Dhjetë firma ndërtimi janë të përfshira aktualisht në procese gjyqësore me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Kompanitë i janë drejtuar Gjykatës Administrative për të anuluar gjobat e vendosura nga ky institucion.
Ato janë gjobitur sepse nuk kanë zbatuar procedurat e përcaktuara me ligj që i detyrojnë të identifikojnë klientët, burimet e fondeve, analizimin e transaksioneve e deri te moszbatimi i detyrimit për raportimin e transaksioneve në para fizike. Gjobat për këto lloj shkeljesh shkojnë nga 300 mijë lekë deri në 5 milionë lekë.
Investimi në ndërtim apo blerja e pasurive të paluajtshme vijojnë të mbeten një prej rrugëve kryesore për pastrimin e parave, ndërkohë që kompanitë e ndërtimit mbeten ndër subjektet më të ekspozuara kur vjen fjala te shkelja e legjislacionit në këtë drejtim.
Jo vetëm Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, por edhe Policia e Prokuroria janë shprehur se një pjesë e mirë e parave të ardhura nga krimi kanalizohen në tregun e pasurive të paluajtshme, ndërtimin e hoteleve e resorteve turistike.
Sipas ligjit, palët e lidhura me transaksionet në vlera të mëdha, si bankat, noterët apo firmat e ndërtimit janë të detyruara të raportojnë çdo transaksion të dyshimtë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.