Shqiptarët dhanë një kontribut të madh në lëvizjet kombëtare në Evropën e shek. XIX. Pas Skënderbeut, në shek. XV, Italia do të bëhej atdheu i dytë për ta, ndërsa do të . shpërndaheshin nga Abruzio deri në Siçili.
Shqiptarët e Lëvizjes së Garibaldit. më 1860, e çuan Italinë në bashkim dhe pavarësi. Teksa në vitet 1844 dhe 1848, vendi fqinj u përball me kryengritjet e mëdha, shqiptarët ishin pjesë e rëndësishme e betejave të përgjakshme. Si të tillë, ata u burgosën dhe persekutuan. U pushkatuan dhe u varën, me thirrjen: “Rroftë liria, rroftë Italia”.
Gjatë luftës për mbrojtjen e Republikës së Romës, Garibaldit i shkroi Anitës, të cilën e kishte lënë në Nicë, këto rreshta:
“Anita ime e dashur…
Ne luftojmë mbi Xhanikolo. Ky popull është i denjë për të kaluarën e tij të madhe. Këtu njeriu di të jetojë, di të vdesë, këtu njerëzit vriten me thirrjen “Rroftë Republika”. Vetëm një orë nga jeta jonë në Romë, vlen sa një shekull. E lumtura nëna ime, që më lindi në një epokë kaq të bukur për Italinë!…”
E shoqja, që ishte grua guximtare, e gjeti rrugën për të hyrë në qytetin e rrethuar. Dy ditë më vonë, mbi Xhanikolo u duk një grua që u ndal dhe po fliste me ushtarët. Njeri prej tyre i tregoi se ku ndodhej Garibaldi. Ky në këtë çast, ktheu kokën dhe, si në një ëndërr gëzimi u turr drejt së shoqes së adhuruar, duke e shtrënguar në gjoks. Pastaj e mori për dore dhe u kthye nga shokët;
– Ja Anita ime, këtej e tutje do të kemi një ushtar më shumë.
Viti 1859 shënoi luftën e dytë për çlirimin dhe bashkimin e Italisë. Kësaj here, në skenën e historisë shgaqet Xhuzepe Garibaldi, udhëheqësi legjendar i luftrave për liri të popujve të robëruar. Ai erdhi në Itali, pas një përvoje të pasur luftarake dhe u vu në shërbim të shtetit të Piemontit, për të përgatitur fushatën kundër pushtuesve austriakë. Garibaldi, i kthyer tanimë në simbolin e luftës për liri, do të ngjallte shpresat e italianëve për çlirim e bashkim dhe qindra patriotë do të viheshin nën urdhrat e tij. Heroi legjendar zuri të përgatitej për luftën e madhe që e priste. Sipas strategjisë së tij, kjo do të ishte një luftë globale, që do të përfshinte gjithë Italinë e copëzuar. Për këtë, ai filloi të përgatitet duke ideuar një fushatë ushtarake, që do të niste me zbarkimin e një ekspedite në brigjet e Siçilisë. Në projektimin dhe realizimin e kësaj ndërmarrjeje të madhe historike do të luanin një rol të rëndësishëm revolucionari italian, Roselino Pilo dhe ai arbëresh, Françesko Krispi.
Në kronikën e kohës është regjistruar dhe një fakt tjetër kuptimplotë: vajza arbëreshe nga Piana, Xhovana Peta, do të shkonte në Palermo me flamurin italian fshehur në gji dhe do ta valëviste pas fitores së kryengritjes në qiellin e lirë të kryeqendrës së Siçilisë.
Siç dihet, me betejën e Kasertos, më 2 tetor 1860 mori fund fushata e lavdishme e Garibaldit, që hodhi themelet e pavarësisë dhe bashkimit të Italisë. S’ka dyshim se bilanci i kontributit arbëresh në këtë ngjarje të madhe historike për fatin e Italisë, është i padiskutueshëm dhe i admirueshëm. Këta pasardhës të Skënderbeut, jo vetëm nderuan emrin e tij dhe të atdheut të origjinës, por treguan me prova dashurinë dhe besnikërinë e tyre proverbiale ndaj popullit dhe tokës mikpritëse.
“Gjatë Risorxhimentos, – shkruan historiani Cezaro Lambrozo, – arbëreshët e Italisë dhanë luftëtarë trima, derdhën gjak, bënë sakrifica të panumërta, manifestuan virtyte të larta, u treguan qytetarë të denjë të atdheut të tyre të dytë”.
Vetë heroi i dy botëve e kujton këtë fakt, në kujtimet e tij: “Nga asnjë vend tjetër i botës, nuk mund t’ia dilnim me sukses në marshimin tonë, përveç se nga Hora e Shqiptarëve”. Pra që në fillimet e tij, Xhuzepe Garibaldi u mbështet tek arbëreshët, të cilët, më pas do t’i cilësonte trima.
Xhuzepe Garibaldi u lind në Nicë më 4 korrik 1807, vdiq në ishullin Caprera më 2 qershor 1882, revolucionar dhe luftëtar për lirinë dhe bashkimin e Italisë. Pas rënies së Republikës së Romës, Garibaldi me vullnetarët e tij filluan tërheqjen e tyre heroike. Ai, me këtë rast iu tha ushtarëve:
– Luftëtarë, ja çfarë ju afroj atyre që duan të më ndjekin pas: uri, të ftohtë, pa strehë, pa municioni, por gjithnjë syçelë në beteja dhe pa gjumë, marshime të gjata dhe përleshje me bajoneta. Tani, kush e do atdheun le të më ndjekë pas.
Kësaj thirrjeje iu përgjigjën katër mijë vullnetarë, që ndoqën pas heroin e tyre.