MENU
klinika

Era e re...

Pse e rrezikon Njerëzimin inteligjenca artificiale?

21.11.2021 - 12:28

        Tanimë 98, ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Henri Kisinger, shfaq një fushë interesi krejtësisht të re: Inteligjencën Artificiale. Atë e intrigoi kjo fushë, pasi Erik Shmid, asokohe drejtues ekzekutiv i Google, e bindi të merrte pjesë në një leksion mbi këtë temë, në konferencën e Bilderbergut më 2016.

Së bashku me dekanin e Kolegjit të Informatikës në MIT, Daniel Hatenloher, po punojnë për librin e ri “Epoka e Inteligjencës Artificiale”, lidhur me zhvillimin e shpejtë të inteligjencës artificiale, gjë për të cilën, shprehen se “parashikon një revolucion në çështjet njerëzore”.

Libri argumenton se proceset e inteligjencës artificiale janë bërë kaq të fuqishme, kaq të shtrira në çështjet njerëzore dhe kaq shumë të paparashikueshme, sa nëse nuk menaxhohen me kujdes, mund ta kthejnë historinë njerëzore në një drejtim të rrezikshëm.

Dr. Kisinger, ju jeni burrë shteti me përvojë. Pse, për ju, Inteligjenca Artificiale ishte një temë me shumë rëndësi?

Kur isha student, shkrova tezën e diplomës prej 300 faqesh – që m’u ndalua ta botoj – me titull “Kuptimi i historisë”. Të kuptuarit dhe ku po shkojmë ne si shoqëri, më ka intriguar gjatë gjithë jetës.

Mrekullia teknologjike, nuk më magjeps aq shumë. Ajo që më intrigon është fakti që, ne po kalojmë në një periudhë të re të ndërgjegjes njerëzore, çfarë ende nuk e kuptojmë plotësisht.

Kur them periudhë e re e ndërgjegjes njerëzore, kam parasysh faktin se perceptimi i botës do të jetë i ndryshëm. Po kaq i ndryshëm, sa midis epokës së iluminizmit dhe mesjetës, kur bota perëndimore kaloi nga perceptimi fetar, në atë bazuar tek arsyeja.

Ky kalim do të jetë më i shpejtë, falë një dallimi të rëndësishëm. Iluminizmi karakterizohej nga perceptimi i një botë konceptuale, kjo e bazuar në besimin në Zot. Kësisoj, Galileo Galilei dhe pasuesit e iluminizmit kishin një filozofi mbizotëruese kundër së cilës, ata duhej ta vinin në provë sistemin e të menduarit.

Tek ai sistem, mund të gjejmë gjurmët e teorisë së evolucionit. Ne jetojmë në një botë që, në fakt, nuk ka asnjë filozofi; nuk ka një pikëpamje filozofike mbizotëruese. Në këto kushte, teknologët mund të ecin me shpejtësi përpara. Ata mund të sjellin risi e të ndryshojnë botën, por askush nuk mund të thotë sot: “Këtë, duhet ta integrojmë në diçka”.

Kur u takuat me Erik Shmid dhe ai ju ftoi të flisnit në Google, thatë se e konsideronit kompaninë si kërcënim për qytetërimin. Pse mendoni kështu?

Unë nuk doja që një organizatë të kishte monopolin në dhënien e informacionit. Mendoja se ishte jashtëzakonisht e rrezikshme që një kompani e vetme, të ishte në gjendje të ofronte informacion dhe të ishte në gjendje të përshtaste atë që ofronte, duke studiuar çfarë pëlqen publiku, apo e konsideronte të besueshme.

Kësisoj, e vërteta u bë relative. Kjo ishte gjithçka që dija në atë kohë. Arsyeja që ai më ftoi të takohesha me grupin e algoritmik, ishte që të kuptoja se kjo nuk ishte arbitrare, por se, pas saj kishte disa mendime dhe analiza.

Duke pasur parasysh se shumë njerëz mendojnë se nuk mund t’u besohet shumë kompanive të teknologjisë, për shkak se shumë nga manipulimet që ata kanë përdorur për të përmirësuar biznesin e tyre nuk kanë qenë domosdoshmërisht të shkëlqyera për shoqërinë, çfarë roli mendoni se po luajnë liderët e teknologjisë në këtë sistem të ri?

Mendoj se kompanitë e teknologjisë, po e udhëheqin botën drejt një ere të re të ndërgjegjes njerëzore, siç bënë dikur iluministët, kur kaluan nga feja tek arsyeja. Sot teknologët po na tregojnë sesi ta lidhim arsyen, me inteligjencën artificiale. Është një lloj tjetër njohurie në disa aspekte dhe kjo me arsye – bota ku unë jam rritur – secila provë mbështet tjetrën.

Në rastin e Inteligjencës Artificiale, gjëja më befasuese është se ju arrini në një përfundim që është i saktë. Por, nuk e di arsyen. Dhe kjo është një sfidë krejtësisht e re. Ndaj në disa aspekte, ajo që ata kanë shpikur është e rrezikshme. Por kjo e çon përpara kulturën tonë. A do të ishim më mirë nëse nuk do të ishte shpikur kurrë? Unë nuk e di këtë. Por tani që ajo ekziston, na duhet ta kuptojmë, pasi nuk mund të zhduket.

Cili mendoni se është roli kryesor gjeopolitik i rritjes së Inteligjencës Artificiale?

Nuk mendoj, se e kemi shqyrtuar si duhet këtë çështje. Nëse imagjinojmë një luftë midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, sot kemi armë të pajisura me inteligjencë artificiale. Si çdo inteligjencë artificiale, ato janë më efektive sipas planifikimit.

Po ashtu, ato mund të jenë shumë efektive në atë që ata mendojnë se është objektivi i tyre. Pra, po jetojmë në një botë me pasiguri më të vogla. Së dyti, meqenëse askush nuk i ka testuar vërtet këto gjëra në një operacion me shkallë të gjerë, nuk mund të thuash me saktësi se çfarë do të ndodhë kur të ndërveprojnë avionët luftarakë nga të dyja palët.

Pra, shqetësimi juaj është se Inteligjenca Artificiale është shumë efektive? Dhe nuk e dimë saktësisht, pse ata po bëjnë atë që po bëjnë?

Kompjuteri “Deep Think” u mësua të luante shah kundër ”vetes”, për 4 orë. Ishte një lojë shahu, që, asnjë qenie njerëzore nuk e kishte parë më herët. Kompjuterët tanë më të mirë, herë pas here mundin edhe veten. Nëse kjo ndodh në fusha të tjera – siç duhet dhe është – për këtë, bota jonë nuk është aspak e përgatitur.

Një nga gjërat për të cilat shkruani në libër është se, Inteligjenca Artificiale ka një lloj ane pozitive dhe të kundërtën. Ç’doni të shprehni me këtë?

Në thelb, kisha parasysh atë që thashë në Google. Deri më tani, njerëzimi supozonte se zhvillimi teknologjik ishte i dobishëm ose i menaxhueshëm. Ne po themi, se, mund të jetë shumë i dobishëm. Mund të jetë i menaxhueshëm, por ka edhe aspekte që nuk i kemi studiuar aspak ose jo mjaftueshëm. Kjo më shqetëson. Nuk them se duhet eliminuar, pasi tashmë është pjesë e jona. Por, duhet të krijojmë njëfarë filozofie, për të udhëhequr kërkimin në këtë fushë.

Kush duhet ta formulojë këtë filozofi? Cili është hapi tjetër?

Ne kemi nevojë për një numër grupesh të vogla, që bëjnë pyetje. Kur u diplomova, armët bërthamore ishin të reja. Dhe në atë kohë, një numër profesorësh të shqetësuar në Harvard, MIT dhe Caltech takoheshin shpesh të shtunave pasdite, për të pyetur: Cila është përgjigja? Si ta trajtojmë? Dolën me idenë e kontrollit të armëve bërthamore.

Dr. Kisinger, kur pas 50 vjetësh, dikush të kërkojë emrin tuaj në Google, cili do të dëshironit që të ishte fakti i parë rreth jush?

Që kam dhënë kontribut në konceptimin e paqes. Po ashtu, do të doja të mbahesha mend për disa gjëra që kam bërë. Por, nëse doni që ta përmbledh në një fjali, mendoj se nëse lexoni çfarë kam shkruar, i shërbejnë sërish të njëjtës temë.