Mjeku i njohur epidemiolog Ilir Alimehmeti foli sot mbi ecurinë e pandemisë në Shqipëri si dhe variantin e ri të koronavirusit, Omicron.
Në intervistën në emisionin “Frontline” në “News 24”, Alimehmeti tha se rënia e infektimeve dhe fataliteteve në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë i detyrohet imunizimit.
“Nga nëntori i 2020 është një situatë më e mirë. Asokohe bënin testime vetëm raste që bëheshin sepse kishin nevojë për mjekë, sot bëhen dhe raste për qëllim administrativ. Është edhe më e lehtë se shifrat e dhëna nga viti i kaluar. Kujt i detyrohet kjo, imunizimit. Shifrat spitalore kanë rënë, humbjet e jetës gjithashtu. Këtu kemi efekt vaksine, efekt imuniteti natyror.
Reduktimi i humbjeve të jetës, po ta krahasoni me përqindjen e vaksinimit në popullatë, shihni diferencën në tabelë. Nuk duhet të krahasohen dy muajt sepse variantet kanë qenë të ndryshme, askush nuk e kishte kaluar vitin e kaluar. Riinfektimet ecin më mirë. Në një vit janë përmirësuar dhe terapitë”, tha ai.
Mjeku është ndalur edhe te varianti i ri Omicron, ku pyetjes nëse ka vend për panik, Alimehmeti iu përgjigj se deri tani format klinike konfirmohen të lehta.
“OBSH ka qenë korrekte në dhënien e informacionit dhe thotë gjithashtu që nuk ka nevojë për bllokim udhëtimesh. Ka shumë mundësi që ne këtë variant që tashmë janë zbuluar në Japoni, Kanada, Australi në të gjithë kontinente, sepse viruset janë disa javë para. Dielli nuk mbulohet me shoshë. Format klinike deri tani konfirmohen të lehta, presim.
Nuk kemi asnjë provë që thotë se efektiviteti i vaksinave kapërcehet. Nuk kemi asnjë provë që Omicron do bëhet dominant dhe asnjë provë që nuk ka efektivitet vaksina. Nga të dhënat nga Izraeli del se vaksina Pfizer ka qenë 90% efikase me Omicron.
Ne nuk jemi jashtë botës por edhe lidhje direkte me Afrikën e Jugut nuk kemi. Kemi me vendet fqinje, por edhe kur të jetë në Shqipëri në qoftë se ne nuk dimë karakteristikat e sjelljes së tij është apo nuk është nuk përbën ndonjë shqetësim. Shqetësim nëse është asimptomatik. Mosha e atyre që janë prekur nga Omicron është nën 60 vjeç. Është vetëm një mjek mbi 70 vjeç në Izrael por që është i vaksinuar me tre doza”, tha ai.
Sa i takon dërgimit mostrave të dyshuara nga Shqipëria në laborator, Alimehmeti tha se kjo ndodh kur ke një dyshim, merr mostra nga njerëz që dyshon se kanë pasur lidhje, udhëtime në vendet ku ka vatra. “Ka shumë vende që rastet kanë ardhur jo nga Afrika e Madhe. Nuk e identifikon dot kaq lehtë këtë situatë, por atyre njerëzve që kanë një farë dyshimi iu merren mostra dhe dërgohen për analizim. Mjekëve iu intereson gjendja klinike e pacientëve”, tha ai.