MENU
klinika

Shën Gjon Vladimiri

Muzeu Kombëtar kthen reliktet Kishës Orthodokse

07.11.2021 - 12:30

          Lipsanet e Shën Gjon Vladimirit, që ruheshin në Muzeun Historik Kombëtar kanë dalë prej aty dhe i janë dorëzuar Manastirit që mban emrin e shenjtit në Elbasan, kjo si rrjedhojë e kërkesës së përsëritur nga ana e Mitropolisë së Elbasanit.

Përgjigjja zyrtare e Muzeut Historik Kombëtar:

“Referuar shkresës, Mitropolia thekson se lipsanet përbëjnë trashëgimi dhe pasuri shpirtërore fetare ortodokse shqiptare. Njëkohësisht përmes marrëveshjeve, ‘shteti i njeh Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë të drejtën e pronës mbi sende të luajtshme dhe të paluajtshme’…Kërkesa thekson se lipsanet duhet të jenë pranë manastirit të Gjon/ Joan Vladimirit për shkak se kanë karakter të shenjtë dhe qëndrimi i këtyre objekteve në fondet e Muzeut Kombëtar nuk përbën vlerë të shtuar apo interes letrar e shkencor, nuk nderohen dhe respektohen sipas besimit orthodoks, arsye kjo pse ato duhet të zhvendosen… Komisioni i ngritur vlerësoi të kryhet zhvendosja e përkohshme e dy objekteve të trashëgimisë kulturore në manastirin e Shijonit në Elbasan me afat 5-vjeçar”.

Lipsanet u morën nga Manastiri më 1967, kur objekti i kultit kthye në repart ushtarak. Prej aty u çuan në kishën-muze të Shën Mërisë, deri në vitin 2004, kur u vendosën në ambientet e Muzeut Kombëtar.

Por, pse janë të rëndësishme lipsanet për një kishë?

Andi Rëmbeci, historian bizantolog, thekson se “Krishtërimi u themelua në një kohë që ishte armiqësore ndaj tij, krishterët jetën fetare e kryenin në katakombe në atë kohë. Sot e kësaj dite, kishat kanë altarin që simbolizon varrin e Krishtit ose të një shenjtori. Brenda një altari vendosen reliktet e një shenjtori”.

Pas perandorit Apostat, që riktheu paganizimin nëna e perandorit Kostandin, Elena, u përpoq të mblidhte reliket e shenjtorëve duke krijuar traditën e pelegrinazhit. Rëmbeci rrëfen udhëtimin e relikeve të Shën Gjon Vladimirit, duke treguar se ai “U vra me kokëprerje nga Ivan Vladislavi. Kozara e shoqja, e solli reliktet në Krajë pranë Malit të Zi. Pas vitit 1204, kur despoti i Epirit arriti deri në Shkodër i mori reliket dhe i solli në Durrës. Në shekullin e 14, princi shqiptar Karl Topia, ndërton ku është sot manastiri në Shijon të Elbasanit, kishën e vjetër që ia kushton Shën Gjon Vladimirit për nder të të cilit, zhvendos dhe reliktet në manastirin e ri”.

Në një Shqipëri ku para ‘90-ës trashëgimia kulturore u shkatërrua nga komunistët, ndërsa pas ‘90-ës u plaçkit dhe u shit, përfshirë dhe ikona mesjetare, shqetësimi publik i atyre që nuk janë besimtarë është siguria e objekteve unike, siç mund të cilësohen lipsanet.

Rëmbeci thotë se “lipsanet në një kishë janë në shtëpinë e tyre. Kishat janë të ruajtura. Lipsanet janë objektet më të shenjta të kishave. Lejomëni të kujtoj që kishat, ikonat, veprat kishtare, lipsanet e çdo gjë tjetër nuk i kanë ruajtur strukturat shtetërore gjatë shekujve. Kjo ka hyrë në botëkuptimin tonë gjatë komunizmit, kur shteti i sekuestroi dhe u detyrua t’i ruajë ato”.

Ky është rasti i parë që një objekt i regjistruar si pronë e muzeut, del prej tij.

Nga Mikom Zeqo: Kush është Gjon Vladimiri, përse kulti i tij para së gjithash nderohet nga shqiptarët?

Literatura shkencore dhe ikonografike për Gjon Vladimirin është relativisht e gjerë. Studimi i albanologut të madh kroat Milan Shufflay për kultin e Gjon Vladimirit përbën një strukturë konceptuale, të pazëvendësueshme për këtë figurë.

Sipas Shufflay-t, kulti i Gjon Vladimirit përbën një nga kultet më të mëdha të krishtera për gjithë Ballkanin, ky kult është i çuditshëm dhe i pastudiuar deri në fund, nuk ka ende një studim përfundimtar dhe shterues. Ky kult i cili ka lëvizur vetëm në qarkun etnik shqiptar, brendapërbrenda mjedisit shqiptar, megjithatë, është nderuar edhe nga sllavët e Jugut, edhe nga serbët, maqedonasit e kroatët. Ka debate shkencore dhe fetare për Gjon Vladimirin, ka dhe falsifikime dhe pasaktësi të nisura nga politika shoviniste dhe të qëllimshme kryesisht antishqiptare. Por, është fakt që kulti i Gjon Vladimirit ka qenë një nga legjendat më të mëdha dhe më të rëndësishme të Ballkanit, siç e ka quajtur Milan Shufflay. Gjon Vladimiri ka qenë princi i krahinës së Krajës pranë Ulqinit, një tokë me popullsi ilire-shqiptare e kahershme në shekullin XI.

Gjatë një vizite që autori i këtyre rreshtave bëri në janarin e vitit 2006, pa me sytë e tij gërmadhat e shtëpisë princërore të Gjon Vladimirit në Krajë si dhe një pus të madh që mban emrin e gruas së Gjonit, princeshës Kosara. Gjon Vladimiri (i quajtur në burimet sllave si Ivan Vladimiri) iu nënshtrua Carit bullgar Samuel, kur ky pushtoi Shqipërinë veriore. Mbasi u bë Vasal i Carit Samuel, Gjoni u detyrua të martohej me vajzën e Samuelit, princeshën Kosara.

Ky vasalitet u prish, sepse Gjon Vladimiri u bashkua në aleancë me perandorin bizantin Vasili II. Cari bullgar Samuel e vrau në mënyrë të pabesë princin kryengritës të Krajës, Gjonin, madje së bashku me të shoqen, Kosarën. Qe pikërisht kjo kryengritje kundër bullgarëve, martirizimi politik i Gjon Vladimirit, që bëri që shqiptarët në Krajë, në Anamal dhe në Ulqin ta quajnë Gjon Vladimirin një martir, në radhë të parë për lirinë e tyre, që sakrifikoi kundër pushtuesve bullgarë, pra pushtuesve sllavë. Si martir, qenë pikërisht shqiptarët që pa asnjë akt zyrtar kanunizues e shpallën Gjon Vladimirin një shenjtor të madh, një shenjtor që në fakt nuk u bë i tillë nga asnjë akt i shënuar incriptus nga kishat e krishtera, qoftë të ritit lindor ortodoks serb, qoftë të ritit perëndimore katolik të Romës.

Është e habitshme, por është plotësisht e vërtetë që kultizimi dhe shenjtërimi i Gjon Vladimirit u bë në mënyrë popullore dhe në një mjedis tipikisht shqiptar. Shumë dijetarë e quajnë Gjon Vladimirin me origjinë sllave, duke u nisur edhe nga fakti që në burimet sllave ai quhet Ivan Vladimiri.
Por, krahina e Krajës, madje mali i quajtur Katërkollë (shihni ju lutem për toponim, që përbëhet nga fjalë shqipe, nga fjala “katër” dhe fjala “Kolë”, që shpjegohet me emrin nga katër kishat e Shën Nikollës dikur në këtë mal.

Eshtrat e Gjon Vladimirit në Durrës u nderuan nga besimtarë të dy kishave të Kishës Lindore dhe Perëndimore. Ky nderim në Durrës i shoqëruar edhe me panaire të mëdha, nga më të mëdhatë e mesjetës, ditën e 22 majit, që është dita e Shenjtit, vazhdoi për gati 1 shekull e gjysmë. Janë të shumta dokumentet që lidhen me Durrësin deri në shekullin XIV që tregojnë sesi reliktet e Gjon Vladimirit nderoheshin madje duke i kushtuar vepra letrare fetare dhe dhurata të shumta ex-voto. Nuk e dimë deri më sot se ku ka qenë kisha që ka strehuar reliktet e Gjon Vladimirit në Durrës.

Por, mësojmë nga disa burime se në një nga katedralet e klerit dominikan të Durrësit nderohej së tepërmi martirizimi i Shën Astit, që u vra nga perandori romak Trajan në vitin 100, por nderohej edhe vetë shenjtori Gjon Vladimiri dhe se për të dy këta shenjtorë kishte gojëdhëna të përafërta dhe tejet ekzotike, shoqëruar edhe në vargje në gjuhën latine dhe greke. Një nga princërit më të rëndësishëm dhe më të kulturuar shqiptarë të shekullit XIV, Karl Topia, në vitin 1381 mori eshtrat e Gjon Vladimirit dhe i vendosi në kishën që ai e ngriti dhe e ndërtoi së bashku me manastirin e Shën Gjon Vladimirit pranë Elbasanit.

Karl Topia ngriti një nga manastiret më të famshme, qendër kulturore e jashtëzakonshme për shqiptarët. Në këtë manastir kryet e vendit e kishte sarkofagu madhështor që kishte brenda pjesët e trupit të shenjtorit Gjon Vladimiri. Sipas një shënimi ka pasur edhe afreske në mur ku tregoheshin ndodhitë dhe bëmat e shenjtit. Në fondin e dorëshkrimeve të manastirit, kishte kodikë, shënime arkivore, libra psalmikë dhe me poezi në disa gjuhë për kultin e Gjon Vladimirit.

Për fatin e keq, kjo kishë u dogj nga gjermanët në 1944, çdo gjë u shkatërrua në një llahtari të papërshkrueshme; humbja kulturore siç mund të kuptohet është e pariparueshme, sot ekzistojnë muret akoma në këmbë në absidën e kishës së manastirit, ruhen gjurmë afreskesh, që dëshmojnë për një lavdi të madhe të dikurshme. Nga ky manastir është marrë porta monumentale e gdhendur në gur së bashku me emblemën, stemën heraldike të princit Karl Topia dhe mbishkrimin në tri gjuhë të Karl Topisë dhe sot ky monument shumë i rrallë dhe i jashtëzakonshëm. Ai ndodhet i ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar. Nga mbishkrimi mësojmë se manastiri u ngrit në vitin 1381 në vendin e një kishe më të vjetër. Manastiri në të vërtetë u bë katër herë më i madh sesa kjo kishë e vjetër.

Emblema e Karl Topisë është tipike dhe përbën një vepër arti të pazakontë në shekullin XIV në historinë e artit tonë kombëtar. Emblema është në relief të hollë, ka në qendër si figurë kryesore luanin heraldik me kurorë mbretërore të ulur mbi një fron, nën të është forma e një libri të hapur, pastaj ka një fushë dekorative ku duket skalitja e 20 kryqeve, 10 prej tyre janë mbyllur me rreth si dhe figurat e stilizuara të zambakëve si shenja mbretërore të fronit francez, konkretisht dinastisë së anzhuinëve, të cilët më 1272 krijuan edhe shtetin e madh mesjetar shqiptar të quajtur Mbretëria Shqiptare (Regnum Albaniae), me kryeqytet Durrësin.

Shenjat e zambakëve janë vënë në këtë emblemë për të treguar lidhjen e Karl Topisë me një origjinë të supozuar të tij, në fakt me një lidhje krushqie me një princeshë franceze.

Nga ana tjetër, politikisht, Karl Topia ka luajtur me idenë e Mbretërisë së Shqipërisë së Anzhuinëve të shekullit XIII, sepse një shekull më vonë është Karl Topia, që synon të quhet mbret i shqiptarëve.

Sipas studiuesit Gjergj Frashëri, fusha dekorative ka disa shenja që janë dëshmi e një kalendari grafik origjinal. Sipas këtij studiuesi, me një gjuhë simbolike grafike është shënuar në emblemën prej guri data e ngritjes së monumentit.

Kjo tregohet nga një vijë e vetme horizontale, e cila tregon shifrën 1000, nga tri vija vertikale (secila nga këto vija tregon shifrën 100, pra të tria së bashku tregojnë numrin 300), nga 8 vizatime zambakësh, që tregojnë së bashku shifrën 80 si dhe nga një vizë e vogël vertikale, që tregon numrin 1. Kështu gjithsej dilet te shifra 1381, pra një nga format më origjinale dhe më të çuditshme të patakuara deri më sot të shënimit të datës të një kalendari nga shqiptarët.
Duke parë me vëmendje fushën dekorative të emblemës së Karl Topisë, mund të them se ajo nuk është studiuar plotësisht nga pikëpamja simbolike, ka enigma grafike të pazbërthyera dhe përbën në vetvete një kod enigmatik të fshehtash dhe simbolesh.

Ajo që është më e çuditshmja dhe më e rëndësishme është se ky manastir u ka shërbyer në mënyrë barazimtare edhe katolikëve edhe ortodoksëve.
Dihet se Karl Topia ka qenë princ katolik. Ahere, pse ai ndërtoi një manastir të ritit ortodoks? Ai kishte kështu një vizion dhe politikë të sinkronizuar fetare, idenë e një kishe të përbashkët dhe të njëjtë nga pikëpamja institucionale si për shqiptarët ortodoksë, ashtu edhe për katolikët. Për t’i bashkuar shqiptarët e dy kishave, ai përdori jo gjëra të rëndomta dhe simbole të çfarëdoshme, por thesarin më të madh që kishte Shqipëria në shekullin XIV, eshtrat e Gjon Vladimirit.
Shikoni pikat gjeografike të tri qendrave të ndërtimit të këtij shenjti. Kraja shqiptare, Durrësi shqiptar dhe Elbasani shqiptar.

Nëse nuk merret parasysh ky realitet etnik, nuk mund të kuptohet fare as procesi i shenjtërimit, as prologu dhe deri diku as epilogu i historisë së eshtrave të shenjta.
Shumë apologji të kishës serbe si kudo në politikë dhe histori në shkrimet e tyre e mohojnë pa asnjë logjikë mjedisin shqiptar nga fillimi deri në fund të nderimit të eshtrave të Gjon Vladimirit. Argumenti që përdorin serbët se Gjon Vladimiri është me origjinë sllave është i pasaktë, por edhe një argument aprioristik. Nga ana tjetër, emri “Gjon” është emër tipik i përdorur nga shqiptarët; ai quhet kështu në rrethet e Ulqinit, por dhe kudo në Shqipëri.

Askush këtij shenjti nuk i thërret me emrin Ivan, sipas sllavëve, apo Johan, sipas grekëve.
Janë shqiptarët ata që kanë krijuar disa vepra arti të shkëlqyera, madje kanë botuar edhe libra të veçantë kushtuar Gjon Vladimirit, të mbiemëruar më pas edhe si elbasanasit (në të vërtetë ulqinakut, ose më saktë nga Kraja).
***
Në arkivin e Muzeut Historik Kombëtar ndodhet dhe një reliktuar i rëndësishëm prej argjendi i Gjon Vladimirit. Reliktuari me dimensione 20x15x3 cm ka dhe pjesë nga eshtrat e Gjon Vladimirit. Reliktuari ka në reliev figurën në këmbë të shenjtit me kokën të prerë në dorën e majtë, e njëjta ikonografi me reliktuarin e parë, për të cilin unë kam shkruar një studim më 2006-ën, pra 10 vite më parë. Së fundi do të shtoj se “nacionalizimi” absolut i kultit të shenjtit si nga serbët, shqiptarët dhe grekët do të qe një ambiguitet pa asnjë kuptim. Vetë liturgjia e krishterë, ikonizimi dhe kulti i shenjtorëve ka më tepër një karakter ekumenik, dhe kjo përbën semantikën kryesore dhe të patjetërsueshme.