Në një fotografi së bashku, rreth 30 vjet pas ardhjes së komunizmit, shfaqen disa nga kolosët e muzikës dhe të artit shqiptar ndër vite: Pjetër Gaçi, Ibrahim Tukiçi, Avni Mula, Çesk Zadeja, Tish Daia, Rifat Teqja e Milto Vako.
Sigurisht, për cinikët ata ishin komunistë, për publikun e gjerë artdashës, ishin dhe mbeten artistë të papërsëritshëm: ikonat e artit tonë.
Siç shihet, nuk kishte as xhelozi profesionale mes tyre: sepse ishin njëri ”Mjeshtër i madh” dhe tjetri ”Artist i Popullit”! Nuk kishin paguar, as kishin futur miq te partia, për dekorata pa vlerë.
Publiku që nuk u çorodit nga epoka e zhurmës dhe stresit, i identifikon mirë. Askush prej tyre nuk kishte paguar për famë. Mungojnë të tjerë, si: Agim Prodani, Kujtim Laro, Agim Krajka, Robert Radoja, Ferdinand Deda e shumë artistë gjenialë, kompozitorë të cilët e shkruan me germa të arta historinë e artit shqiptar.
I dhanë shumë kombit, ndoshta fituan pak.
U rritën dhe u edukuan në një kohë tjetër, në kohë censure. Bënë epokë në kohën më të vështirë përsa i përket lirisë së shprehjes, por paradoksalisht u rritën profesionalisht dhe e zhvilluan artin me vullnetin dhe nën kujdesin e qeverisjes së kaluar.
Duke qenë se jemi në netët e Festivalit të Këngës, natyrshëm shtrohet pyetja: A ka nxjerrë arti shqiptar në 30 vite, pasi e fituam lirinë e premtuar, një emër të vetëm, që t’iu afrohet sadopak vlerave artistike të dikurshme?
Nëse marrim si shembull artin e dikurshëm dhe e krahasojmë atë me muzikën që këndohet sot, mos ndoshta liria është kuptuar gabim, apo mos ndoshta, ajo në vendin tonë erdhi si një mashtrim për të prodhuar kaos?
Para tyre muzika shqiptare identifikohej me atë disa lodrave popullore, si daullja dhe darja. Kryesisht, kjo lloj muzike shijohej nëpër dasma.
Vendet përreth na konsideronin të prapambetur, popull pa dije, pa art, pa kulturë.
Pas të vetmes kohë, kur shqiptarët ngritën nga themelet dhe shijuan artin e vërtetë, çuditërisht në vend që të mbronin traditën dhe vlerat iu rikthyen mediokritetit, si në çdo fushë tjetër.
Vështirë se gjendet një vend tjetër si ne, që t’i ketë minuar vlerat artistike, në përmasa kaq të frikshme dhe absurde.
Sot arti dhe muzika identifikohen me tallava, këngë pa kuptim, pa melodi, pa tekst ose me tekst vulgar. Më keq akoma interpretohen nga anonimë, të cilët, ironikisht mediet dhe publiku (kryesisht të marrët dhe të rinjtë nën 25) i identifikojnë si: VIP.
Ka pasur propozime interesante, për të censuruar artin e periudhës së viteve të komunizmit. Propozimi më i mirë do të ishte, në fakt, censura e pseudoartistëve që prodhoi dhe promovoi e ashtuquajtura demokraci, si dhe ringritja nga e para e artit dhe e kulturës sonë, mbi bazën e vlerave dhe të veprave që lanë si trashëgimi ata që ditën dhe bënë art.
Edhe godinat që bien dhe ngrihen janë çështje politike, pa asnjë lidhje me artin. Lëreni artin të shkojë në duart e artistëve të vërtetë, mbështeteni financiarisht sa të mundeni dhe mundësisht, veçojeni dhe mbrojeni atë nga mediokriteti! Bëni të paktën, atë që bëri komunizmi dhe lëreni sa më të qetë: Një ditë, me siguri do të ringrihet sërish vetë!
Nga: Aranit Muraçi