MENU
klinika

Kategoria Superiore, java 12

Thyhet Skënderbeu, Partizani rimerr kreun

07.11.2018 - 15:56

Java e 12-të e Kategorisë Superiore në futboll ka sjellë ndryshime në krye të renditjes, por edhe më poshtë ka pasur zhvillime. Laçi po tregohet se është një kockë e fortë dhe dy humbjet ishin të rastësishme, pasi ka mundur në “Selman Stërmasi” me rezultatin 2-0 ekipin e Skënderbeut.

Shkodrani Shtubina shënoi golin e parë të ndeshjes në minutën e shtatë, ku meritë të madhe kishte Xhixha, i cili gjatë gjithë ndeshjes çmendi mbrojtjen e Skënderbeut. Korçarët duket se duan vetëm ndeshje të mëdha, sepse kundër Laçit dukeshin të përgjumur, faji edhe i stadiumit thuajse bosh.

Ndërrimet e Memellit ishin më të goditura dhe në pjesën e dytë Laçi erdhi në rritje, humbi raste dhe shënoi golin e sigurisë me Gjonin 5 minuta para fundit. Ndryshon renditja e Superiores, Skënderbeu nuk është i pathyeshëm.

 

LAÇI – SKËNDERBEU 2-0

Shtubina 7′, Gjoni 85′

Laçi: Selmani, Fangaj, Toro, Gjoni, Sefgjini, Jonuzi (Eller 64′), Shtubina, Najdenov, Lushkja, Xhixha, Altiparmanovski (Berisha 35′). Trajner: Migen Memelli.

Skënderbeu: Teqja, Vangjeli, Radas, Aliti, Abazi, Muzaka, Dita, Demte (Guexh 69′), Gripshi (Krasniqi 54′), Bregu, Oto Xhon. Trajner: Orges Shehi.

Gjyqtarë: Juxhin Xhaja, Egin Doda, Renato Malaj, Hermal Llapra.

Kartonë të verdhë: Altiparmakovski 28′, Sefgjini 37′, Berisha 59′

Ka përfituar nga kjo Partizani, që ka mposhtur në Fushë-Krujë ekipin e Kastriotit 2-1 dhe rimerr kështu kreun e klasifikimit, të cilin e mbante deri para dy javësh. Një ndryshim vendesh në renditje dhe kjo falë ndeshjeve të fundit.

Të dy golat u shënuan nga Jurgen Bardhi, i cili më në fund zhbllokohet. Pavarësisht fitores ishte një ndeshje aspak e lehtë për të kuqtë e Skënder Gegës, të cilët rrezikuan jashtëzakonisht shumë, pasi krutanët patën disa mundësi për të barazuar në pjesën e dytë.

Kastrioti ndërkohë nga ana tjetër, arrin të bëjë një pjesë të dytë mjaft të mirë, ku Hoxha si fillim ndali një mundësi mjaft të mirë të Roxher, ndërsa më pas ishte Labinot Ibrahimi, i cili pak minuta përpara fundit largoi një top thuajse në vijën fatale, duke mbajtur të kuqtë në epërsi.

KASTRIOTI- PARTIZANI 1-2

Roger 37′ / Bardhi 19′, 36′

Kastrioti: Kuka, Husein, Çela, Stijepoviç, Domgjoni, Ymeraj, Shehu, Okebugu, Marku (Vatnikaj 55′), Bardhi, Atsina (Roxher 35′). Trajner: Stavri Nica.

Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Belica, Gojkoviç, Trashi, Telushi, Hila (Çinari 62′), Kote, Mala (Mensah 70′), Asani, Bardhi. Trajner: Skënder Gega.

Gjyqtarë: Orlando Kuka, Dojando Myftari, Nertil Bregasi, Ardian Beqiri.

Kartonë të verdhë: Marku 48′, Shehu 73′

Ndërsa në Teuta ka surprizuar sërish, teksa ka përmbysur shifrat në Kamëz ndaj ekipit vendas, nga 1-0, në 1-3. Një rezultat fantastik për durrsakët, ndërsa për Kamzën shumë zhgënjyes, cka mund të sjellë edhe ndryshime të tjera në drejtim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kategoria Superiore, java 12

Tirana dhe Kukësi ndalin njëri-tjetrin