MENU
klinika

Paralajmërohet rreziku i radikalizimit të protestave

Vaksina anti-Covid me detyrim në Gjermani?

05.12.2021 - 11:21

Të shtunën pati protesta në disa qytete gjermane kundër masave të kufizimit për shkak të Coronës e vaksinimit me detyrim.

Shumë demonstrues nuk mbanin maska dhe distancën e duhur. Në Berlin u sulmua një gazetar, Pjesërisht protestat ishin pa leje duke vështirësuar punën e policisë. Një pjesë e protestave drejtoheshin nga partia populiste e djathtë, AfD. Tino Chrupalla, zëdhënësi i AfD u shpreh kundër “detyrimit për vaksinim dhe marrëzisë së Coronës.” Në Hamburg demonstruan rreth 5000 vetë.

Të shtunën kreu i konferencës së ministrave të Brendshëm të landeve të Gjermanisë, Thomas Strobl (CDU), ka paralajmëruar nga radikalizimi i protestave të Coronës në rast se hyn në fuqi vaksinimi me detyrim. Sipas të dhënave të Mbrojtjes Kushtetuese mund të presim që “futja e vaksinimit me detyrim do e përforcojë qëndrimin agresiv të lëvizjes laterale”, tha ministri i Brendshëm për gazetat e grupit mediatike, Funkmediengruppe.

Rrezik për demokracinë liberale

“Lëvizja laterale është e rrezikshme për demokracinë tonë liberale dhe ajo do të bëhet edhe më e rrezikshme”, tha Strobl. “Ajo mendon, se po dallon shenjat e kalimit në diktaturë, dhe mendon se po identifikon gjithnjë e më shumë një shtet jolegjitim”, kundër të cilit është e justifikuar rezistenca.” Por në luftë kundër Coronës është e drejtë të futësh një vaksinim me detyrim. “Edhe nëse ndodh radikalizimi në rritje: Ne nuk duhet të ndalemi nga ekstremistët, ideologët konspirativë dhe antisemitistët të bëjnë gjënë e duhur”, ka thënë Strobl.

Së fundmi një numër i madh poliikanësh gjermanë janë shprehur për futjen e vaksinimit me detyrim. Me shumë gjasë kancelari i ardhshëm i gjerman, Olaf Scholz është shprehur, se për këtë duhet të votohet në Bundestag pa nevojën e respektimit të disiplinës së grupit parlamentar. Sipas të dhënave të zëdhënësit të qeverisë, Steffen Seibert një votim i tillë mund të zhvillohet në fillim të vitit të ardhshëm.