MENU
klinika

Debati për zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut

Draft-opinioni i “Venecias”: Propozimi i mazhorancës i përmbush kriteret

01.12.2021 - 20:36

Komisioni i Venecias është shprehur pro zgjatjes së mandatit të organeve të vetingut deri më 31 dhjetor 2024.

Në draft opinionin e zbardhur nga News24, amendamenti kushtetues, për zgjatjen e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik, është në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Sipas “Venecias”, kërkesa e mazhorancës i përmbush të gjitha kriteret.

“Komisioni arrin në përfundimin se zgjatja e propozuar e mandatit deri më 31 dhjetor 2024 mund të konsiderohet se është në përputhje me standardet evropiane. Komisioni i Venecias qëndron në dispozicion të autoriteteve shqiptare për më tej ndihmë në këtë çështje”, -thuhet në raport.

Kuvendi i Shqipërisë iu drejtua me një kërkesë Komisionit të Venecias disa ditë më parë për të marrë një opinion lidhur me zgjatjen e mandatit të vetingut që ka hapur një debat mes mazhorancës dhe opozitës.

Pas publikimit të opinionit përfundimtar, ajo do të diskutohet dhe më pas pritet të miratohet në seancën e datës 10 dhjetor në Kuvend.

Maxhoranca është shprehur më herët se qëllimi i ndryshimit kushtetutës është që të gjithë magjistratët, gjyqtarë dhe prokurorë t’i nënshtrohen të njëjtit standard kontrolli, pasi kalimi i verifikimit tek KLGJ e KLP do sillte ndryshim të metodologjikës së punës, si dhe mundësisht konflikt interesi.