MENU
klinika

''Shqipëri pa liri''

Firmëtari i Pavarësisë… në Osum

28.11.2021 - 11:24

        Mëngjesi i 27 nëntorit 1912 e gjeti Beratin, me një të ftohtë të ëmbël. Dielli kishte nisur rrezëllitjen mbi Tomor dhe i shpërhapte ato njëtrajtshëm ndanë qytetit. Në dritaren e Bashkisë së Beratit u shfaq kryetari i saj, Iliaz Vrioni, me flamurin kombëtar në dorë – shkruan, Namir Lapardhaja.

Pak më tej, flamuri kuqezi u ngrit në godinën e Prefekturës. Berati po shpallte mëvetësinë. Pas ceremonisë zyrtare dhe fjalëve të rastit, Beu zhvilloi pritjen e zakonshme në selamllëkun e sarajeve të tij, duke nisur pak orë më vonë, hipur në pajtonin luksoz, udhëtimin drejt Vlorës.

Ndalesa e parë do të bëhej në sarajet e Vrionasve në Fier, për të mbërritur të nesërmen në qytetin bregdetar, ku së bashku me përfaqësuesit e tjerë të Prefekturës, Hajredin Be Cakranin, Xhelal Be Skraparin, Dudë Karbunarën, Taq Tutulanin, Sami Be Vrionin, do të hidhte firmën mbi Aktin e Pavarësisë që “…Shqipëria të bëhet që sot më vehte, e lirë e mosvarme…”.

Për nga rëndësia, pasardhësi i derës së madhe të Vrionasve, në mbledhjen e pestë të Kuvendin të Vlorës, u votua, thuajse, në mënyrë unanime, për të qenë anëtar i Pleqësisë, kurse me pëlqimin e vetë Ismail Qemalit u emërua këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Ndonëse 30 vjeç, Iliaz Vrioni kishte mbajtur gjatë asaj kohe postin e kryetarit të bashkisë, për t’i hapur më pas rrugë zgjedhjeve lokale, për shkak të angazhimeve të reja shtetërore që do të mbarte.

Ngjarjet që ndodhën në Shqipëri midis viteve 1912-1920 janë shtatzënë me zhvillime të ankthshme. Ato janë vite të mishërimit të absurditetit, të pakuptimësisë dhe të përçartjes. Herë të stisura së brendshmi, herë së mbarsura nga jashtë, ato rrodhën natyrshëm për nëpunësin e ri të shtetit shqiptar, i cili është gjithmonë në anën e kombëtaristëve, si shërbëtor i paepur i çështjes kombëtare, në vazhdën e traditës familjare.

Dhe dielli lind përsëri. Këtë radhë në Lushnjë, ku më 21 janar 1920, ora 10:00 e paradites, çel punimet Kongresi më i rëndësishëm i shtetformimit shqiptar. Iliaz Beu është një ndër delegatët e rëndësishëm. Ai propozohet për të qenë pjesë e kabinetit të Sulejman Delvinës, por “Ilias Bej Vrioni për shkaqe të veçanta, nuk e pranoi”. Pa mbushur një vit, qeveria jep dorëheqjen. Një kabinet i ri, me figura të pranuara, të dalluara për urtësi, profil qytetar dhe atdhetar, ishte domosdoshmëri. Ai që kishte refuzuar pjesëmarrjen në qeveri, do të pranojë këtë radhë të formojë qeverinë e re. Është 38 vjeç. Në kulmin e pjekurisë politike. Urtësia e beratasit dhe shkollimi i shkëlqyer në zemrën e Perandorisë Osmane po e ndihmonin për konsolidimin e pozitës politike. Sfida e parë me të cilën përballet është ruajtja e pavarësisë dhe forcimi i shtetit të brishtë shqiptar. Veç postit të Kryeministrit, mban edhe atë ministrit të Punëve të Jashtme. Diplomati i ri, do të përfaqësonte vendin në Lidhjen e Kombeve.

Vitet ’20-’24 rrjedhin shumë shpejt. Përplasje politike për pushtet. Marria arrin kulmin në ’24, ku qeveria legjitime, e dalë nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme, rrëzohet me anë të një grushti shteti që zgjat pak kohë. Pas triumfit të legalitetit, për shkak të një simpatie personale që gëzonte tek Ahmet Zogu, e cila shoqërohej ndonjëherë nga një xhelozi e pajustifikuar, Iliaz Vrioni është sërish në qendër të zhvillimeve politike. Atë do ta shohim si kryeministër, ministër të Jashtëm, përfaqësues të Shqipërisë në Francë dhe vende të tjera perëndimore. Ashtu siç do të shprehej vite më vonë Jusuf Vrioni, babai kishte ditur gjithmonë të tregohej i urtë, i matur dhe i arsyeshëm, tipiku i qytetarit beratas, duke e trajtuar mjaft njerëzisht dhe ndihmuar me mënyra të ndryshme opozitën antizogiste të mërgimit, prej një pjese të së cilës ishte dënuar dikur me vdekje. Ishte kjo një traditë e vjetër familjare, dera e së cilës kishte qenë përherë e hapur për vizitorët dhe udhëtarët. Miq të ftuar dhe të paftuar bujtnin në selamllëkun e Beut, ku u rezervohej pritje e veçantë, karakterizuar nga nderimet e rastit.

Më 17 mars 1932, ndërsa shërbente në Paris si ministër Fuqiplotë, zemra e Iliaz Vrionit pushoi së rrahuri nga infarkti i miokardit. Ambasadori i shtetit shqiptar do të mbyllte sytë përgjithmonë në moshën 50-vjeçare. Shteti francez i kreu të gjithë nderimet e rastit. Xhenzeja e tij u fal në xhaminë e madhe të Parisit, arkivoli u mbulua me flamurin shqiptar, ndërsa kortezhi mortor e shoqëroi trupin e pajetë në shtratin e topit. Ai u përcoll me të gjithë nderimet për në qytetin e tij të lindjes, ku populli beratas doli dhe e priti me mirënjohje të veçantë. Flamujt në institucionet lokale u ulën në gjysmështizë, imamët e xhamive kënduan ‘salla’ për hir të shpirtit të tij, ndërsa kambanat e kishave gjëmuan në shenjë respekti. Në qendër të qytetit, në pjesën veriore të Xhamisë së Plumbit, u ndërtua Mauzoleu ku do të prehej trupi i Iliaz Beut.

Ndonëse Beu i madh u përcoll për në udhëtimin e amshuar, në këtej botë jeta vijoi rrjedhën e saj.

Derisa në vitin 1946, vetëm pak kohë pasi komunistët e Enver Hoxhës kishin ardhur në pushtet, një turmë e vuvët e harlisur, e ushqyer me urrejtjen klasore dhe e mbrujtur me filozofinë djallëzore, iu turr ndërtesës-varr të Iliaz Vrionit, shpërtheu sarkofagun, mori trupin e pajetë të të ndjerit dhe e hodhën verbazi në Osum.

Shqipëria po futej në një qorrsokak të mynxyrshëm, në një ëndërr keqe, ku nata do të hidhte pelerinën e zezë për 45 vjet me radhë dhe ku zëri i myezinëve në minaret e xhamive dhe kambanat e kishave të qytetit do të zëvendësoheshin nga një besimi i ri, pjesëtarëve të së cilit, kur u kërkohej, nuk kursenin as eshtrat e të vdekurve. Qoftë edhe kur bëhej fjalë për Iliaz Vrionin, vdekur katërmbëdhjetë vjet më parë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Një greke, zonjë e Parë...

Ismail Qemali që nuk kemi njohur!