Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta mendon se nga debati i fortë brenda PD-së mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës shqiptarët mund të fitojnë vetëm nëse u jepet mundësia që të shprehin vendimin e tyre përmes referendumit.
Ky është qëndrimi i kreut të shtetit, i cili ndërhyri mbrëmjen e djeshme në emisionin “Log.” në “ABC” teksa po diskutohej për zhvillimet brenda së djathtës shqiptare pak ditë përpara mbajtjes së Kuvendit të thirrur nga Sali Berisha në 11 Dhjetor në “Air Albania”.
Ish-sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani i ftuar në studio deklaroi se një nga qëllimet e këtij Kuvendi, që Lulzim Basha nuk e njeh, është edhe rikthimi i referendumeve në statutin e partisë më të madhe në opozitë.
Në këtë moment ndërhyri Presidenti duke mbështetur idenë e referendumeve. Kushtetuta e Shqipërisë e ka të sanksionuar të drejtën e referendumit, thotë Ilir Meta, por shton se qëllimisht ligji e bllokon.
“Pershendetje! Shqiptaret fitojne nga ky debat vetem nese u jepet mundesia gjithe shqiptareve te shprehen me referendum ashtu sic e ka vete Kushtetuta por qe e bllokon ligji qëllimisht” ishte mesazhi i Presidentit Ilir Meta.
Sali Berisha ka deklaruar se qëllimi i Kuvendit të 11 Dhjetorit është shkarkimi i Lulzim Bashës, i cili 7 ditë më pas mbledh sërish këtë forum dhe ku sipas të gjitha gjasave do të përjashtojë liderin historik të së djathtës shqiptare nga partia që themeloi 30 vite më parë.