MENU
klinika

Kur paqja vjen vetiu...

Armëpushimi më i veçantë në botë

26.12.2021 - 11:29

         Gjithçka do të niste më 28 korrik 1914, për të përfunduar 11 nëntorin e vitit 1918. Një konflikt si ky, nuk ishte parë kurrë më parë në histori. Rreth 65 milionë vetë morën armët dhe u përfshinë në luftë.

Ishte me të vërtetë një konflikt global, nga brigjet e Amerikës deri në territoret e Azisë. Një luftë që ndryshoi natyrën e vetë luftës. Por megjithatë, kishte ende humanizëm në gjithë atë errësirë.

Ishte Krishtlindja në frontin perëndimor, në Francën veriore, ku përballë ishin gjermanët me britanikët, kur diçka e çuditshme ndodhi. Në orët e vona të vigjiljes së Krishtlindjeve, ushtarët britanikë dëgjuan gjermanët në llogoret përballë, duke kënduar këngë patriotike dhe panë fenerë të ndezur.

Britanikët, fillimisht ngurrues, iu bashkuan atyre. Ishte fillimi i një armëpushimi jozyrtar në frontin perëndimor, që u njoh si “Armëpushimi i Krishtlindjes”.

Të nesërmen, më 25 dhjetor, gjermanët i ftuan britanikët të takoheshin në territor neutral. Fillimisht ishullorët dyshuan se gjermanët do të përpiqeshin t’i vrisnin, por kur shkuan i gjetën ata të çarmatosur.

Të dyja palët shtrënguan duart, shkëmbyen dhurata, kënduan, bënë fotografi, ndanë ushqime dhe suvenire. Së bashku, ata varrosën viktimat e luftës dhe riparuan disa llogore të dëmtuara.

Por gjëja më e çuditshme është se ranë dakord, për një ndeshje futbolli Britani-Gjermani. Ishte 1 janari i vitit 1915, kur një major britanik, anonim, i shkroi gazetës “The Times”, se një regjiment anglez kishte luajtur një ndeshje futbolli me gjermanët, të cilët i kishin mundur 3-2.

Kjo ishte ndeshja e vetme e futbollit e luajtur në “tokë asnjanëse” gjatë luftës. Ishte një situatë e paparë më parë në fushë betejë. Në nder të kësaj ndeshjeje është ngritur dhe një memorial i njohur si “Armëpushimi i Krishtlindjes”, në Frelinghien të Francës.

Duhet shtuar këtu se, asokohe, me të marrë vesh ç’kishte ndodhur, komandantët e ushtrive të përfshira në luftë morën masa të rrepta që armëpushime të tilla, të mos përsëriteshin më.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kostoja e mizogjinisë/ “The Economist”

“Shoqëritë që keqtrajtojnë gratë, janë më të varfra”