Pjesa e trembëdhjetë
Publikohet një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit. Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!
Nga: Dashnor Kaloçi
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, kapiten Maliq Mersini, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Vigjilenti”, lidhur me bisedat që bënin të internuarit në Ishullin e Zvërnecit
Marë nga P.O. Kapiten M. Mersini
Dhënë nga B.p. “Vëshguesi”
Vlorë më 18/II/1959
R A P O R T
Gjatë punimeve të Kongresit 21-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, janë diskutuar këtu veçanërisht, çështje të mos pasjes së reprezaljeve politike në B. S., duke e lidhur këtë me masat që mund të merren këtu në Shqipëri, mbas kthimit të delegacionit tonë, veçanërisht lirimi tonë, çështja e propozimit, për të hequr përjashtimin nga partia si masë ndëshkimore, duke e komentuar këtë, si shprehje e vërtetë e demokracisë, çështja e faktit që asnjë person tjetër nuk i është bashkuar grupit anti-parti, të Malenkovit me shokë si dhe çështja e tonit të butë, në raport për Jugosllavinë dhe për dënimin e revizionizmit në përgjithësi.
Gjovalin Luka, duke më folur për Konferencën e Tiranës, më tha se: para se të vinte Enver Hoxha me Mehmet Shehun, Konferenca kishte duartrokitur të gjithë diskutimet që folën kundër vijës së partisë dhe se ua kishte prerë fjalën, të gjithë atyre që ishin shfaqur, por se Beqir Ballukut, i a kishin prerë fjalën, disa herë kur kishte ndërhyrë, si të vëllait të Ndoc Mazit, kur i ishte përgjigjur Enverit, duke i thënë se nuk jam zotni. Konferenca kishte duartrokitur dhe se njerëzit ishin shtangur, pasi kishte thënë Komandanti, që seç paskan thënë disa gra, të disa shokëve në Korçë, kjo punë armiqësore është e organizuar. Kur e pyeta a e kanë internuar të vëllanë e Ndoc Mazit, më tha: Kjo ka qenë masive, kundër kujt të merreshin masa më përpara!
Peço Fidhi, më tha se të gjithë kanë llapur në atë kohë, por e hëngrëm ne, që u ekspozuam më tepër. Për shembull tha, se janë mbledhur disa herë Mehmet Terihati, Petro Tako, Skënder Malile, Isan Budo, Agron Çela, por nuk u morën masa për ata. Duke folur për Sejfulla Malëshovën në Fier, Peçoja më tha se Sejfullai kishte treguar biografinë e tij në Fier dhe se shtoi se kishte dëgjuar që e kishin hequr nga Ballshi në Fier, se paska bërë grevën e urisë, kur i thashë se këto janë manifestime anti-pushtet, më tha se greva kanë ndodhur edhe në Kinë e në Poloni, tjetër se nuk i botuan. Duke folur një ditë për Dali Ndreun dhe Liri Gegën, më tha se ishin shumë popullor dhe se si i kishin zgjedhur Peços, stofin për kostum. Kur një herë ra rasti i djalit të Hulusi Spahiut, tha se është një djalë që nuk e ka shokun, se e paska takuar në Fier me 50.000 lek nëpër duar.
Gjovalin Luka dhe Pëllumb Dishnica, duke folur për postet, thanë se ato janë lekaxhij, se nuk punojnë me frymëzue, se pse asgjë e tyre nuk të tërheq. Gjovalini tregoi për të qeshur, se si kishin bërë matrapazllëqe, Luan Qafzezi, Mark Gurakuqi dhe Llazar Siliqi në Pogradec, duke shkruar vjersha, kur u mungonin lekët, bile duke botuar edhe vjershat e shokëve, me emrat e tyre. Duke folur për luftën N.Çl, në Qarkun e Shkodrës, Gjovalini tha: Luftën e ka dëmtuar direktiva e Komitetit Qendror që dha, për të lënë terrenin e Shkodrës dhe për t’u hedhur në Kosovë, ku na gjeti çlirimi.
Duke marrë nëpër gojë Nako Spiron, Gjovalini tha se: ishte feminist i madh, me rastin e ditëlindjes së tij, në shtëpinë e Gjovalinit kishte ardhur një artiste, që ishte dashnorja e Nakos, që pasi u deh me raki, filloi të qaj me të madhe, për Nakon dhe u shtri në dyshek.
Duke folur për gastronominë e Moskës, Peço Fidhi dhe Xhavit Qesja, thanë se “ai është vetëm për profesorët dhe nënpunësat e lartë”, se atyre u tepron rroga. Peço, duke folur për restorantin e vetëshërbimit, ku i paskan vjedhur bukën, shtoi se në Moskë dhe Leningrad, duhet të bësh sytë katër, se kishte shumë vjedhje.
Xhaviti, duke folur për shkollën e Partisë në Moskë, tha se nxënësit sovjetik nuk studionin, lexonin romane në kohën e studimit dhe se e thonin haptazi, që i kishin prurë me detyrim në shkollë. Duke biseduar për Meserejenin (banorin e romanit ‘Histori e Njeriut’), i cili paska kryer shkollën e Partisë, qenka regjistruar në Universitetin e Matematikës, tha se ka shumë njerëz, që bëjnë kështu atje, kryejnë shkollë dhe pastaj plaken dhe dalin në pension, mrekulli shtoi, të gjejnë më rehat.
Xhafer Vokshi me Xhavitin, duke biseduar për Aqif Lleshin si tradhtar, mercenar të çdo regjimi etj, vunë në dukje se ndonëse qe demaskuar si vegël e trockistëve Jugosllav, u strehua në Shqipëri, është rehat në Tiranë. Xhaviti shtoi se, bile i biri i tij, ka qenë oficer i UDB-së dhe sipas shtypit tonë, ka pas bërë krime, ndërsa tani është në mes të Tiranës, bile më mirë se Eshref Ruço, që e ka kaluar kufirin 10 herë dhe madje mori të shoqen, atje ilegalisht. Pëllumbi u tha më mirë kështu, me të gjithë dhe me asnjë njeri. Shpesh me shaka, Xhaviti me Pëllumbin, lozin rolin e dallkaukut dhe të servilit, duke i thënë: Si të urdhërosh zotërote, kurse Pëllumbi i përgjigjet, mirë e ka Aqif Aga (duke bërë iluzion për Aqif Lleshin). Kur i tha Xhaferi, se nuk dihet se çfarë letre luhet me të, Xhaviti ju përgjigj, unë di që në shtypin tonë, është cilësuar kriminel e tradhtar, Xhaferi, u përgjigj: O hu, ça thotë shtypi! Po kjo shaka bëhet edhe me Rasim Tahirin.
Kur erdhi e shoqja e Peço Fidhit, Sabaheti, i tha të shoqit: Ke shumë të fala nga Fiqreti në Fier, më tha që kur të nisesha të shkoja tek ai, për të marrë disa paketa cigaresh, që do ti dërgonte ty, por nuk desha ti hap telashe vetes. Peçoja i tha e di, lëri këto muhabete dhe u nxi në fytyrë.
Ka dy muaj që vetëm në mbrëmje dhe në mëngjes, kur hamë bukë mblidhemi tok, sepse shëtisin e rinë të veçuar në grupe. Në njërën grup, rrinë gjithnjë bashkë: Rasim Tahiri, Peço Fidhi dhe Xhafer Vokshi, kurse Pëllumb Dishnica rrinë me Xhavit Qesen, ndërsa Gjovalin Luka e Nuri Huta rrinë të vetmuar.
Në mbrëmjen e Vitit të Ri, blemë verë dhe raki, Xhaferi dhe Gjovalini kishin përgatitur vjersha satirike, në lidhje me secilin nga ne.
Një ditë në mëngjes, Rasimi fshehu racionin e marmelatës, duke thënë se komanda, nuk na ka sjellë marmelatë dhe pastaj kur u shtruam në tryezë, e nxori. Atëherë Peçoja i tha, në sy të të gjithëve: Nuk bën mirë me këto shakara, sepse nga pakënaqësia, mund të flasim ndonjë fjalë dhe mund të ketë në mes nesh, ndonjë që është i gatshëm, të raportojë në Vlorë dhe pastaj, Vlora në Tiranë.
“Vëzhguesi”
Masta operative:
Të shtypet në 6 kopje, një ti jepet kolonel Jonuzit, të tjerat të vendosen në dosjet e secilit.
Punëtori Operativ
N/Kolonel (Raqi Zavalani)
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, kapiten Maliq Mersini, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Vigjilenti”, lidhur me bisedat që bënin të internuarit në Ishullin e Zvërnecit
Marrë nga P.O. Kapiten M. Mersini
Dhënë nga B.p. “Vigjilenti”
Tiranë, më 18/II/1959
R A P O R T
Prej datës 11 deri 18/II/1959
Gjatë kësaj kohe, janë biseduar këto çështje nga personat e poshtë shënuar:
Xhavit Qesja, qëndrimi i tij për sa i përket ç’kurorëzimit me gruan, është tronditur pak Xhaviti, por nuk e tregon me fjalë tronditjen, por rin pa folur, pi duhan më tepër dhe ka filluar të vuaj nga pa gjumësia. Por për sa i përket ndarjes me gruan, Xhaviti, ka qenë i pregatitur për këtë, kjo vërtetohet nga qëndrimi i tij, kur iu komunikua nga Kapiten Maliq Mersini, të cilit i tha se, jam gati po të duash edhe tani, të bëj deklaratën, nuk më duhet afat dhe në fund tha, dhe sikur të jem me u paraqit në gjyq, nuk paraqitem. Vet qëndrimi i Xhavitit, që ditën që u izolua në Zvërnec, bëri vetëm një telegram të shoqes, ku i tregoi se gjendet në rrethin e Vlorës, ky telegram ishte pa adresë, me këtë i ka dhënë të kuptojë, se nuk duhet të interesohej e shoqja për të, por të shikojë fëmijët dhe veten, se po të interesohet, do të ketë konseguenca, nga ana tjetër, vet koha prej 7 muajsh, pa lidhje me familjen, tregon se Xhaviti, ka qenë i pregatitur për ndarjen dhe e ka prit një gjë të tillë, prandaj nuk ka shfaq deri tani ndonjë fjalë, që të dënojë qëndrimin e të shoqes, për këtë veprim. Pra deri tani qëndrimi i Xhavitit, paraqitet pak më i mërzitur se më përpara kur nuk kishte marrë komunikim.
Komentet e tjera rreth ç’kurorzimit të Xhavitit me gruan, janë këto:
Pëllumb Dishnica, dënoj qëndrimin e shoqes së Xhavitit, i ka ardhur shumë keq për Xhavitin dhe thotë se ka mbetur i vetëm, pasi edhe me plakun, Xhaviti ka qenë i ndarë. Gjithashtu Pëllumbi i ka thënë Rasim Tahirit, më datën 12/II/1959, se ka njerëz të poshtër, që nuk e kanë lënë rehat, por i kanë kërkue ose me Partinë, ose me Xhavitin.
Gjovalin Luka, i ka thënë Rasim Tahirit, me datën 12/II/1959, për këtë çështje, se ndarja e gruas me Xhavitin, është e pregatitur, d.m.th., që Xhaviti ka biseduar më përpara me Meribanin, që në rast se e sheh punën keq, do të vendosësh që të ndahesh, dënon qëndrimin e Meribanit.
Peço Fidhi, duke biseduar me Rasimin dhe Xhafer Vokshin, për çështjen e ç’kurorëzimit të Xhavitit me të shoqen, ka thënë: Xhaviti ka qenë i pregatitur për këtë çështje dhe kjo vërtetohet nga përgjigja që i dha Kapitenit për deklaratën. Kuptohet se tash 7 muaj, nuk ka asnjë lidhje me familjen, nga mos shpenzimet, nuk harxhon asnjë lek, prandaj ka qenë i pregatitur. I vjen shumë keq për Xhavitin, që doli kjo çështje, duke thënë se tani ka mbetur vetëm dhe është për t’i qar hallin. Përsa i përket ndarjes, Peço thotë se, nuk ka asnjë kuptim që Xhaviti të jetë i internuar dhe e shoqja në Parti, prandaj për ndarjen që bënë e shoqja, është nxitur nga Partia, ose në Parti ose me Xhavitin, se kështu thotë Peço, kanë vepruar edhe me Sabahetin, por, për ndarjen nuk u bën përshtypje, as Xhaviti as Meribanit, se Xhavitit është ndarë edhe me të atin. Peçoja tha se, Xhaviti e aprovon vendimin e Meribanit, se duke ndejt në Parti, Meribani mban veten dhe fëmijët, Xhaviti është dakord që ata të mos pësojnë asgjë për Xhavitin dhe kjo tregohet me qëndrimin e Xhavitit, tash 7 muaj.
Xhafer Vokshi, edhe ky duke biseduar me Peço Fidhin dhe me Rasim Tahirin të tilla komente ke bërë, siç bani Peçoja, ka thënë se Xhaviti ka qenë i pregatitur për këtë punë, vet qëndrimi i Xhavitit, tani 7 muaj, duke mos i shkruar as Xhaviti e as ajo ndonjë letër, kjo tregon se ata të dy, kanë biseduar që në fillim kur janë marrë masat e para kundër Xhavitit, e sidomos që kur e kanë hequr si N/Kryetar i Komitetit Ekzekutiv, prandaj i kanë rregulluar punët që më parë. Xhaviti tash 7 muaj, asnjëherë nuk u ankua për të shoqen, pse nuk interesohet për të, do të thotë se e aprovon çdo vendim që do të marrë ajo, prandaj opinion i të gjithëve, është se Xhaviti ka qenë i parapërgatitur për këtë punë, prandaj edhe nuk mërzitet, e mban veten nuk bënë biseda politike, por rrinë e shëtit vet në pyll.
Gjovalini Luka, kur ka qenë i sëmurë herën e parë dhe të dytë, janë raportuar ato fjalë, që Gjovalini ka sharë udhëheqjen e Ministrisë P. Brendshme dhe të gjithë organet e Sigurimit, për sa i përket herës së fundit, që ka sharë gjithë organet e Sigurimit, për sa i përket herës së fundit që ka përdor Gjovalini, fjalë banale janë këto: Janë të poshtëruar të gjithë, duke filluar që nga Kapiteni e deri tek Ministri. Këta nuk besojnë se jam i sëmur, tallen me sëmundjen time, nuk kanë aspak shpirt njeriu, janë barbar, pastaj ka përdorur shumë fjalë banale duke sharë . Se këta nuk duan të dinë fare për sëmundjen time.
Më datën 11 në darkë, Gjovalini donte t’i bënte një telegram Ministrit P. të Brendshme, në të cilin shprehesh kështu: Tash 7 muaj vuaj i sëmurë, kam nevojë për analiza, urdhëroni Degën e Vlorës që të më bëj analizat, kurat i bëj edhe me shpenzimet e mia, por nuk e bëri, pasi u këshillua me Nuri Hutën. Në këtë rast, duke qenë i mërzitur, foli përsëri fjalë të këtilla: Kapiteni as Dega, nuk po çajnë kokën për mua, nuk besojnë se jam i sëmurë, deri sa të më shikojnë në gradën e fundit, duke vdekur.
Gjatë kësaj kohe duke qenë prezent edhe Rasim Tahiri, janë biseduar këto çështje nga Peço Fidhi dhe Xhafer Vokshi. Peço Fidhi, duke biseduar me Rasimin, i thotë se: Konferenca e Tiranës nuk është pregatitur dhe organizue nga Jugosllavët, siç thotë Partia, por Partisë i intereson që të thotë se, e kanë organizuar Jugosllavët, pasi ato çështje që u shtruan në Konferencën e Tiranës, i kanë pas mendime të vetat Anëtarët e Partisë. e jo të shtytur nga jugosllavët, Peçoja i ka thënë Rasimit, se kanë biseduar çështje anti-parti, me rreth 50-60 veta, por emrat nuk i thotë.
Peçoja, thotë se në frymën e Kongresit të 21-të të P.K. të B.S. në të cilin u tha se revizionizmi u dërmua, besoj se do të na lirojnë. Peçoja thotë se vet Partia ka faj, që më çoi deri sa të bëhem armik i partisë, se pse nuk më trajtojë mirë. Përsa i përket ç’kurorëzimit të Xhaviti, unë jap këtë mendim.
Vendimi i Meribanit, për të ndarë Xhavitin është i drejtë, por krahas me këtë, Meribani duhet të vendosi t’i tregojë Partisë, atë që dinë për Xhavitin, në rast se nuk i tregon Partisë, do të thotë se vendimi për të ndarë Xhavitin, ka këtë qëllim: Që Partia të mos i kërkojë Meribanit, çfarë dinë ajo për Xhavitin, por vetëm ç’kurorëzimin. Duke ndarë Xhavitin, Meribani të qëndrojë në Parti dhe në përgjegjësi shtetërore që ka sot, me një fjalë të mos merret asnjë masë, në rast se Meribani, nuk do t’i tregoj Partisë, do të thotë si Xhaviti dhe Meribani, janë të pregatitur për ndarjen me kohë, prandaj gruas së Xhavitit, Meribanit, duhet ti kërkohet çfarë dinë ajo për Xhavitin. Dhe unë jam i mendimit se Meribani, din, mbasi ato kanë shkuar mirë, ç’do të shtunë, shkonte në shtëpi Xhaviti, nga Elbasani. Memorie.al