MENU
klinika

Dekretimi i Lleshit

Vjen reagimi i Kryeministrisë pas deklaratës së Presidencës

10.11.2018 - 15:25

Ditën e sotme Presidenca erdhi me një reagim lidhur me propozimin nga Kryeministri për emrin e Sandër Lleshit në postin e ministrit të Brendshëm.

Sipas deklaratës u nënkuptua se këtë herë do të ketë më shumë shanse për dekretimin e Lleshit.

Pas këtyre deklaratave drejtori i Komunikimit të Kryeministrit Edi Rama, Endri Fuga, ka reaguar ndaj deklaratave të Metës për mosdekretimin e Sandër Lleshit si ministër të Brendshëm.

sander lleshi rama e meta-konica.al
sander lleshi rama e meta-konica.al

 

Deklarata e plotë:

“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e përshëndet përpjekjen e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për të kërkuar “përgjigje të qarta, të plota dhe shterruese, ndaj të gjitha çështjeve”, që sipas tij, Presidenti i Republikës, “nuk mundi të sqarohej herën e parë, pavarësisht nga përpjekjet e tij të vazhdueshme për bashkëpunim”, siç shprehet Presidenti përmes zëdhënësit, lidhur me dekretimin e Ministrit të Brendshëm.

Duke nënvizuar se “herën e parë”, Presidenti i Republikës nuk ka kërkuar asnjë lloj sqarimi nga Kryeministri, përkundrazi ka qenë Kryeministri që i ka kërkuar një takim sqarues Presidentit, pas letrës së dërguar nga ky i fundit për të shprehur refuzimin e paargumentuar të gjeneral Sandër Lleshit, si Ministër i Brendshëm, Kryeministri Edi Rama, e siguron opinionin publik se ditën e hënë, Presidenti Meta do të marrë përgjigje të qarta e të plota, lidhur me pyetjet e tij të dërguara shkresërisht.

Jo vetëm kaq, po në funksion të adresimit shterrues të problemit, që Presidenti i Republikës nuk e ka ngritur si problem në bisedën me Kryeministrin, por e ka ngritur shkresërisht, në formë pyetësori drejtuar Ministres së Mbrojtjes, vetëm dje, Presidenti do të marrë bashkë me përgjigjet edhe një zgjidhje shterruese, e cila nuk lë më asnjë shteg për interpretime të asnjë lloji. Për asnjë palë.

Duke shprehur besimin se në këtë proçes të ri, ku Kuvendi ka padiskutim fjalën e fundit pas Kryeministrit e Presidentit, Presidenti i Republikës, nuk do të ketë asnjë arsye të lëkundet në bindjen e vet për respektimin e Kushtetutës dhe do ta dekretojë Ministrin e Brendshëm, Kryeministri i Shqipërisë do të bashkëpunojë me durim e me përkushtim të plotë me Presidentin e Republikës, për ta ngjitur me sukses krisjen kushtetuese që ka sjellë e shtuna e shkuar.”