MENU
klinika

Kushtetuesja hap garën për 3 vende vakante

Në pritje të vendimit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta

01.12.2021 - 18:05

Pas tronditjes që pësoi Gjykata Kushtetuese për shkak të vetingut, kjo Gjykatë po funksionon sot me 7 anëtarë, ndërsa është hapur gara për 3 vende vakante. Gjatë vetingut, vetëm gjyqtarja Vitore Tusha e kaloi atë me sukses, një pjesë e përjashtuan për shkak të mosjustifikimit të pasurive dhe të tjerë që dhanë dorëheqjen pa u marrë vesh nëse e justifikonin pasurinë apo vendimmarrja e tyre kishte qenë komfor Kushtetutës.

Sapo është plotësuar me 7 anëtarë, Gjykata Kushtetuese ka nisur me shqyrtimin e çështjeve të rëndësishme, siç ishin zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, të cilat Gjykata i cilësoi komfor Kushtetutës apo Kodin Zgjedhor, për të cilin Gjykata ka kërkuar hapjen e listave të kandidatëve. Por, para Gjykatës është çështja më e rëndësishme në historinë e saj, siç është votimi në Kuvend për shkarkimin e Presidentit Meta me votat e maxhorancës dhe opozitës së legjislaturës së kaluar.

Ky do të jetë vendimi i parë për Gjykatën Kushtetuese me objekt shkarkimin e Presidentit të Republikës. Ndërkohë, është hapur gara për tri vendet vakante në këtë Gjykatë. Gjykata e Lartë nisi sërish procedurat për plotësimin e 3 vakancave në Gjykatën Kushtetuese. Anëtarët e saj duhet të zgjidhen nga radhët e gjyqësorit nga vetë ky institucion. Gjykata e Lartë hap procedurën për vendin vakant të lënë nga gjykatësi Gani Dizdari.

“Referuar njoftimeve të kryera nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese për 3 vendet vakante në datë 09.01.2017, 27.09.2018 dhe 14.02.2019, Kryetari i Gjykatës së Lartë ka bërë shpalljen publike për plotësimin e tyre, përkatësisht në datat 16.01.2017, 21.11.2018. 19.04.2019 dhe 03.06.2021. Për të tri thirrjet e para ka rezultuar një numër i pamjaftueshëm i kandidatëve. Kjo situatë është bërë shkak për moszhvillimin e procedurave të mëtejshme nga ana e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, me qëllim plotësimin e vendeve vakante të gjyqtarëve kushtetues nga Gjykata e Lartë. E njëjta situatë është krijuar edhe për një vend vakant të shpallur me thirrjen e katërt, datë 03.06.2021, konkretisht për vendin vakant të krijuar nga përfundimi i mandatit të z. Gani Dizdari”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Lartë.