e transportit për ushtrinë. […] Për më tepër, bukuria e saj nuk mund të mos binte në sy: “Në sytë e saj, shkëndija elektrike ndiznin mendimin dhe pasionin; ca flokë të zinj të magjishëm, me kaçurrela që i dilnin shkujdesur nga rrjeta prej dantelle; një profil grek dhe një figurë harmoniose”, – kështu e përshkroi një bashkëkohor. Në Paris u apasionua pas teatrit dhe shkrimit. Frekuentoi artistë, intelektualë, filozofë dhe shkrimtarë, por ishte e vetëdijshme për limitet e saj, mezi lexonte dhe shkruante, si të gjitha gratë e kohës dhe klasës së saj, ky ishte një nga shqetësimet më të mëdha të jetës së saj. Olympe ndjente në vetvete një dell letrar, të cilin ia atribonte babait të vërtetë: në fakt, ajo nuk ishte vajza e kasapit Pierre Gouze, siç figuronte e regjistruar, por e një njeriu të letrave, Marquis Jean-Jacques Lefranc de Pompignan, nga i cili nuk u njoh kurrë. Nga viti 1784 deri në vdekjen e saj, nëntë vjet më vonë, Olympe shkroi, ose më mirë diktoi, rreth njëzet pjesë teatrale, si dhe rreth gjashtëdhjetë tekste politike, pamflete, postera, artikuj dhe fjalime, gjithmonë me konotacione të forta shoqërore. Tashmë po çonte përpara misionin e jetës: të sensibilizonte opinionin publik mbi gjendjen e grave. Në parathënien e “Burri bujar” shkroi: “Ja se sa i brishtë është seksi ynë. Burrat kanë të gjitha avantazhet… Jemi përjashtuar nga çdo fuqi, nga çdo njohuri”. Në 1789, me shpërthimin e Revolucionit, shpresat e Olympe u ngërthyen pas motos: “Liri, Barazi, Vllazëri”, por pavarësisht reformave të shumta të stilit iluminizëm, midis burrave dhe grave kishte fare pak “barazi”.[…] Meqë “Deklarata e të drejtave të burrit dhe qytetarit” e lëshuar në 1789, nuk përmbante referenca për gratë, vendosi ta kompensojë këtë mungesë, duke përgatitur një tekst ligjor ad hoc: “Deklarata e të drejtave të gruas dhe qytetares” (1791), e menduar për të rivendosur barazinë midis gjinive, një temë e lënë pas dore nga Revolucioni. Pika e parë thotë: “Gruaja lind e lirë dhe ka të njëjtat të drejta si burrat”, e ndjekur nga 16 pikë të tjera. Olympe i dërgoi edhe një kopje Mari Antuanetës, shoqëruar me një letër: “Mbështesni, Zonjë, një kauzë kaq të bukur, mbrojeni këtë seks të pakënaqur dhe së shpejti do të kesh gjysmën e mbretërisë në anën tënde”. Por Deklarata e të Drejtave të Grave u gjykua e tepërt dhe skandaloze: apeli i saj ra në vesh të shurdhër, mes armiqësisë së burrave dhe mungesës totale të solidaritetit të grave, që druheshin se mos krijonin pakënaqësi tek bashkëshortët, nga të cilët vareshin ekonomikisht./Konica.al/ Referenca në tekst rezultoi e padobishme: “Gra, o gra! Kur do të reshtni së qeni të verbëra? Çfarë avantazhesh keni fituar nga Revolucioni?”. Betejës së saj iu bashkuan fare pak dhe për Olympe qe një zhgënjim i hidhur. Në 1792, Revolucioni po degjeneronte në Terror. U shpall republika dhe filloi gjyqi i Luigjit XVI. Çdo ditë e më tepër situata politike bëhej më e paqëndrueshme, kështu që gruaja trime firmosi një Manifest, i cili më vonë rezultoi fatal për të, pasi ishte pro një qeverie federale, ku secili departament mund të zgjidhte llojin e vet të qeverisjes. Firma në manifest doli si një thikë me dy tehe: sapo ishte miratuar një ligj (më 29 mars 1793), ku Franca shpallej “një dhe e pandashme”. Kush e kishte kundërshtuar, i priste dënimi me vdekje./Konica.alKështu Robespieri (1758-1794) shfrytëzoi rastin për t’ia mbyllur gojën njëherë e përgjithmonë. U burgos për tre muaj nën një regjim të ashpër dhe u çua në gijotinë më 3 nëntor 1793, në moshën 45-vjeçare, pas një procesi fars, ku nuk iu lejua avokat mbrojtës: “Keni aftësitë e mjaftueshme për ta mbrojtur veten”, – i thanë.
Pasi i prenë kokën, prokurori Chaumette deklaroi: “Kujtoni të paturpshmen Olympe de Gouges […], të harruarit e virtyteve të gjinisë së saj e çuan në trekëmbësh. Ne duam që gratë të respektohen, kjo është arsyeja përse ne do t’i detyrojmë ato të respektojnë veten”.!!!/Konica.al