MENU
klinika

"Cënon interesat kombëtare"

Pakti i OKB-së për migracionin/ Heq dorë edhe Bullgaria?

12.11.2018 - 18:15

Pas Austrisë, edhe zyrtarët bullgarë po sinjalizojnë se vendi nuk do të nënshkruajë një pakt global për të nxitur migrimin e sigurt dhe të rregullt, duke thënë se kjo do të dëmtonte interesat kombëtare.

Kryetari i partisë më të madhe në parlament, GERB, Tsvetan Tsvetanov, tha pas një takimi të koalicionit qeveritar se “pozicioni i Qeverisë së Bullgarisë do të jetë të mos i bashkohet paktit global të Kombeve të Bashkuara për migrimin”.

Partneri i koalicionit GERB, Patriotët e Bashkuar, kundërshton fuqishëm paktin e Kombeve të Bashkuara, duke thënë se kjo përbën një kërcënim për interesat kombëtare.

Parlamenti i Bullgarisë do të flasë për paktin të mërkurën.

Pakti Global për Sigurinë dhe Migrimin e Rregullt, i cili nuk është ligjërisht i obligueshëm, është finalizuar nga Kombet e Bashkuara në korrik. Ai pritet të miratohet formalisht në një takim në Marok, më 11 dhe 12 dhjetor.

Qeveria e Bullgarisë ka mbajtur një qëndrim të ashpër kundër migracionit masiv në Europë. Vendi ballkanik ka mbyllur kufirin me Turqinë me një gardh me gjemba për të ndaluar fluksin e kalimeve të paligjshme të emigrantëve.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Turqisë thotë se roja bregdetare e vendit ka nisur një mision kërkimi dhe shpëtimi për të gjetur 10 emigrantë të cilët janë raportuar të humbur pasi barka e tyre u mbyt në Detin Egje.

Megjithëse numri i tyre është zvogëluar në vitet e fundit, migrantët ende përpiqen të kalojnë në Greqi nga Turqia, me shpresën se do të shkojnë në vendet e tjera evropiane.

Para pak javësh, Austria tha gjithashtu se do të refuzonte të nënshkruante një pakt ndërkombëtar që synonte përmirësimin e bashkëpunimit global mbi migracionin, duke u bashkuar me SHBA dhe Hungari që e kanë kundërshtuar marrëveshjen e OKB.

Sebastian Kurz, kancelari konservator i Austrisë, tha se vendi i tij donte të mbante nën kontroll fluksin e migracionit dhe nuk do të nënshkruante një pakt që synon të miratohet zyrtarisht në një konferencë në dhjetor.

Dhjetorin e kaluar, Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga pjesëmarrja në negociatat mbi kompaktin, ndërsa, në korrik, Hungaria ka bërë të njëjtën gjë.

Edhe Ministri i brendshëm i Polonisë, Joachim Brudzinski, ka thënë këtë muaj se Varshava duhet gjithashtu të tërhiqet nga pakti, duke argumentuar se ai mund të nxisë imigracionin e paligjshëm. Qeveria konservatore e Australisë pritet  të refuzojë të marrë pjesë po ashtu.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Pakti i OKB-së për migracionin

Pse nuk do të nënshkruajë Austria?