Pjesa e dytë
Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), në të cilat gjenden proces-verbalet e dy mbledhjeve të Byrosë Politike të mbajtura në vitet 1965 – ‘66, ku Enver Hoxha pas i komunikoi Fadil Paçramit në mbledhjen e 16 qershorit 1965, se Byroja Politike kishte vendosur ta emëronte në detyrën e ministrit të Kulturës dhe Arteve, i vë në dukje atij, duke i thënë se vazhdonte të merrej me drama, duke lënë mënjanë punën dhe problemet e Partisë, aq sa kur në teatrin “Migjeni” po luhej një nga pjesët e tija, ai u ngrit dhe për gjithë natën shkoi në Shkodër, ku pasi e pa dramën, bëri një mbledhje me intelektualët e qytetit?! Mbledhja e shkurtit të vitit 1966, ku Enver Hoxha pasi u komunikoj tre anëtarëve të Byrosë Politike, Manush Myftiut, Rita Markos dhe Gogo Nushit, emërimin e tyre si sekretarë të parë të Komiteteve të Partisë të rrethit të Tiranës, Durrësit e Beratit, duke u dhënë detyrat e porositë përkatëse për atje ku do shkonin me punë dhe uruar atyre suksese në detyrën e re, në fund të mbledhjes, i kërkoi Manush Myftiut, që ai t’i tërhiqte veshin Fadil Paçramit, pasi ai vazhdonte të merrej me drama dhe po vinte në Teatrin e Operës e Baletit, dramën e tij, “Shtëpia në bulevard”! Shpërthimi i Enverit në atë mbledhje, duke e konsideruar dramën e Paçramit një skandal të vërtetë dhe një punë të poshtër, pasi sipas tij, aty nuk po viheshin vepra për mësuesin që hapi 45 shkolla në Mirditë dhe e vranë, për trimat që ranë në luftë për lirinë e atdheut, për Skënderbeun etj., por vihej drama e tij, për një vajzë që kishte mbetur me barrë?!
Nga: Dashnor Kaloçi
Diskutimi i Enver Hoxhës në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, më 9 shkurt 1966
Në këtë mbledhje të Byrosë Politike mendojmë të paraqesim disa propozime për të forcuar punën e Partisë në bazë. Për këto propozime kemi pasur parasysh frymën e vendimeve që morëm, nevojën e madhe që del për të ndihmuar bazën si dhe dëshirën që shfaqën shumë shokë në mbledhjen e kaluar të Byrosë Politike për të vajtur në bazë, ku të japin ndihmën e tyre.
Kemi pasur parasysh gjithashtu që puna në qendër, domethënë në Byronë Politike, në Sekretariatin e Komitetit Qendror, në Qeveri dhe në Kryesinë e Këshillit të Ministrave, të mos dobësohet, përkundrazi të forcohet, duke i shkarkuar ato nga shumë gjëra të tepërta. Shokët që do të venë në bazë do të ndihmojnë edhe për forcimin dhe përmirësimin e punës në udhëheqje.
Një masë e tillë është e domosdoshme dhe urgjente të merret, së pari, për forcimin e punës, së dyti, nga ana politike, se njerëzit do të shohin që, si të gjithë, edhe udhëheqja e Partisë dhe e shtetit i përgjigjet hovit të madh të masave dhe të kuadrove që kanë kërkuar të venë në bazë. Kjo do të bëjë përshtypje shumë të mirë, njerëzit do të thonë se udhëheqësit e Partisë dhe të shtetit, fjalët i shoqërojnë edhe me vepra, shkojnë edhe vetë për të punuar dhe për të jetuar në bazë.
(Shoku Enver Hoxha, mbasi bëri disa propozime për të forcuar punën në qendër e në rrethe, vazhdoi):
Propozoj që shoku Manush Myftiu të vejë sekretar i parë i Komitetit të Partisë të Rrethit të Tiranës.
Shoku Rita Marko, të vejë sekretar i parë i Komitetit të Partisë të Rrethit të Durrësit.
Shoku Gogo Nushi të vejë sekretar i parë i Komitetit të Partisë të Rrethit të Beratit.
Të gjithë shokët që do të dërgohen nga qendra në detyrat e reja hëpërhë, gjersa të zgjidhen, të venë si të deleguar, por dua të shtoj që të mos qëndrojnë atje si në gjemba, këtë ta kenë të qartë të gjithë, prandaj, sipas posteve që do t’u ngarkohen, të ushtrojnë mirë kompetencat që u përkasin.
Aktualisht këta do të jenë si të deleguar të Komitetit Qendror, por konkretisht do të luajnë rolin e sekretarit të parë të Komitetit të Partisë. Prandaj, pa spostuar shokun që është i zgjedhur, i deleguari të bëjë ndarjen e punës me të. Tani ju urojmë juve, të tre shokëve, dalçi faqebardhë në detyrat e reja! Me këtë rast dëshiroj të them disa fjalë.
E para: vija dhe hovi revolucionar i Partisë sonë duhet të shkojnë kreshendo, në rritje, me qëllim që të bëhet një kthesë revolucionare në çdo drejtim, në radhë të parë në Parti, po edhe në pushtet e kudo. Ju, që do të veni në bazë, propozoj në mënyrë të veçantë që, porsa të shkoni, të punoni me një metodë të tillë pune që atje menjëherë të ndihet një kthesë rrënjësore sidomos në funksionet që do të kryeni.
Për këtë duhet që të shfrytëzoni eksperiencën më të mirë të punës suaj si anëtarë të Byrosë Politike në kohën kur shkonit që këtej në rrethe. Por, në këtë situatë, më duket se keni mjaft për të bërë në drejtim të përsosjes të metodës së punës, për të cilën duhet të mendoni mirë.
E dyta: ruhuni nga rutina, nga metoda e gjertanishme e punës së komiteteve të Partisë dhe të Komiteteve Ekzekutive se, me të vajtur atje, ka rrezik që kjo rutinë t’ju bëjë për vete dhe të adoptoni të njëjtën metodë pune që ka qenë praktikuar atje deri më sot, me ndonjë ndryshim të vogël. Këtë ta keni mirë parasysh, ndryshe do të mbyteni në punë dhe gjë s’do të bëni.
Puna juaj kryesore në bazë duhet të jetë me njerëzit në qendrat e punës e në kooperativat bujqësore. Ky orientim nuk është vetëm për ju, por për të gjithë punëtorët e aparateve të Partisë. T’i mësojmë shokët, sekretarët ose instruktorët e Komiteteve të Partisë, që, kur të ngarkohen me një punë, të punojnë gjithë ditën me njerëzit dhe të kthehen me detyrë të kryer. Në mbrëmje, edhe pse mund të jenë të lodhur, t’i raportojnë, sipas rastit, sekretarit të parë të Komitetit të Partisë, ose disa shokëve të caktuar që këtë punë, duke e pare në të tëra anët, politike, ekonomike, organizative etj., e përfunduan.
Mendoj se duhet të likuidohen rrënjësisht metodat e organizimit të mbledhjeve të tepërta, të fryra, të zgjatura dhe këto të zëvendësohen me mbledhje konstruktive, ku të shihen, në radhë të parë, ana politike, ideologjike dhe ekonomike e çështjes, si dhe masat që duhen marrë për të organizuar kontrollin e zbatimit të detyrave etj., e të bëhen shkurt, në mënyrë operative, por të thellë marksiste-leniniste konkluzionet e punës.
Të evitohet gjithashtu thirrja e komunistëve, e kuadrove dhe e punonjësve të ndryshëm gjatë kohës së punës në grupe nga 5 ose 10 veta në aparat, ku presin t’u vijë radha dhe bëjnë muhabet. E gjithë kjo rutinë, kjo metodë pune e prapambetur, duhet të ndryshojë. Varet shumë nga ju, shokë, që do të shkoni në bazë, që t’i jepni një ton të ri punës.
Është e domosdoshme që në të gjitha qoshet e punës së Partisë dhe të pushtetit, të zhduket çdo shfaqje metodës së komandimit dhe të zotërojë kudo metoda bindjes, se kështu tjetri do ta kuptojë më mirë kur t’i thuash që duhet të përpiqet më shumë për ta kryer detyrën. Të kemi parasysh gjithashtu se kur theksojmë që në punën tonë t’i referohemi kurdoherë metodës së bindjes, këtë të mos e kuptojmë sikur jemi të detyruar të qëndrojmë 20 orë, për të dëgjuar një njeri të ngeshëm që na thotë përralla.
Ne, si udhëheqës partie dhe shteti, kemi për detyrë t’i bindim njerëzit, t’i sqarojmë, por edhe ata që i këshillojmë duhet të mësohen të reflektojnë. Ne e kemi për detyrë t’ia shpjegojmë cilitdo një çështje që s’e kupton, mundet, po na lejoi koha, edhe t’ia ri shpjegojmë, por jo të vazhdohet i njëjti avaz, të bisedohet e stërbisedohet me të, se kjo nuk është frymë dhe metodë pune partie.
Pra t’i luftojmë fjalët dhe muhabetet e tepruara, shpjegimet e gjata e të stërholluara. Partia na mëson të jemi të matur, parimorë, të zgjidhim problemet drejt dhe shpejt. Mund ta mbash tjetrin vetëm pesë minuta por, po të kapesh te thelbi i çështjes, je në gjendje t’i thuash e ke apo nuk e ke drejt. Ai mund të thotë se unë nuk mbeta i kënaqur nga shpjegimet e tua, nuk u sqarova, por le të reflektojë edhe vetë një çikë.
Po të jetë e mundur mund ta presësh edhe një herë tjetër, por ka njerëz që nuk e pranojnë fare mendimin që i jep. Një njeriu të tillë s’ke ç’i bën, nuk ke kohë të humbasësh me të. Ne nuk kemi dalë t’i bëjmë qejfin atij që është i çakërdisur, ose që nuk i’a do interesi personal të bindet. Megjithatë sekretari i Partisë e ka për detyrë të sinjalizojë, për të mirën e këtij njeriu, disa njerëz, me të cilët ai ka të bëjë, që t’i rrinë afër dhe t’i mbushin mendjen.
E them këtë se te disa njerëz kanë zënë vend një sërë huqesh që nuk përputhen me frymën, metodën dhe stilin e punës së Partisë. Ata, me gjithë sqarimet që mund t’u japësh, “nuk jemi të qartë”, të thonë. Në të gjitha këto drejtime ne duhet të kemi shumë kujdes në qoftë se duam t’i ndërrojmë frymën dhe stilin e vjetër të punës. Tani që do të shkoni në bazë ju shokë, bëni kujdes që të mos përsëriten më nga drejtuesit e bazës stili dhe metoda e vjetër e punës.
Sipas praktikës së gjertanishme, kur vete sekretari i parë në një ndërmarrje, atje do të dalin ta presin patjetër drejtori, sekretari i organizatës së Partisë, shefi i kuadrit etj. Ne ta ndërrojmë këtë metodë pune. Ata mund të dalin përsëri ta presin sekretarin e parë, por këto të jenë takime pune dhe jo duartrokitje. Sipas rastit mund t’i themi drejtorit të qëndrojë në punën e vet, t’i themi sekretarit të organizatës-bazë të Partisë, gjithashtu të qëndrojë në punën e vet se, po ta ndiej nevojën, vij vetë andej nga ty, kurse tani, mund t’i thuhet, kam ardhur të takohem me punëtorët.
E rëndësishme është të kuptohet thellë se puna jonë nuk duhet të bazohet te takimi me kuadrot, por te forca e klasës punëtore. Pra t’u themi haptazi punëtorëve: “Unë kam ardhur në rrethin tuaj si sekretar i pare, të ndihmoj organizatën e Partisë me këto forca modeste që kam, por duhet që edhe të gjithë ju të punoni në frymën e Partisë, të realizoni detyrat. Këtu sundoni ju, jo drejtori ose sekretari i organizatës. Ata s’janë gjë tjetër, veçse pjesëtarë të këtij kolektivi, të cilët, më shumë se kushdo tjetër, duhet të bëjnë mirë detyrën që u është ngarkuar dhe, që ta bëjnë mirë këtë, ata duhet të jenë kurdoherë nën drejtimin dhe syrin tuaj e të Partisë. Prandaj kur gabojnë t’i kritikoni, mos bëni lëshime ndaj tyre”.
Një frymë e tillë pune duhet të përhapet në të gjithë Partinë, me qëllim që komunistët dhe masat të shikojnë më mirë ku kanë qenë të metat dhe si duhet t’i luftojnë ato. Shoku Manush, i cili do të ketë të bëjë edhe me institucionet kryesore të artit dhe të kulturës, ka një avantazh të mirë, është njeri me kulturë dhe dituri dhe njeh problemet e këtyre sektorëve. Kjo do ta ndihmojë atë që, kur vjen rasti, edhe Fadil Paçramin, ta thërrasë dhe t’i tërheqë veshin fort kur gabon.
Kur i thamë Fadilit të shkonte në “Zërin e popullit”, nuk deshi, por, kur i thamë të shkonte ministër, menjëherë pranoi. Është skandaloze shokë ajo që po ndodh me Fadilin si ministër i Kulturës dhe i Arteve. Dje mësova se po punohet për të vënë në opera dramën e tij “Shtëpia në bulevard”. Si është e mundur ta lejojë një gjë të tillë ministri i Kulturës?! Kjo dramë është një vërë në ujë!
Si mund të vihet në Opera një vepër e tillë që ka bërë Fadili, kur Opera nuk janë bërë akoma për trimat që ranë në luftën e madhe për lirinë e atdheut, për mësuesin që ngriti 45 shkolla në Mirditë dhe u vra nga armiqtë, për Skënderbeun etj., etj. Dhe Fadili na lejon të bëhet një opera në mënyrë të poshtër për një vajzë pse paska mbetur me barrë! Kjo është me të vërtetë revoltuese! Prandaj me këta njerëz duhet punuar shumë me kujdes, shoku Manush.
Ka rëndësi të madhe një gjë e tillë. As ju shokët e tjerë që do të shkoni në rrethe, mos u kënaqni me atë teatër apo estradë që ekzistojnë, as me atë punë të paktë që bëhet në fushën e kulturës dhe të arteve. Prandaj kërkoni që estradat, teatrot, grupet artistike etj., të gjallërohen, përpiquni të gjeni mjetet dhe mundësitë që ekzistojnë te ne, në mënyrë që jeta në rrethe të bëhet çdo ditë e më e shëndoshë politikisht, që të zhvillohet sa më mirë jeta kulturore, me qëllim që njerëzit jo vetëm të çlodhen, t’u lehtësohet puna, por edhe të edukohen.
Kjo ka rëndësi të madhe për jetën dhe për edukimin e punonjësve. Këto këshilla kisha për ju, shokë. Mund të mos i kem thënë mirë, mund të kem ndonjë gjë jo të drejtë, por më duket se, në krahasim me tërë atë punë të gjallë e revolucionare që duhet të bëjë Partia, prapë edhe këto që themi janë të zbehta. Prandaj hidhuni në jetë, punoni e luftoni bashkë me Partinë, me popullin, ndiqni pulsin e tyre, i nxitni njerëzit të gjejnë format e metodat më të përshtatshme për punën që të realizojnë detyrat më së miri. Memorie.al