MENU
klinika

Shqipëria: vitet '30

Me koncesionet e filmit e deri tek ato të hashashit…

20.12.2021 - 22:45

        Në vitet ’30-’40 Shqipëria ndoqi politikën e ‘dyerve të hapura’ duke krijuar mundësinë që të jepeshin një serë koncesionesh për kompani shqiptare dhe të huaja.

Veç koncesioneve të zakonshme për shfrytëzimin e pasurive natyrore, në këto vite nuk munguan as kërkesa të pazakonta për kohën.

Koncesioni i librave telefonikë

Në gushtin e vitit 1931, një tregtar italian që banonte në Tiranë do t’i paraqiste ministrisë së Punëve Botore (Punëve Publike), një kërkesë për koncesionin e “Radhorit zyrtar të abonuemve ndër telefona të Shqipnis’).

Pompeo Gherardi, i lindur në Urbino të Italisë dhe që jetonte në Tiranë, i paraqet ministrisë kërkesën për koncesionin e botimit të listës zyrtare dhe të abonimeve në telefon në Shqipëri, të cilit do t’i bashkëngjitëshin tarifat postare, telegrafike dhe telefonike të mbretërisë shqiptare.

Këtë kërkesë ai e kishte bërë me 25 gusht të vitit 1931.

“Tue qenë i sigurtë që publikimi kishte me ken i nji dobie për Autoritetet, për përdoruesat e telefonave dhe për të gjithë publikun, kam nderin me paraqit rishtazi kërkesën, tue qenë i sigurtë që ka me u pamur, mbasi tue marrë parasysh që koncesioni i listës zyrtare, as nuk randon faret buxhetin e shtetit, as nuk randon fare mbi publikun, por përkundrazi përmbush nji mungesë e cila ndihet shpesh, herash dhe ndalon publikime të tilla të cilat tue mos pasun kontrollin e Autoriteteve kompetente kishin me dhanë lajme të paekzakte dhe me shkaktue nji konfuzjon damëprurëse në vend të nji drejtimit (guide) të vlefshme” shkruhej në letrën e Gherardit drejtuar Ministrisë së Punëve Publike, së cilës i kërkonte koncesionin.

Vetë kërkuesi i koncesionit planifikonte që të ardhurat e botimit të numeratorit telefonik t’i siguronte përmes publikimit në faqet e tij të reklamave të ndryshme të bizneseve dhe njoftimeve të ndryshme nga shoqëritë tregtare të kohës.

Kjo kërkesë në fakt nuk u pranua pasi u diskutua në Këshillin e Ministrave.

Koncesioni i filmave

Para pushtimit të Shqipërisë nga Italia dhe bashkimit të dy vendeve në prill të vitit 1939, tregtia e filmave ishte e lirë. Filmat italianë silleshin drejt për drejtë nga Italia kurse filmat e tjera amerikanë, franceze e gjermane nga agjencitë përkatëse të Athinës që kishin edhe shtëpitë e tyre dhe ekskluzivitetin e shitjes në Shqipëri. Këtë tregti e ushtronin Koço Janku, Dhimitër Canco, Jusuf Beshiri dhe Medin Kamberi.

Çmimet e filmave si italianë dhe të huaj ishin shumë të ulëta e varionin 1 mijë lireta dhe arrinin deri 250 franga shqiptare për transmetim në të gjithë Shqipërinë.

Koncesioni i filmave gjatë pushtimit italian iu dha ENICA-s (Ente Nazionale Industrie Cinematografiche Albania-Enti Kombëtar i Industrisë Kinematografike Shqipëri).

Enti, me marrjen e koncesionit, mori përsipër që të ngrinte kinema të përshtatshme aty ku mungonin; në Berat, Vlorë,Gjirokastër, etj. dhe si kundërbalancim i jepej koncesioni i filmave. Pasi kaluan 3 vite, ENICA nuk ndërtoi në Shqipëri asnjë sallë kinematografike për shkaqe të ndryshme si mungesa e truallit apo e materialeve të ndërtimit.

Pavarësisht kësaj, operatorët shqiptarë të kësaj industrie i kërkuan qeverisë së kohës që të anullojë koncesionin me argumentin se industria kinematografike do të përmirësohej rrënjësisht nëse do të lihej e lirë tregtia filmave.

“Jemi të mejtimit se industria kinematografke në Shqipëri do të heci përpara dhe do të përmirësohet rrënjësisht pa pasur nevojë për ndërhyrjen e ENICA-s sepse në të gjithë qytetet e Shqipërisë janë marrun inisiativa prej tregëtarëve lokalë për të ngrehur salla kinematografike të përshtatshme, të bëra me kapital shqiptar dhe të drejtuara prej shqiptarësh; kështu që koncesioni i akorduar ENICA-s nuk mbetet veçse një haraç të cilin kinematografistët shqiptarë duhet t’ia paguajnë kësaj shoqërije.

Po te anullohet koncesioni dhe të lihet i lirë tregu i filmave do të kemi këto përfundime të mira:

-Cilësia e filmave që do të vinë në Shqipëri do të jenë nga më të mirat, shkaku i konkurrencës dhe ministria e Kulturës Popullore të verë një taksë mbi çdo film prej 100 franga shqiptare; kjo taksë nuk ka për të rënduar importatorët e filmave në Shqipëri dhe nga ana tjetër po të llogaritim se në Shqipëri do të importohen 8 filma në javë, ministria do të arkëtojë një shumë pej 40 mijë frangash shqiptare në vjet, shumë të cilën do të mund t’a përdorë për mëkëmbjen e kinematografisë në Shqipëri”shkruhej në një kërkesë të kinematografëve shqiptare të kohës drejtuar Ministrisë së Kulturës Popullore.

Koncesioni i bananeve somaleze

Kompania e monopolit të bananeve (Regia azienda monopolio banane (RAMB), ishte një kompani shtetërore italiane aktive në vitete 1930-1940. Ajo u themelua me qëllimin që të transportonte dhe tregtonte në Itali bananet e prodhuara në koncesionet bujqësore që lindën në ato vite në koloninë e Somalisë italiane.

Në Arkivën e Shtetit gjendet një korrespondencë e prillit të vitit 1940, ndërmjet Drejtoratit të Partisë Fashiste (zyra ekonomike në Tiranë) dhe Ministrisë së Afrikës Italiane, lidhur me lëshimin e një koncesioni një firme italiane për të shitur banane në Shqipëri.

Dokumenti ka si objekt “Eksperimentimin e prezantimit të bananeve somaleze në Shqipëri dhe dhënien e koncesionit të dyqaneve të shitjes së tyre në mënyrë direkte në popullatë”.

Në lëtërkëmbime rezulton se në tregjet shqiptare kishin nisur tashmë të tregtoheshin banane. Por në këto kushte, kërkesa ishte që të kishte një koncesion të posaçëm që vendoste rregull në tregtim. Skema që parashikohej ishte e njëjtë me atë të Italisë e si rrjedhojë edhe modeli që u propozua në atë vit ishte ai i kontrollimit të tyre përmes dhënies së një koncesioni. Koncesionari kishte detyrimin që të vendoste disa banakë të posaçëm në qytetet kryesore të Shqipërisë ku të tregtohej vetëm aty. Një nga shqetësimet që shprehej është se jo vetëm çmimet ishin abuzive shpeshherë por edhe cilësia e tyre ishte shumë e ulët. Në këto kushte, koncesioni shihej si mundësi për të rritur cilësinë e produktit në treg e nga ana tjetër edhe për të vendosur në kontroll çmimin.

Personi që iu dha koncesioni quhej Martino Farinetti. Në atë kohë, Shqipëria konsiderohej si pjesë e Italisë, si rrjedhojë e pushtimit të prillit të vitit 1939. Pavarësisht vendosjes së monopolist dhe dhënies së koncesionit, tregu i bananeve në Shqipërinë e atyre viteve përballej me “evazion”.

Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore solli shkrirjen e kompanisë italiane të bananeve e si rrjedhojë edhe në Shqipëri u reflektua mungesa e këtij produkti. Vetëm në vitet ’90 në Shqipëri u rikthye me një intensitet të lartë importi i bananeve, që u bë një frut tej mase i kërkuar nga konsumatorët shqiptarë dhe vijon të jetë deri në ditët e sotme.

Koncesioni i hashashit

Deri në fund të shekullit të 19-të, përdorimi i lëndëve narkotike nuk kishte përhapje të gjerë e konsumi i tyre ishte i kufizuar te pacientët dhe për arsye shëndetësore. Shtresat e pasura nisën t’i përdorin ato për arsye kënaqësie ndërsa për masat e popullatës vendin e tyre e zinin alkooli dhe duhani.

Në fund të shekullit të 19-të e fillim të shekullit të 20-të përdorimi i lëndëve narkotike nisi të gjejë përdorim për qëllime kënaqësie e duke shkaktuar jo pak probleme, ndaj edhe për këtë qëllim do të niste ndërmarrja e kufizimeve ligjore për këtë qëllim.

E në këtë rast, edhe Shqipëria renditet në listën e vendeve të parë që i është bashkuar iniciativës për të sanksionuar në ligj përdorimin e opiumit apo të kanabisit; një zakon që e kishte trashëguar që nga periudha e Perandorisë Osmane.

Më herët, Shqipëria kishte njohur përdorimin e bimës së opiumit për qëllime mjekësore por edhe për qëllime kënaqësie përmes tymosjes. Por ndryshe nga vendet e tjera, në Shqipëri “beteja” për kufizimin e lëndëve narkotike nis jo domosdoshmërisht për shkak të pasojave negative në shkallë të gjerë në popullatë por si rrjedhojë e përmbushjes së disa detyrimeve që vendi kishte marrë në rang ndërkombëtar.

E gjithë beteja legjislative me drogën në vend ka lidhje direkte me anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, një organizatë ndërqeveritare botërore e themeluar në janar të vitit 1920, si rezultat i konferencës së Paqes të mbajtur në Paris.

Shqipëria do të kishte përfaqësinë e saj në Lidhjen e Kombeve e direktivat e dala prej saj do të reflektoheshin e adaptoheshin edhe nga Shqipëria e atyre viteve. E në kushtet e dy luftërave të mëparshme që kishin si burim tregtinë e opiumit, edhe trafikimi i drogës do të ishte një nga temat e trajtuara gjerësisht në këtë organizatë.

Në vitet 1924-1925, Lidhja e Kombeve do të ndërmerrte një përpjekje të re për të forcuar bashkëpunimin mes shteteve në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të narkotikëve. E në këtë përpjekje, Shqipëria do të bëhej pjesë e saj, duke shënuar nisjen e betejës për vendosjen nën kontroll të prodhimit, tregtimit e përdorimit të drogës.

Në vitin 1925 do të zhvilloheshin dy konventa për opiumin nga Lidhja e Kombeve, në të cilat Shqipëria do të merrte pjesë.

Në konventën e parë mbi opiumin të 11 shkurtit të vitit 1925, u nënshkrua marrëveshja për zhdukjen e fabrikimit, tregtisë së brendshme e përdorimit të opiumit të përgatitur. Por Shqipëria nuk do ta ratifikonte këtë marrëveshje. Në takimin e dytë të 19 shkurtit të vitit 1925 u bë konventa ndërkombëtare e opiumit dhe protokolli përkatës, të cilat Shqipëria do t’i firmoste përmes Benedikt Blinishtit, por nuk do t’i ratifikonte në parlament.

Konventa e Lidhjes së Kombeve, e nënshkruar edhe nga Shqipëria, parashikonte detyrimin e shteteve për të ndryshuar legjislacionin me qëllim vendosjen nën kontroll të prodhimit, tregtisë dhe eksportit të drogës. Po ashtu, detyrimi parashikonte detyrimin e kufizimit të sasisë që tregtohej mes shteteve, porteve apo pikave kufitare ku mund të eksportohej droga. E në këtë konventë do të parashikohej detyrimi që çdo shtet të merrte masa për kufizimin e përdorimit të drogës vetëm për qëllime mjekësore dhe shkencore dhe të bashkëpunonte me shtetet e tjera për të ndaluar përdorimin e saj për qëllime të tjera.

Legjislacioni i Ahmet Zogut kundër drogës

E në fakt, Shqipëria do të përmbushte detyrimin e saj për të reflektuar ndryshimet e nevojshme ligjore të diktuara nga konventa që kishte nënshkruar. Në Kodin Penal të Ahmet Zogut, parashikohej ndëshkimi penal i veprimtarive të paligjshme të drogës.

Në listën e veprave penale u përfshinë edhe krimet kundër shëndetit e kushdo që tregtonte, fuste apo eksportonte kontrabandë opium, hashash apo ekstrakte të kësaj natyre, ndëshkohej me burgosje deri në 1 vit dhe me gjobë që varionte nga 100-1000 mijë franga ari. Më shumë sesa t’i jepte zgjidhje një problematike të brendshme, këto masa synonin të përafronin legjislacionin, i cili ishte hartuar në frymën e praktikave ligjore ndërkombëtare.

Si u anulua koncesioni i mbledhjes dhe mbjelljes së hashashit në Korçë

Krahas kontrollit përmes legjislacionit, një kontroll tjetër që u ushtruar ishte edhe ai i dhënies së koncesionit për mbledhjen dhe mbjelljen e hashashit. Me 27 nëntor të vitit 1931, Këshilli i Ministrave me vendimin me numër 178 vendosi të anulojë lejen e dhënë në Prefekturën e Korçës për mbledhjen e hashashit me argumentin se ajo ishte një bimë e dëmshme. Haxhi Shkoza te “Financat e Shqipnis” shkruan se qeveria urdhëroi “dikasterin kompetet (kryeministria nr 666/1 datë 13 qershor 1931) mbi përgatitjen e një projektligje për ndalimin e mbjelljes së kësaj bime”. Por, sipas Shkozës, mbi këtë urdhër nuk është vënë ndonjë dispozitë ligjore për ndalimin në fjalë në kundërshtim me ligjin e të dhjetave.

Në fakt, anulimi i koncesionit vjen në një kohë kur edhe Lidhja e Kombeve kishte hartuar një konventë të re që kufizonte më tej dhe rregullonte shpërndarjen e lëndëve narkotike. Këtë konventë të korrikut të vitit 1931, pala shqiptare e nënshkroi dhe e ratifikoi në parlament. E pak muaj më vonë, në nëntor anuloi edhe koncesionin ekzistues. Duhet evidentuar një element tjetër, që anulimi i këtij koncesioni për hashashin vjen në të njëjtën ditë kur në Bangkok (27 nëntor 1931) u nënshkrua marrëveshja ndërkombëtare për “zhdukjen e zakonit të pirjes së opiumit”, por që sipas Shkozës, kjo marrëveshje ndërkombëtare nuk është nënshkruar nga ana e vendit tonë.

Studiues të ndryshëm kanë evidentuar faktin se krahas opiumit që përdorej për qëllime mjekësore apo në raste të rralla për qëllime kënaqësie, Shqipëria ka njohur kultivimin e kërpit si praktikë. E kërpi përdorej për prodhimin e veshjeve, litarëve, ilaçeve e lëndëve djegëse.

Koncesioni i eksplozivëve

Gjatë Perandorisë Osmane, koncesioni i eksplozivëve ishte monopol i shtetit. E në këto kushte ndalohej importimi dhe eksportimi i prodhimeve eksplozive, mes të cilave edhe i barutit.

Me 2 maj të vitit 1929 sipërmarrja e eksplozivëve do të nxirrej në ankand dhe sipërmarrja që do ta merrte përsipër do të ishte klienti Xheladin Kuqi për 10 vite kohë. Monopolizimi i gjërave eksplozive u bë me argumentin se ato shiteshin dhe bliheshin pa asnjë rregull e kontroll. Importi dhe eksporti jepen nga shteti dhe ishte monopol i tij ndërsa administrimi i jepej me koncesion kompanisë së drejtuar nga Kuqi.

Sipërmarrësi do të kërkonte ndalimin e nitratit në import por qeveria nuk qe e atij mendimi dhe vendosi që të lerë të lirë këtë produkt që përdorej edhe për qellime të tjera. Sipërmarrësi duke gjetur vendimin e mësipërm si shkak refuzoi të nënshkruajë kontratën dhe kërkoi anulimin.

Qeveria do të hidhte në gjyq kompaninë në fjalë duke kërkuar nënshkrimin e kontratës dhe shpërblimin e dëmeve. Në fund, gjyqi do të fitohej nga shteti.(Scan)

 

Nga: Kreshnik Kuçaj