MENU
klinika

Shamit' e zeza të luftës për liri!

Rubet si bora morën ngjyrën e korbit…

05.11.2021 - 18:22

         Marin Barleti, për vdekjen e Gjergj Kastriotit, ndër të tjera do të shkruante:

“Kur e dëgjoi që po e qanin të vdekur, Lekë Dukagjini, princ epiriot, doli me vrap në mes të pazarit dhe me fytyrë të pikëlluar e me zë të mbytur tha, duke shkulur mjekrën dhe flokët; Mblidhuni, mblidhuni me vrap të gjithë, o princër e sundimtarë arbërorë. Sot u bënë copë dyert e Epirit dhe të Maqedonisë, sot u rrëzuan muret dhe fortesat tona, sot fluturoi tërë forca dhe fuqia jonë, sot u përmbysën fronet e pushtetet tona, sot u shua krejt së bashku me këtë njeri çdo shpresë jona.” (Marin Barleti, “Historia e Skënderbeut” shkruar në fund shek. XV, botuar në Romë në vitet 1508-1510.)

Studiuesi dhe etnologu Dhosi Liperi, në librin “Mitologjia Skënderiane”, pas një pune të gjatë studimore ndër malësitë e veriut, duke u referuar në traditën vendase, ndër të tjera shkruan:

Në vdekjen e Gjergj Kastriotit… princi i Mirditës Lek Dukagjini, mori pluhur të zi e, duke ia hedhur përsipër xhokes së tij thirri si përçart: “Xhoket e bardha, me kulira e me shtufa e me theka si dëborë, t’i nxijmë. T’i nxijmë, që thekat e zez të tyre, kur të pajiten mbi trupin tonë, të na goditin e të na kujtojnë porositë e tij; forcë të na japin, urrejtje të na zgjojnë e për hakmarrje të na nxisin, që sërish lirinë ta fitojmë. Dhe mbi kokat tona tisi i zi të bjerë, që kurrë nga mendja të mos na hiqet gjëma që na gjeti.”

Kështu nxin dhe kokën, në atë hov trishtimi edhe dëshpërimi.“Dhe ju o motra, stravecevet tuaja të bardha e rubet si bora ngjyrën e korbit t’u jepni. E zeza t’ju kujtojë or’e çast korbin e zi, e amanet bijve tuaj t’ua lini luftën për liri….”

Të parët që e dëgjojnë e po veprojnë si ai, janë njerëzit e tij. Por si për çudi bindet edhe populli dhe e imiton. Korrubet e thasët shpërndahen e pluhuri i zi jepet dorë më dorë. E thonë edhe sot malësorët, siç e kanë dëgjuar gojë pas goje prej gjysh stërgjyshi. Burrat e Mirditës mbajnë xhoken e zezë me theka e grat’e tyre stravecat e zeza e shamijat (rubat) e zeza, në shenjë zije për Gjergjin e Kastriotëve…

Ende nënat e gjyshet në veri të Shqipërisë, e mbajnë gjallë klithmën e burrave ditën e gjëmës për Arbrit… Amanet e luftrave të Kryqit të Besimit e Lirisë./Konica.al